Violinisti italian Davide Alogna thotë se beson që shpirti i tij ka jetuar edhe më parë. Edhe atëherë ishte një muzikant.
Historia e lidhjes së tij me muzikën tingëllon më shumë si një përrallë. Por Alogna sigurohet që sa herë të flasë për jetën e tij ta theksojë atë. Kur ishte 10 muajsh prindërit e tij ndiqnin një metodë të veçantë të meditimit “Sahaja Yoga”, e paraqitur për herë të parë në vitin 1970 nga Nirmala Devi. Atëherë Alogna, kur e kishte parë atë që ndjekësit e saj, së cilës i referohen me titullin “Zonja Nënë” (Shri Mataja) kishte filluar që ta thërriste me pasthirrma adekuate për atë moshë: ‘La la la’. Prindërit e tij, ashtu siç tregon Alogna, ia kishin mbyllur gojën me duar duke u ndier të turpëruar para udhëheqëses së tyre shpirtërore. Por Nirmala Devi , e lindur në mars të vitit 1923 në qytetin Chhindwara të Indisë, u kishte thënë atyre që të mos e bënin këtë. Sipas saj, Alogna e njihte atë nga një jetë e mëparshme. Themeluesja e “Sahaja Yoga”, e cila vdiq në moshën 87-vjeçare në shkurt të vitit 2011, u kishte thënë se Alogna më herët kishte qenë një muzikant i njohur.
“Pra, takimi im i parë me muzikën nuk ishte me të, por me udhëheqësen time shpirtërore”, thotë Alogna. Më pas studioi për piano, violinë e kompozim. Thotë se që atëherë rruga e tij ishte e qartë.
“Kam vendosur që të studioj violinën, sepse besoj se është një instrument i cili emeton zërat e njerëzve. Sipas meje, është mënyra më e mirë për të komunikuar”, thotë Alogna, i cili tash e më shumë se një dekadë ka performuar nëpër salla të njohura. Ende thotë se përjeton déjà vu, kur luan kompozime të ndryshme. I krijohet përshtypja që me të vërtetë i ka luajtur ato edhe më herët ani pse partiturat i merr për t’i mësuar për herë të parë. Këtë lidhje e thotë se e vëren edhe kur luan në violina që janë të vjetra.
“E pabesueshme, por violina mban në mend ato që i ka luajtur. Është e pabesueshme, por edhe kur luaj disa kompozitorë të caktuar e kam ndjesinë që i kam luajtur edhe më parë”, thotë ai. Kjo i ndodh edhe kur në repertor ka vepra të Mozartit që njihet si gjeniu i muzikës klasike. Por e ka gjetur veten edhe te kompozimet e italianëve. Me bashkëvendësit e tij ndan edhe një lidhje tjetër... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)