Kulturë

Vdiq Sulejmon Haxhikadrija, piktori i brezave të parë

Jetën e tij, artisti Sulejmon Haxhikadrija do t’ia kushtonte pikturës e veprat e tij do të bëheshin frymëzim për brezat më pas. U takon brezave të pioniereve të artit pamor. Artin e tij do ta shtrinte qysh herët në krejt qendrat e Kosovës dhe jo vetëm. Piktori i shquar vdiq të hënën. Ai ishte 88 vjeç. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e të ndjerit.

Piktori Esat Valla, i cili ishte bashkëpunëtor e mik i afërt i të ndjerit, e ka konsideruar punën e Haxhikadrijajt si tejet serioze. Atë e ka kujtuar si krijues aktiv në skenën e artit pamor në vend.

“Si krijues njihet prej shumë vjetësh. Prej viteve '60 e këndej. Ka qenë i pari që ka marrë pjesë në ekspozita. Unë kam qenë një kohë kryetar i shoqatës në Gjakovë nga vitet 1980-1982. Ka qenë çdoherë prezent. Puna e tij shumëvjeçare që e ka bërë tërë jetën e tij ka qenë mjaft serioze”, ka thënë piktori Valla. Kolegun e bashkëqytetarin e ka vlerësuar si artist që kohëve të fundit ishte më i tërhequr.

“Ka qenë një prej piktorëve të vjetër gjakovarë që studimet i ka kryer në Zagreb. Ka qenë mjaft aktiv, por kohët e fundit ka qenë disi më i tërhequr”, ka thënë piktori Esat Valla.

Haxhikadrija u lind në Gjakovë më 20 janar 1936, ku edhe kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Shkollën e artit figurativ e kreu në Pejë në vitin shkollor 1959/1960. Ka studiuar në Akademinë e Arteve Figurative në Zagreb. Diplomoi në vitin 1964. Ishte bashkëpunëtor i Punishtes së Arteve Figurative te profesori Krsto Hegedushiq në Zagreb në vitin 1965 dhe 1966.

Ishte anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës prej vitit 1965.

Gjatë jetës, artin e tij e ka shpalosur në shumë ekspozita. Më 1956, 1957 dhe 1958 ka ekspozuar në Gjakovë, më 1956 në Deçan, më 1957 në Shkup, në vitin 1958 në Pejë. Po atë vit e një tjetër pas, kishte hapur ekspozitë në Mitrovicë e Prishtinë.

Në vitin 1996 veprat e tij kishin zënë vend në Prizren në galerinë e artit “Rada” dhe një vit pas në Pejë në galerinë “Europa”, ekspozitë jubilare me rastin e 40-vjetorit të veprimtarisë së tij artistike dhe atë me rastin e 60-vjetorin e lindjes. Sipas biografisë së tij, vitin 1998 ka ekspozuar në Gjakovë në kafegalerinë “Hani Kaqit”.

Ka qenë pjesëmarrës edhe në shumë ekspozita kolektive si në Beograd, Zagreb, Sarajevë, Tuzul, Suboticë, Banja Llukë, Pejë, Ferizaj, Prishtinë dhe kryesisht në të gjitha ekspozitat e përbashkëta të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës.

Për punën e tij profesionale dhe përkushtimin në profesion dëshmojnë edhe shpërblimet si ai i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës, ai i Shoqatës së Artistëve Figurativë në Prishtinë.

Shumë prej veprave të tij u bënë pjesë e muzeve të ndryshme në rajon. Ishte edukues i shumë gjeneratave e artist i përkushtuar në profesion.

“Të jesh artist i lirë, do të thotë që të gjithë jetën ta përshkojë arti, shkenca e kultura përgjithësisht. Arti kërkon njeri të plotë, njeri që me tërë qenien i përkushtohej”, do të thoshte piktori e akademiku Haxhikadrija për një të përditshme vendore kur ishte shpallur laureat i çmimit të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës.

Thoshte se arti duhet të jetë i sinqertë e i qartë për të hyrë në zemrat e njerëzve.

“Mjetet e jetës vijnë nga puna, nga veprat. Edhe veprat e mia po shpërblehen. Disa të tjera po shiten. A nuk është jetë e mirë ajo kur artisti brenda një viti siguron nga veprat afro 10 milionë dinarë? Mendoj se masat e gjera të popullit kanë filluar ta përqafojnë artin më shumë se kurdoherë. E kur arti flet me gjuhët e përgjithshme, kur është universal, kur është i qartë e i sinqertë, atëherë futet në zemrat e të gjithëve”, do të thoshte Haxhikadrija.

Ai ishte pjesëmarrës edhe në Koloninë e Artistëve Figurativë të Kosovës në Deçan dhe Grozhnjan. Më 1979 ishte bursist i Qeverisë së Francës, ku edhe kreu specializimin si piktor.

Poeti, eseisti e përkthyesi Mazllum Saneja, në vlerësimin e veprës së piktorit Haxhikadrija kishte shkruar se në krijimet e tij zbulohen kontrastet e jetës, portretet njerëzore, dhembjet e fshehura, vuajtjet, tronditjet e konfliktet e jetës.

“Në të e vështrojmë piktorin e devotshëm se si i ka mbetur konsekuent e besnik ambientit të vet, realitetit në të cilin qenëson pikurën njeriut të kësaj treve. Po aty zbulojmë vetë figurën e gjerë të piktorit: jetën e dhembjen e tij, etjen e vazhdueshme për jetën, dashurinë e pakufishme për njeriun, shpirtin e tij të pastër e të çiltër. Aty e gjejmë njeriun tonë – dramën e brendshme psikologjike të njeriut të kësaj treve, njeriun e shtypur e të varfër, po në shpirt të lirë e krenar”, kishte shkruar Saneja për veprën e profesorit Haxhikadrija.

Në fillim të këtij shekulli, kishte hapur edhe ekspozitën “Vizioni i Ri 2000+” në Gjakovë. Përfshinte 38 punime, kryesisht piktura dhe disa grafika që pasqyronin punën e tij për pesë vjet përkushtim për atë ekspozitë. Gazetari Blerim Valla shkruante se në punimet e tij paraqiteshin artistikisht shqetësimet e tij të brendshme të lidhura me fatin, vuajtjet e përjetimet e popullit që kalonte nëpër periudha tragjike.

“Me këto piktura, Kadrija gradualisht ka filluar të zhytet në pellgun e shprehjeve moderniste, apo në botën e simbolizmit, abstraksionit dhe të ekspresionizmit. Përmes gjuhë së pasur artistike, pastaj përmes koloritit të ngjyrave, sidomos të zezës, së kuqes, së bardhës, rrezaton arti dhe bukuria artistike e pikturave të Sulejmon Kadrisë”, shkruante gazetari Valla në “Koha Ditore” për ekspozitën retrospektive të piktorit.

Punimet “Studim”, “Autoportret”, “Plaku dhe drita”, “E pafajshmja”, “Koka e fshatares”, “Lulet”, “Portreti i femrës”, “Akti i shtrirë”, “Pasojat e fuqisë”, “Natyrë e vdekur” janë veç disa prej veprave më të njohura të piktorit Haxhikadrija. Duke hedhur ngjyra në to e jo vetëm, piktori do të ndërtonte karrierë të bujshme si njëri prej artistëve prijës në vend. Trupi i Haxhikadrisë do të varroset sot (e martë) në varrezat e qytetit në Gjakovë në orën 12:00.