Ngjarja e titulluar “Vendi im” edhe këtë vit mbledh emra të njohur të muzikës në një vend për të prezantuar një program me këngë që përfshijnë të gjitha trevat shqiptare. Koncerti synon të arrijë një numër më të madh të publikut duke i qëndruar besnik qëllimit kryesor që shqiptarët që jetojnë në SHBA t’i orientojnë tek vlerat e pasura të folklorit shqiptar, e traditën ta bëjnë më të pranishme te të rinjtë që jetojnë atje
Prishtinë, 12 shkurt - Kënga “Mallëngjimi” e kompozitorit Rashid Krasniqi është veç një vepër nëpërmjet së cilës zbërthehet malli për atdheun. E interpretuar nga artisti që jeton shumë larg vendit të tij të lindjes, kënga merr një tjetër dimension. Me interpretimin e kësaj kënge, baritoni kosovar që po bën karrierë në New York, Ergin Oda, në shkurt të vitit të kaluar kishte ngjallur mallëngjim për vendlindjen tek audienca shqiptare në “Scandinavia House Theatre” në New York. E kjo ka qenë veç një prej këngëve që është kënduar në kuadër të koncertit “Vendi im” që është organizuar për tre vjet radhazi në New York, ku me një program të pasur muzikor ka gërshetuar këngë të njohura të muzikës shqipe që janë kënduar ndër vite. Për artistët atje, kënga është mënyra më e mirë e kremtimit që mund t’i bashkojë shumë histori e përjetime në një vend. Kremtimi i festës së Pavarësisë së Kosovës me muzikë shqiptare përtej oqeanit tashmë është shndërruar në një traditë që nuk e pengon as pandemia. Ngjarja e titulluar “Vendi im” edhe këtë vit mbledh emra të njohur të muzikës në një vend për të prezantuar një program me këngë që përfshijnë të gjitha trevat shqiptare. Koncerti synon të arrijë një numër më të gjerë të publikut duke i qëndruar besnik qëllimit kryesor që shqiptarët që jetojnë në SHBA t’i orientojnë tek vlerat e pasura të folklorit shqiptar, e traditën ta bëjnë më të pranishme tek të rinjtë që jetojnë atje.
“Të gjithë bashkërisht, pavarësisht vendndodhjes, kemi kaluar nëpër ditë të errëta dhe një vit plot stuhi që na ka lënë emocionalisht të thyer dhe të distancuar nga realiteti. Tashmë kur jeta artistike është hermetikisht e izoluar, një ngjarje e tillë është nevojë shpirtërore”, ka thënë organizatori i kësaj mbrëmjeje, baritoni Ergin Oda.
Përkundër sfidave, organizatorët nuk janë zmbrapsur nga misioni i tyre për të krijuar një udhëtim muzikor nëpër këngët e njohura shqiptare. Veçse kësaj here kanë ndërruar destinacionin e mënyrën e depërtimit tek audienca. Koncerti do të mbahet në restorantin që shërben ushqime tradicionale shqiptare “Çka ka qëllu”. Ani pse me mungesë të publikut, koncerti këtë vit do të arrijë një audiencë më të madhe pasi që do të transmetohet virtualisht dhe përmes ekranit të Kohavisionit. Transmetimin virtualisht organizatorët e kanë quajtur si një dhuratë për të gjithë shqiptarët që të festojnë me këngë shqipe, me zërat shqiptarë që veprojnë shumë larg Kosovës. Ergin thotë se ky event nisi si nevojë për të promovuar melosin e pasur shqiptar dhe që komunitetit shqiptar atje t’i ofrohet një event dinjitoz që e ndërron mënyrën e kremtimit të një date siç është përvjetori i Pavarësisë së Kosovës.
“Ky koncert ka ardhur si nevojë emergjente për t’i rrënuar muret e dendura të turbo-folkut dhe mposhtjen e traditës që Pavarësia e Kosovës të festohet në klube e diskoteka e që manifestime të tilla mos ta gëzojnë primatin si evente qendrore për të festuar një ngjarje aq të rëndësishme siç është pavarësia e vendit”, ka thënë Oda për KOHËN.
Objekte që përfaqësojnë kulturën autoktone shqiptare gjenden kudo në enterierin e restorantit “Çka ka qëllu” në New York. Ky vend të cilin “The New York Times” e ka radhitur në mesin e dhjetë restoranteve më të mira për t’u vizituar, shërben ushqime tradicionale për vizitorët shqiptarë e të huaj. Ky është pikërisht vendi ku do të bëhen bashkë tingujt e artistëve shqiptarë me zërat më të dalluar atje. Në mungesë të ambienteve të artit dhe publikut, artistët programin e tyre do ta shpalosin në një hapësirë që përcjell frymën shqiptare në New York. Oda tregon se pandemia e ka cunguar projektin, por që kanë insistuar që edhe këtë vit të mos shkëputen nga tradita e këtij koncerti në mënyrë që ta nderojnë simbolikën e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
“Nga vullneti për ta nderuar historinë dhe për ta mbajtur gjallë traditën së bashku me kastin dhe ekipin nga prapaskena vendosëm për ‘Show Must Go On’, pavarësisht situatës në të cilën ndodhemi globalisht. Fakti që koncerti nuk zhvillohet në një teatër siç ndodh rëndom kur jeta rrjedh lirshëm, tregon mjaftueshëm me çfarë vështirësish po përballemi”, ka shtuar tutje Oda.
Koncerti këtë vit ka mbledhur një grup të artistëve të suksesshëm kryesisht shqiptarë, një pjesë e të cilëve janë të shkolluar më frymën e muzikës klasike dhe pjesa tjetër që prezanton këngën popullore nën frymën jazz dhe pop. Artistët shqiptarë dhe të huaj që do të prezantohen në këtë koncert, New Yorkun e kanë vend rezistence të zhvillimit artistik. Në këtë koncert do të interpretohen premierë disa këngë për audiencën virtuale. Aty do të interpretojnë kompozitori dhe pianisti i dalluar japonez Yasuhiko Fukuoka dhe emra të dalluar të muzikës shqiptare në Amerikë, siç janë baritoni Ergin Oda, violonçelistja e njohur Gjilberta Lucaj, violinistja Joana Kaimi, këngëtaret Mira Konçi e Lori Miho, kitaristi Faton Macula, fizarmonisti Klajdi Cerriku dhe balerina Akreoma Saliu. I gjithë eventi do të moderohet nga aktori Shpend Cani.
“Qëllimi themelor i koncertit është që komunitetin shqiptar që jeton larg trojeve shqiptare ta ushqejmë me këngën dhe muzikën e pastër shqipe. Në mungesë të muzikantëve profesionistë, ky komunitet është ushqyer me muzikë të egër, të parafinuar që nuk ngjan me asgjë shqiptare. Me ardhjen e një grupi artistësh profesionistë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia situata është shumë më e favorshme”, ka treguar baritoni kosovar. Organizimi i koncertit “Vendi im” synon të ketë shtrirje edhe më të gjerë në mënyrë që të promovojë sa më shumë vlerat e kulturës shqiptarë në Amerikë.
Koncerti do të transmetohet tek audienca më 26 shkurt përmes kanalit zyrtar të eventit “Vendi im” në Youtube dhe përmes ekranit të Kohavisionit duke filluar nga ora 21:00 dhe më pas do të transmetohet edhe në Radiotelevizionin Shqiptar RTSH, duke synuar kështu që koncerti të arrijë të transmetohet tek një numër sa më i madh i shqiptarëve që veprojnë kudo në botë.