Kulturë

“Vera andrron detin” lë Venecian pa trofe, niset për në dy festivale prestigjioze

Ani pse u dhanë jo pak shenja se i pari film i Kosovës që garoi në Festivalin e Filmit në Venecie mund të kthehej me trofe, të shtunën mbrëma nuk ngjau kësisoj. Por, pak çon peshë. Filmi nën regji të Kaltrina Krasniqit, tashmë e ka dëshmuar nivelin e tij, e për ata që punuan për të, i ka hapur rrugë brezit të ri të kineastëve nga Kosova. Nga Venecia është larguar pa çmim, por ka marrë biletën për dy alamet festivalesh.

Edicioni i 78-të i ngjarjes së madhe të filmit ishte një thirrje e shkëndijë për rikthimin e publikut para magjisë së filmit. E magjishme qe ceremonia e ndarjes së çmimeve për regjisoren Audrey Diwan, e cila me “Happening” mori “Luanin e Artë”

“Vera andrron detin” Venecian e ka lënë pa ndonjë trofe nga Festivali, por si çmim më vete është llogaritur vetëm të qenit në konkurrencë si filmi i parë nga Kosova.

Rrëfimi nga Kosova, prej Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecie do të shkojë për në Egjipt e Japoni. Tash është në konkurrencë zyrtare në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kajro e edhe në atë të Tokios. Venecia – aty ku të shtunën mbrëma u ndanë çmimet e këtij edicioni – “Verës...” i ka dhënë “krahë”. E vetë Festivali ka ngjallur shpresën se kineastët e vetë filmi, pavarësisht gjendjes me pandeminë, vazhdojnë të luajnë rol të madh në botë. Ka ngjallur shpresën për kthim të plotë në kinema. Çmimin kryesor, “Luanin e Artë”, e ka fituar filmi francez “Happening” nën regji të Audrey Diwan. “Luanin e Argjendtë”, që është edhe Çmimi i madh i jurisë, e ka fituar filmi italian “The Hand of God” nën regji të Paolo Sorrentinos. E “Luanin e Argjendtë” për regjinë më të mirë e ka fituar Jane Campion nga Zelanda e Re për filmin “The Power of the Dog”.

“Luani i Artë” për rrëfimin prekës mbi abortin

Festivali më i vjetër i filmit në botë, sivjet ka shpërblyer me çmimin kryesor dramën që flet për abortin. Filmi “Happening” i regjisores Audrey Diwan rrëfen përvojën e një studenteje kolegji në Francë, e cila e gjen veten në një shtatzëni të padëshiruar dhe mundohet të gjejë rrugë për abort. Ky film ka bërë për vete jurinë prestigjioze në përbërje të emrave si fituesit e “Oscarit”, Bong Joon Ho dhe Chloé Zhao.

Image

Audrey Diwan me “Luanin e Artë” për filmin “Happening”, të shtunën mbrëma (Foto: AP)

“E bëra këtë film me zemërim. Unë gjithashtu e bëra filmin me dëshirë. E bëra me barkun, zorrët, zemrën, kokën”, ka thënë regjisorja, e cila nuk ka mundur t’i mbajë lotët në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ku janë respektuar rregullat në kuadër të pandemisë me nga një karrige bosh midis pjesëmarrësve dhe po ashtu me maska. Gjatë kalimit në tepihun e kuq, nuk janë bartur maskat.

“Unë doja që ‘Happening’ të ishte një përvojë”, ka thënë regjisorja 41-vjeçare me prejardhje libaneze, e cila me film të gjatë debutoi në vitin 2019 duke shfaqur për publikun “Losing it” . Diwan është gruaja e gjashtë me radhë që ka bërë regjinë e një filmi i cili ka marrë çmimin kryesor të Festivalit të Venecias. Paraprakisht, këtë trofe e kanë marrë Chloé Zhao me “Nomadland”, Margarethe Von Trotta me “Marianne & Juliane”, Agnès Varda me “Vagabond”, Mira Nair me “Monsoon Wedding” dhe Sofia Coppola me “Somewhere”.

Çmimin për aktoren më të mirë “Coppa Volpi” e ka fituar Penélope Cruz për rolin e saj në filmin spanjoll “Parallel Mothers”, nën regji të Pedro Almodóvar. Ky film edhe e ka hapur edicionin e sivjetme të Festivalit. Filmi që brenda kastit të aktorëve pos Cruz, ka edhe Aitana Sánchez-Gijón e Milena Smit, trajton temën e dy nënave që kryejnë lindje paralelisht. Është vlerësuar si produkt artistik i regjisorit Almodóvar që i jep Festivalit të Venecias një pako të vogël gëzimi. Vetë regjisori para dy dekadash me “All about My mother”, kishte marrë çmimet më të mëdha në botë përfshirë edhe “Oscar”. Aktorja Cruz, pasi ka pranuar Çmimin, ka falënderuar regjisorin, duke thënë se ai “inspiron çdo ditë duke kërkuar të vërtetën”.

“Keni krijuar magjiken prapë dhe nuk ka se si të mos jem e lumtur dhe krenare që jam pjesë e saj. Thjesht, ju adhuroj”, ka thënë ajo.

Maggie Gyllenhaal ka marrë Çmimin për skenarin më të mirë për filmin “The Lost Daughter” nën regji të saj, një bashkëprodhim midis Greqisë, ShBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Izraelit.

“Nuk mund t’ju them se sa i emocionuar ndihem që jam këtu”, ka thënë Gyllenhaal. “Unë isha e martuar në Itali, në Puglia. Mora vesh se isha shtatzënë me vajzën time të dytë në Itali. Dhe vërtet jeta ime si regjisore dhe shkrimtare dhe filmi im u lindën këtu në këtë teatër”, ka thënë Gyllenhaal, e cila në vitin 2009 ishte e nominuar për “Oscar” në rol dytësor në filmin “Crazy Heart”. Ajo ka thënë se filmi i saj është “Italian in its bones”, edhe pse është xhiruar në Greqi dhe në gjuhën angleze.

“Në një mënyrë, si gra ne kemi lindur në një marrëveshje për të heshtur dhe Ferrante e prishi atë marrëveshje”, ka thënë Gyllenhaal duke iu referuar shkrimtares Elena Ferrante, veprën e së cilës, “Vajza e humbur”, e adaptoi për film. “Unë kisha të njëjtën ndjenjë kur pashë ‘The Piano’ kur isha në shkollën e mesme”.

Çmimin për aktorin më të mirë e ka marrë fituar John Arcilla për rolin e tij në filmin “On The Job: The Missing 8” të regjisorit filipinas, Erik Matti.

Dy çmimet shpresëdhënëse

Sivjet pritej që një çmim nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Venecia të vinte edhe në këto anë. Shpresat ishin rritur sidomos, kur një ditë para se të ndahen çmimet, filmi “Vera andrron detin” nën regji të Kaltrina Krasniqit e me skenar të Doruntina Bashës ka marrë dy çmime nga platforma që bashkëpunojnë me festivalin. Është ajo që njihet si kinema e zgjatur, “Venezia a Napoli. il Cinema Esteso” që i ka ndarë Çmimin e regjisë më të mirë për autorët nën moshën 40-vjeçare, Kaltrina Krasniqit. Po ky film ka marrë edhe “Prize for the inclusion Edipo Re” (Çmimi i gjithëpërfshirjes, Edipi Mbret) që u jepet figurave globale të filmit, që kanë dalluar veten për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj krijimit të filmit. Çmimi ndahet nga “Giornate degli Autori” (Ditët e autorit) që prej vitit 2004, është krah i pavarur i Festivalit të Venecias dhe promovohet nga shoqatat e regjisorëve dhe autorëve të filmit italian. “Venezia a Napoli. il Cinema Esteso” është ngjarje që nisi në vitin 2011 në bashkëpunim direkt me Bienalen e Venecias, duke ofruar mundësi që filmat të gjejnë hapësirë për shpërndarje dhe të organizohen takime me kineastë nga e mbarë globi. Në tetor, sjell edicionin e 11-të.

Por, filmi nuk ia doli që të merrte ndonjë prej çmimeve të kategorisë ku garonte “Orizzonti”. Konkurroi për çmimet: Filmi më i mirë, Regjia më e mirë, Çmimi special i jurisë, Aktori dhe aktorja më e mirë, si dhe Skenari më i mirë.

Juria që kryesohej nga Jasmila Zhbaniq dhe anëtarët Mona Fastvold, Shahram Mokri, Josh Siegel e Nadia Terranova midis 19 filmave artistik të gjatë vendosi që Çmimi për filmin më të mirë t’i takojë filmit “Pilgrims” nën regji të Laurynas Bareiša nga Lituania. Çmimin për regjinë më të mirë e mori francezi Éric Gravel për filmin “Fill Time” e Çmimin special të jurisë i dha filmit “El Gran Movimiento” nën regji të Kiro Russo, bashkëprodhim i Bolivisë, Francës, Katarit dhe Zvicrës.

Juria, Çmimin për aktoren më të mirë ia ka ndarë aktores Laure Calamy për rolin e saj në filmin “Full Time” nga Éric Gravel, kurse Çmimi për aktorin më të mirë i është dhënë Piseth Chhun për rolin e tij në filmin “White Building” nën regji të Kavich Neang, një bashkëprodhim midis Kamboxhias, Francës, Kinës dhe Katarit. E Çmimi për skenarin më të mirë për këtë kategori i është dhënë Peter Kerekes dhe Ivan Ostrochovský për skenarin e filmit “107 Mothers” nën regji të Peter Kerekes, bashkëprodhim midis Republikës së Sllovakisë, asaj Çeke dhe Ukrainës.

Istrefi: Pjesëmarrja madhështore, promovim i gjithë kinematografisë kosovare

Por, filmi kosovar ia ka dalë që nëpërmjet Venecias, të krijojë njohje me festivale të tjera prestigjioze.

Image

Parakalimi i ekipit të filmit “Vera andrron detin” në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Venecie, më 8 shtator në ditën e premierës botërore

Producenti i filmit, Shkumbin Istrefi, ka thënë se pjesëmarrja e “Vera andrron detin” në Festivalin e Venecias në një konkurrencë tepër të madhe, vetëm të jetë aty, dhe dy çmimet e fituara, për ekipin janë madhështore dhe krijojnë rrugëtim të gjatë të filmit në festivale të tjera. Ka thënë se shpresojnë po ashtu edhe në distribuim. Përtej kësaj ka treguar se “Vera andrron detin” tash është në konkurrencë zyrtare në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kajro e edhe në atë të Tokios. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Kajro është më i madhi dhe më i rëndësishmi në Lindjen e Mesme e në Afrikën Veriore. Sivjet edicionin e 43-të do ta ketë nga 26 nëntori deri më 5 dhjetor dhe është midis 15 ngjarjeve të filmit të renditura si festivale të kategorisë “A” nga Federata Ndërkombëtare e Festivaleve të Filmit. E nga 30 tetori, deri më 8 nëntor, do të mbahet edicioni i 34-të me radhë i festivalit më të madh në Japoni, atij të Tokios.

Istrefi ka thënë se në të dyja festivalet filmi është në konkurrencë zyrtare.

“Pjesëmarrja e filmit në konkurrence zyrtare për filmin është tepër e rëndësishme, sepse përveç që dëshmon një kualitet të lartë kinematografik, është edhe promovim i ekipit artistik dhe gjithë kinematografisë kosovare që viteve te fundit ka shpërthyer me kualitet”, ka thënë ai.

Kabashi: Bota po njeh regjisorë dhe regjisore, aktorë e skenaristë nga Kosova

“Vera andrron detin” pas premierës që kishte të mërkurën e kësaj jave, është shfaqur edhe katër herë të tjera në Festivalin e Venecias, ku në total janë dhënë filma nga 59 vende të botës. Ka marrë vëmendje të madhe nga mediat dhe vetë platformat e Festivalit.

Përderisa barra e rolit kryesor i është besuar aktores shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Teuta Ajdini-Jegeni, audienca e festivalit të Venecies ka parë disa prej aktorëve më të mirë që ka Kosova, si Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj e të tjerë.

Rrëfimi sjell një grua 64-vjeçare, interpretuese e gjuhës së shenjave, e cila duhet ta sfidojë burrin e saj patriarkal për ta mbrojtur vajzën e tyre të cilën ai e ka zhbirësuar. Vera është e martuar me Fatmirin, një gjyqtar i pensionuar, në një martesë ku ai kontrollon gjithçka dhe ajo asnjëherë nuk e vë në pyetje autoritetin e tij.

Megjithatë, gjithçka ndryshon kur Fatmiri vendos ta ndajë trashëgiminë, në të cilën nuk i përfshin as gruan e as vajzën që e kanë rritur. “Vera...” zbërthen temën e trashëgimisë së pronës te femrat që është problematikë jo vetëm në Kosovë, por edhe në regjion e më gjerë. E kësisoj bëhet temë universale.

“Ne kemi mësuar se ligji nuk është asgjë dhe tradita duhet të provokohet që ta ndryshojmë. Ishte interesante që ta tregoj historinë e Verës në kushtet e ditëve të sotme. Sot në Kosovë vetëm 12 për qind të grave u ndahen pronat. Por, kjo nuk është veç çështje e Kosovës, por e gjithë botës”, kishte thënë regjisorja Krasniqi në Venecie.

Në fund të korrikut kur edhe është bërë me dije se “Vera...” është pjesë e garës, regjisorja Kaltrina Krasniqi kishte thënë se kineastët e rinj i kanë tri adresa në planet ku u intereson që të konkurrojnë filmat e tyre. Kishte përmendur Berlinalen, Cannes dhe Venecian.

“Pas shpërthimit të lëvizjes #metoo, gratë dhe grupet e tjera të margjinalizuara kanë filluar një dialog global mbi rrethanat e tyre politike e shoqërore; kjo lëvizje ka rikonfirmuar diçka që gratë e dinë që moti: pabarazitë me të cilat ballafaqohemi janë shumë të ngjashme prej këtu në Azi, SHBA e gjetiu”, kishte thënë Krasniqi, për të shtuar se vetëm nuancat kulturore krijojnë “njëfarë iluzioni të pavarësisë për gratë, njerëzit me ngjyrë dhe komunitetin LGBTQ+”. Krejt ato që i ka treguar janë të përfshira në projektin kinematografik që u dha në qytetin italian me 120 ishuj e 400 ura.

Të shtunën mbrëma, pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, aktori Astrit Kabashi që luan rolin e Ahmetit, ka thënë se çdo festival është përvojë në vete.

“Është shumë e rëndësishme që të përfaqësohemi në këto festivale të mëdha, pra në festivale të kategorisë ‘A’, siç janë ai i Cannes, Sundance, Berlinit, Rotterdamit e Torontos, sepse ne jemi një kinematografi e re, që çdo ditë e me shumë po rritemi dhe bota po njeh edhe krijues të rinj nga kjo kinematografi”, ka thënë Kabashi. Sipas tij, me përfaqësime të tilla, bota po njeh regjisorë dhe regjisore, aktorë e skenaristë nga Kosova.

“Pjesëmarrja për herë të parë e Kosovës në Festivalin e madh të Venedikut me filmin ‘Vera andrron detin’ besoj që u ka hapur rrugë edhe krijuesve të rinj dhe është edhe një motiv shtesë për të vazhduar të bëjmë filma të këtij niveli që janë bërë kohëve të fundit”, ka thënë ai.

Për “Vera andrron detin”, Qendra Kinematografike e Kosovës i ka ndarë 130 mijë euro me konkursin e vitit 2015.

Filmi është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Punëtoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions), i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.