Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Vehbi Kikaj – udhërrëfyesi për në botën e librit

Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të së Drejtës së Autorit, 23 prilli, zanafillën e ka te ditëvdekja e Shakespeareit e të Servantesit. Edhe në Prishtinë, kjo ditë, të premten u shënua me emra konkretë të letërsisë shqipe. “Ora për Shkrimtarin” iu dedikua Vehbi Kikajt, i cili sivjet do të festonte ditëlindjen e 80-të. Pos orës letrare, u përurua edhe katalogu i veprimtarisë së tij “Vehbi Kikaj në 80-vjetorin e lindjes”

Janë të përvitshme thirrjet anekënd botës se libri e leximi janë portat për një botë të pakufishme, por për nder të kësaj date, njëri prej aktiviteteve kryesore gjatë ditës në Prishtinë ka pasur shembull e emër konkret: Vehbi Kikajn. Ka përkuar me 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të mirënjohur për fëmijë. “Ora për Shkrimtarin” është titulluar aktiviteti i mbajtur të premten në bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, i konceptuar si orë letrare, ndërsa u promovua edhe katalogu “Vehbi Kikaj në 80-vjetorin e lindjes”. Studiuesit Xhevat Syla dhe Dije Demiri-Frangu bashkë me Fazli Gajrakun, drejtor i institucionit nikoqir, kanë risjellë vlerësimet për këtë shkrimtar dhe kanë evokuar kujtimet për të. E si “dëshmi” kanë lexuar disa prej poezive të Kikajt. Publikun e kanë dominuar kryesisht ata të cilëve Kikaj ia dedikoi thesarin e tij letrar: lexuesit e rinj.

Në katalogun e përuruar janë përfshirë 34 njësi bibliografike, nga ta 28 të shkrimtarit, pesë të përkthyer nga Vehbi Kikaj të autorëve të ndryshëm dhe libri i shkrimtarit Mark Krasniqi për Vehbi Kikajn.

Në promovim ishin edhe nxënësit e shkollës “Zenel Hajdini” të Lupçit të Poshtëm, që është vendlindja e shkrimtarit, si dhe nxënësit e shkollës “Faik Konica” në Prishtina. Katalogu vjen si një dëshmi se vepra e pasur e shkrimtarit Kikaj është vlerë e rëndësishme e letërsisë shqipe për fëmijë dhe e trashëgimisë letrare e kulturore në përgjithësi.

Në ngjarjen që mblodhi përfaqësues institucionalë, studiues e familjarë dhe të afërt të shkrimtarit, Vehbi Kikaj u vlerësua si autori që ka argumentuar se leximi i fantazisë së botës së fëmijëve, nëpërmjet gjuhës së letërsisë, motivon zhvillimin e tyre mendor, emocional, etik dhe estetik.

“Sa më shumë që e lexojmë autorin prej më të mirëve për fëmijë, Vehbi Kikaj, ne ndiejmë nevojën që të mos lirohemi nga kjo magji e kënaqësi e bukur e leximit dhe e rileximit. Të kujtojmë se jo vetëm leximi i shumë librave, por edhe leximi i dytë apo i tretë i një libri na jep një emocion e kënaqësi krejt të veçantë nga leximi që e kemi bërë më parë, prandaj nganjëherë edhe nuk mund t’i ikim dot leximit të dytë e të tretë të librit të mirë, siç mund ta marrim shembull njërën prej veprave të Vehbi Kikajt me vjersha e tregime ‘Shtëpia ime ka sy’ apo romanin ‘Sarajet e bardha’“, ka thënë drejtori i bibliotekës kombëtare, Fazli Gajraku, i cili me fjalën e tij edhe e hapi këtë organizim.

Edhe Panairi – kontrasti midis adhurimit të librit dhe festës që venitet Shtojca për Kulturë 1 muaj më parë Panairi – kontrasti midis adhurimit të librit dhe festës që venitet
Image
Për t’i parë nga afër të gjitha veprat e shkrimtarit Vehbi Kikaj, u hap edhe ekspozita me librat e tij (Foto: MKRS)

Kikaj, përveç krijimtarisë së tij për fëmijë, ishte përkujdesur t’u sillte fëmijëve edhe letërsinë e huaj, duke përkthyer veprat “Çipolino” nga Gianni Rodari, “Robinson Kruso” nga Daniel Defoe, “Pranë votrës” nga Angel Karalijçev dhe “Sikur të ishte hëna balonë” nga Ivan Cekoviq.

Studiuesja Dije Demiri-Frangu është marrë gjatë edhe me veprën Kikajt dhe është aktive në ngjarjet letrare. Sipas saj, “leximi krijon aftësinë e përjetimit të së bukurës dhe përjetimit të emocioneve të heronjve, pranimin e informacionit, aftësitë e pranimit të aventurave dhe bashkëjetesës së tyre bashkë me heronjtë” .

“V. Kikaj ua ofron fëmijëve të gjitha këto. Lexuesi fëmijë, me këtë rast, si individ me aftësi të niveleve të ndryshme, bën realizimin dhe observimin estetik brenda trekëndëshit të njohur vepër – autor – lexues, duke pasur mundësinë e shijimit të një niveli të dëshiruar, sepse bota e pasur emotive e personazheve të këtij romani ofron edhe mundësinë e përjetimit të bukur letrar”, është vlerësimi i përgjithshëm që ajo i bën artit letrar të Kikajt.

Sikurse njihet, edhe në këtë ngjarje, Kikaj u vlerësua si udhërrëfyes i gjeneratave të reja në Kosovë.

“Gjeneratat e reja në Kosovë kanë udhërrëfyes të shumtë për ta shoqëruar rritjen e tyre të shëndetshme dhe të pasur me shumë dije dhe dashuri për fjalën. Ndër këta udhërrëfyes të palodhshëm, Kosova ka autorin Vehbi Kikajn. Autori Vehbi Kikaj me një karrierë, që trasoi mbështetjen e vazhdueshme për letërsinë e fëmijëve, la një trashëgimi të pasur me shumë vlera për letërsinë tonë”, ka thënë Liburn Jupolli, këshilltar i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Për t’i parë nga afër të gjitha veprat e shkrimtarit, në kuadër të shënimit të kësaj dite, ishte edhe ekspozita me librat e tij në ambientet e kësaj biblioteke.

Shkrimtari Vehbi Kikaj u lind më 1942 në fshatin Lupç i Poshtëm të Podujevës. Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin Filozofik në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë, punësohet si mësues. Me pas, punoi si redaktor i faqes për fëmijë në gazetën “Rilindja” deri më 1968, kurse prej viti 1984 në revistën “Pionieri”. Prej atij viti e deri më 1986, kur vdiq, ishte kryeredaktor i revistës për kulturë, art e letërsi “Fjala”.

Është njëri nga shkrimtarët më të shquar për fëmijë. Për tridhjetë vjet të krijimtarisë së tij letrare shkroi rreth njëqind e tridhjetë poezi, shtatë tregime dhe një roman. Disa nga veprat e tij janë: “Shtëpia ime ka sy”, “Sarajet e bardha”, “Tri gëzime”, “Havakushi”, “Drandafili im”, “Lokja” dhe shumë të tjera. Për nder të tij, në kuadër të çmimeve të përvitshme letrare të Ministrisë së Kulturës, ndahet edhe ai “Vehbi Kikaj” për librin më të mirë për fëmijë.

Edhe Panairi i Librit – thirrja e përvitshme për lexim dhe refreni për kushte Kulturë 1 muaj më parë Panairi i Librit – thirrja e përvitshme për lexim dhe refreni për kushte

Në mbrëmje, po në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u kujtua një tjetër emër i madh i letrave shqipe: Ali Podrimja.

Dita Botërore e Librit dhe të së Drejtës së Autorit u shpall si e tillë më 23 prill nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim Shkencë e Kulturë – UNESCO, pasi që përkon me ditëvdekjen e William Shakespeare të Miguel de Servantesit.