Kulturë

Vera e zërit të gruas shqiptare në Venecia

Filmi “Vera andrron detin” i Kaltrina Krasniqit goditi me të parën. Debutimi në metrazh të gjatë i saj u dha premierë botërore hiç më pak sesa në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecie. Teuta Ajdini-Jegenin e dërgoi midis yjeve pikërisht roli i Verës në këtë film, një grua e fortë që lufton për pronën e vet, tek përballet me rrethin patriarkal pas vdekjes së burrit të saj. Ky njëherësh qe edhe suksesi më madhor në karrierën e saj të deritanishme. Ajdini-Jegeni flet për rolin e vitit, për fuqinë e filmit e të artit, kthehet ndër vite e i rikthehet besimit në art

Vera është interpretuese e gjuhës së shenjave. Në ekran shfaqet në qoshe duke përkthyer për ata që kuptojnë vetëm nëpërmjet shenjave. Por si personazh filmi ajo nuk del vetëm për këtë. Është fytyra kryesore. Vjen si “përkthyese” e krejt grave që përballen me realitetin e vrazhdë në një shoqëri ku dominojnë burrat. Ka dalë para audiencave prej Evropës deri në Tokio. Jo në çfarëdo festivalesh filmi. “Vera andrron detin” është dhënë në ekrane të festivaleve prestigjioze. Në aso që bota e filmit i klasifikon si të kategorisë “A”.

Prej Italisë, Egjiptit e deri në Japoni, Teuta Ajdini-Jegeni është parë në rolin e Verës, në filmin me skenar të Doruntina Bashës, nën regji të Kaltrina Krasniqit. Duke u shndërruar në portretin e një gruaje që mëton ta marrë trashëgiminë e saj me arsyetimin se do t’ua lërë fëmijëve, ajo është bërë imazhi i një përpjekjeje që nuk ekziston vetëm në këto anë.

Një ndjenjë që aktorin e bën të pangopur

Zëri i grave që kërkojnë atë që u takon është në rritje e sipër. Por nuk ka shkuar ende në nivelin e duhur. Temat e tilla preken nëpërmjet mënyrave të ndryshme. Arti është veç një hapësirë krijuese ku shtjellohen këto probleme. E filmi mbetet mediumi më i fuqishëm.

“Përvoja me ‘Vera andrron detin’ do të doja të më përsëritej shpesh për t’u përmbushur edhe më shumë dhe për ta shijuar artin e filmit si një ndjenjë që aktorin e bën të pangopur”, thotë Teuta Ajdini-Jegeni katër muaj pas premierës botërore të filmit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecie. Në atë që njihet si Festivali më i vjetër i filmit, ajo shkoi si personazhi kryesor i projektit kinematografik që shfaq dramën e gruas, e cila detyrohet të luftojë kundër patriarkatit për të fituar trashëgiminë e burrit të saj, Fatmirit (Xhevat Qorraj). Filmi ishte në garën zyrtare në kategorinë “Orizontti”. Fitoi dy çmime përcjellëse dhe prej aty u mor vesh se do të jetë pjesë e dy festivaleve prestigjioze, ati të Kajros dhe Tokios. Në Japoni ky film shënoi një tjetër hap historik. Regjisorja Kaltrina Krasniqi u bë regjisorja e parë që mori çmimin kryesor të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokio. Kosova për herë të parë ishte në garë zyrtare të këtij festivali prestigjioz.

“Nëse fuqia e gruas fokusohet drejt qëllimit, nuk krahasohet dot me asnjë forcë tjetër që mund t’i bëjë ballë. Gruas i jep dhimbje e ajo e shndërron në fuqi, i jep tollovi dhe shqetësim shpirtëror, ajo e shndërron në paqe”, thotë Ajdini-Jegeni. Këto që i shpjegon më së miri i shpërfaq në film. Thotë se këto situata janë të pranishme gjatë gjithë filmit. “Vera lufton dhe përballet shumë shpesh duke kërkuar rrugëdalje dhe duke e përdorur aftësinë e saj të quajtur grua”, shton ajo.

Filmi si gjuhë e shpirtit

E lindur në Shkup më 1963, Ajdini-Jegeni numëron përvojë në dhjetëra role në teatër e film. Por thotë se roli i Verës ishte me peshë shumë të madhe pasi paraqet një realitet që një pjesë e konsiderueshme e grave e mbajnë mbi supe. Duke qenë luftarake e duke kërkuar rrugëdalje nga situata në të cilën është, Vera jep mesazh shumë të fuqishëm se gruaja nuk lind e fortë, por jeta e ndërton të tillë.

“Ajo zgjedh që të paraqitet si heroinë e jo si viktimë. Duhet të kërkojnë mënyrën që të paraqesin problemet e tyre të gjitha gratë që jetojnë në një realitet të ngjashëm”, thotë aktorja e 70 roleve në teatër. I është dashur goxha kohë që të mësojë gjuhën e shenjave. Në rrëfimet e saj për filmin e përshkruan edhe si gjuhë të shpirtit. Skenari i filmit e kishte impresionuar shumë. Nuk ishte menduar fort për t’i thënë “po” sfidës për të marrë barrën e rolit kryesor. Bile pas prezantimit në Venecia, kur fliste për gratë dhe avokimin që ato të gëzojnë të drejta të barabarta, thoshte prerazi: “Çdo grua në botë emrin e dytë e ka Vera”. Është prej njerëzve plot me vullnet për t’u bërë pjesë e projekteve që bëjnë një hap më tepër për të shpalosur betejat e njerëzve për të drejtat e veta.

Image
Teuta Ajdini-Jegeni në premierën botërore të filmit “Vera andrron detin”, në edicionin e 78-të të Festivalit të Filmit në Venecie, më 8 shtator 2021

Në botëkuptimet e saj gratë duhet të gjejnë mënyrën më të mirë dhe më të depërtueshme që zëri i tyre të mos bjerë në vesh të shurdhër. E për këtë thotë se ekrani i madh i filmit është një dritare e hapur, sidomos në kohën kur teknologjia mundëson shpërndarje të gjerë tek audienca.

Derisa flet për filmin, thotë se kinematografia kosovare në vitet e fundit vazhdon të përfaqësojë shqiptarët denjësisht në skenat botërore dhe jep ndjesinë më të bukur e të qenit artist. Në këtë rast ka përmendur vështirësitë e realizimit të filmave, sidomos në aspektin financiar. Pos, sipas saj, dashuria për të krijuar dhe për të përfaqësuar Kosovën ashtu siç i ka hije është shumë më e madhe dhe më e fuqishme. Përmend se kritika ndërkombëtare e ka vlerësuar lart kinematografinë e Kosovës e sidomos gratë regjisore që kanë trajtuar tema sociale dhe në fokus kanë pasur gratë dhe ballafaqimin e tyre me shoqërinë.

“Janë tema që i takojnë Kosovës, por që sigurisht janë edhe tema globale”, ka thënë ajo.

Ka besim të madh në fuqinë e filmit. Ka luajtur edhe në “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, “Kthimi”, në serinë televizive “Nase Maalo” e te “Dhimbja krenare”. Te “Dhimbja krenare” ishte midis roleve kryesore bashkë me Enver Petrovcin e Melihate Ajetin. Asokohe më 1990 regjisori Ismail Ymeri me skenar të Sulejman Aliut dhe Azem Shkrelit ia kishte mësyrë që ta realizonte një film televiziv për shkrimtarin Millosh Gjergj Nikolla - Migjeni. Përvoja e ka bërë të besojë në art e sidomos në film. Për herë të parë në sheshxhirim do të ishte përballë kamerave që po merrnin pamje për të realizuar filmin nën regji të Agim Sopit, “Njeriu prej dheu” më 1984. Ishte bërë pjesë e dramës që flet për emigrimin e shqiptarëve e kthimin e tyre pas vdekjes në atdhe. Për atë kohë ky prodhim i “KosovaFilmit” me skenar të Agim Sopit e Fadil Hysajt ishte një projekt i guximshëm që nxirrte para audiencës fatin e një familjeje shqiptare, anëtarët e së cilës merrnin rrugën drejt Turqisë.

Ajdini-Jegeni thotë se për gjeneratat e reja filmi është mundësia më e lehtë për të hapur diskutime e për të ngacmuar tema të ndryshme me të cilat shikuesit ballafaqohen çdo ditë në jetën reale. Fuqizimin e industrisë së filmit e përshkruan si arsye shtesë që filmi tash është më i zoti që të përçojë mesazhe të forta. Ka dëshirë që të rinjtë të kenë më shumë mundësi të realizojnë projekte kinematografike pasi pos shpalosjes së talentit, sipas saj, mund të nxjerrin në pah edhe problemet të cilat i preokupojnë.

Besimi në art

Me besim në art duket të jetë lindur. Si fëmijë lidhjen me teatrin e kishte të pashmangshme. Është e bija e aktorit të njohur dibran Qemal Ajdini. Si e vogël një pjesë jo të paktë të kohës e kishte kaluar në teatër. Prekej fort kur shihte të atin e kolegët e tij duke u bërë gati për role. Kishte nisur ta lakmonte atë jetë. Thotë se nga i ati kishte përkrahje të parezervë që ajo të jetë aktore.

“Ka qenë përcaktim i imi qysh në moshë të vogël duke mos menduar asnjëherë për ndonjë profesion tjetër, sepse të afërmit e mi e kuptuan se kam trashëguar talentin nga babai dhe ky ishte profesioni më i duhur për mua”, ka thënë ajo. Por me përcaktimin e Ajdini-Jegenit arti nuk ka përfituar thjesht një aktore. Regjistrimi i saj në Akademinë e Arteve Dramatike në Shkup do të bënte që edhe shumë vajza të tjera të frymëzoheshin e të merrnin krahë që të zhvillojnë karrierë në botën e artit.

“U bëra shembull që shumë vajza të tjera të zgjedhin këtë profesion hyjnor”, thotë aktorja që tash është pjesë e Teatrit Shqiptar të Shkupit. Për të teatri ka forcë sikurse filmi, por me audiencë më të vogël e me ballafaqim direkt. Për të teatri është zëdhënësi më i drejtpërdrejtë i qytetarëve. Në skenën përballë publikut rrëfen ta ketë buzëqeshjen më origjinale.

Edhe në teatër ka përvojë jo të vogël me Kosovën. Në vitet ’90 ishte pjesë e atij që ishte Teatri i Prishtinës, sot Teatri Kombëtar i Kosovës. Thotë të jetë ndier si në shtëpinë e vet. Ka rrëfyer se më pas erdhi një kohë e transicionit dhe e kishte të pamundur të vazhdonte punën në Prishtinë. Por atë periudhë e përshkruan me shumë nostalgji.

“Akoma po pres një ftesë të rikthimit”, thotë ajo, derisa rezervohet shumë që të flasë për marrëdhënien me teatrin kosovar në ditët e sotme. E marrëdhënien e aktorëve shqiptarë me teatrin në Maqedoni e përshkruan si të vështirë dikur. Për shumë vjet hapësira për shqiptarët në skenat maqedonase ishte pothuajse e pamundur. Ajdini-Jegeni thotë se kanë qenë të kufizuar në mungesë të teatrit shqiptar në Maqedoni. Por tash shumica e qyteteve ku janë të koncentruar shqiptarët kanë edhe teatër shqiptar.

“Është duke u zgjeruar kjo hapësirë me hapjen e shumë teatrove shqiptare. Edhe filmi shqiptar ka filluar të ketë një jetë më prezente”, thotë ajo. Është ithtare e madhe që Kosova e Maqedonia të kenë bashkëpunime më të mëdha në kulturë. Historikisht gjatë pjesës së dytë të shekullit të kaluar Kosova ishte vend i perspektivës për shqiptarët e Maqedonisë, duke nisur nga edukimi universitar. Lidhja e tyre me Kosovën është e fortë. Ajdini-Jegeni edhe një pjesë të zhvillimit të saj profesional ia dedikon Kosovës. Thotë se është dëshirë e të dyja palëve që të ketë bashkëpunime më të shumta në kulturë. Qeveritë nga të dyja anët disa herë kanë tentuar që të lidhin marrëveshje kulturore. Por krejt kanë mbetur në nivele muhabetesh. Iniciativat private e individuale dalin të jenë shumë të suksesshme. Ajdini-Jegeni si artiste veprash të mëdha ka dëshirë që të ketë edhe përfshirje institucionale.

“Institucionet duhet përkrahur bashkëpunimet më fuqishëm në mënyrë që të realizohet dëshira dypalëshe”, ka thënë Ajdini-Jegeni në fund të vitit, kur shënoi edhe suksesin më të madh jetësor në kinematografi.