Vepra “Two Laughing Boys with a Mug of Beer” e artistit Frans Hals, e realizuar rreth vitit 1626, është vjedhur së fundi për herë të tretë gjatë këtyre viteve, që e bën atë veprën e fundit të njohur që bëhet viktimë e vazhdueshme e hajdutëve. Por, kur është jashtëzakonisht e vështirë për të shitur një vepër kaq të njohur edhe në tregun e zi, kush do të rrezikonte duke vënë si cak një pikturë të tillë dhe pse do ta bënte këtë?
Vjedhja e fundit e kësaj pikture ka ndodhur në fund të gushtit. Vepra ishte vjedhur nga Muzeu “Hofje van Mevrouw van Aerden” në Leerdam, në perëndim të Holandës, në një bastisje që bënë hajdutët duke hyrë me forcë nga pjesa e prapme e ndërtesës. Ishte vjedhur edhe më herët nga muzeu, në vitin 1988 dhe në vitin 2011, në të dyja rastet bashkë me veprën tjetër të shekullit të 17-të “Forest View with Flowering Elderberry” të Jacob van Ruisdael.
Përderisa ekspertët kanë spekuluar se vjedhja e pikturës së Halsit ishte një “vjedhje e porositur”, vjedhjet e përsëritura të një vepre të caktuar nuk janë një skenar i izoluar. Si shembull tjetër është vepra e shekullit të 15-të “Ghent Altarpiece” e Hubert van Eyck dhe Jan van Eyck, e cila ka qenë cak i 13 vjedhjeve. Ishte viktimë e sulmeve të kalvinizmit, kishte rënë pre e forcave të Napoleonit dhe më vonë nazistëve. “The Scream” e Edvard Munch ishte vjedhur dy herë në Oslo dhe vepra “The Cornfield’ e Jacob van Ruisdael ishte vjedhur tri herë në mes të viteve 1974 dhe 2002.
“Unë e hedh poshtë mendimin e vjedhjeve të pamenduara”, thotë Chris Marinello, shefi ekzekutiv dhe themeluesi i “Art Recovery International”, i cili shton se “pasi që një vepër me rëndësi vidhet, del lajmi për të që ajo ka vlerë miliona dhe sigurimi përfshihet në këtë”. Me rritjen dramatike të shanseve që vepra e vjedhur të gjendet nga forcat e rendit dhe me reduktimin e blerësve që kanë guximin për të bërë një veprim të tillë, pse veprohet kështu?
Një nga arsyet kryesore del të jetë prestigji kriminal: të vjedhësh një pikturë të njohur mund të ndikojë në rritjen e reputacionit brenda një rrjeti që ofron qasje në mundësi të tjera. Një vepër arti me vlerë po ashtu mund të përdoret si sigurim për marrëveshje në të ardhmen apo për të bartur gjëra me vlerë përtej kufijve. Autoritetet – si joprofesionistë – ka më pak të ngjarë të konfiskojnë një pikturë në vend të milionave si kesh, apo aseteve të tjera për të cilat kanë më shumë njohuri.