Realiteti i sotëm kosovar me gjithë paragjykimet dhe format personale të interesit, është tema kryesore e romanit më të ri të shkrimtarit dhe studiuesit të letërsisë shqipe, Adil Olluri. “Vdekja i Omerit” është titulli i kësaj vepre letrare të shkrimtarit që njihet edhe për “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, si dhe për kritikë letrare.
“Vdekja e Omerit” në të vërtetë sjell vdekjen e dëshmisë duke portretizuar shoqërinë e sotme kosovare si dhe vetitë negative, duke nisur nga pabesia, paragjykimi e të tjera.
“Në roman ndodh vdekja e dëshmisë. E vërteta nuk tregohet në asnjë moment, se kush e vrau, pse e vrau varësisht prej këndeve të ndryshme të njerëzve se si e shohin, si e kanë parë atë apo se çka mendojnë apo se si ia fusin kot. Sikur e kanë në minimum empatinë për dhembjen e tjetrit. E përdorin dhe e keqpërdorin edhe vdekjen e të riut”, ka thënë Olluri, në përurimin e veprës së tij botuar nga “Onufri”, të premten në Panairit e Librit në Prishtinë. Ky ka qenë njëri nga pesë përurimet e ditës së katërt të Panairit.
Sipas Ollurit, edhe mënyra se si ai e ka thurur tregimin për vrasjen e Omerit përkon me karakteristikat e shoqërisë në Kosovë.
“Në këtë roman personazhet më shumë bëjnë monologë sesa dialogojnë ashtu siç është edhe shoqëria jonë. Ne më shumë jemi shoqëri e monologëve sesa e dialogimit”, ka thënë ai.
Edhe
“Grue prej zjermi” në rrëfimin e sinqertë ku rilind pasioni
Qëllimi i tij kryesor, teksa po e shkruante këtë roman ka thënë të ketë qenë “që të bëjë një roman që të jetë në planin tematik dhe gjuhësor estetik ndryshe nga romani ‘Bartësi...’”, që është botuar më 2015 dhe ribotuar në Tiranë më 2020, dhe ai beson se ia ka dalë.
Duke shpjeguar mënyrën e ndërtimit, Olluri ka treguar edhe për dallimin midis romanit të tij të parë, “Bartësi i shpirtrave të përzënë” dhe atij të riut, “Vdekja e Omerit”, “sepse te ‘Bartësi’ megjithatë ka ekzistuar një linearitet i rrethimit, një ngjarje e cila është e lidhur me njëra-tjetrën, ndërsa këtu nuk ka një linearitet, ka logjikën e rrëfimit të fragmentarizuar”.
Studiuesja dhe poetja Blerina Rogova-Gaxha, duke folur për romanin e Ollurit, ka thënë se “ndoshta ky rrëfim është një protestë kundër këtij realiteti të sotëm”.
Fabula e romanit e cila flet për vdekjen e Omerit në të vërtetë është ndërtuar mbi një alegori, mbi atë të njerëzve të ligj.
“E gjithë storia duket se është një rrëfim për Omerin, por realisht është një rrëfim për Mujin, ndikimin apo personazhin e lig që ai përfaqëson. Një soj të njerëzve të shoqërisë sonë, njeriut të pushtetit, njeriut të fuqisë, të parasë, njeriut që i vret njerëzit në mënyra të ndryshme çdo ditë, njeriut që ua mbyll udhët njerëzve të tjerë dhe njeriut, i cili nuk ndalet para askujt dhe para asgjëje kur bëhet fjalë për të mirën e vet. Ky është Muja i Adil Ollurit, është Muja i kohës së vet”, ka thënë ajo.
Sipas Rogova- Gaxhës, vepra e Ollurit, qysh në titull ngre një temë ndër më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet e letërsisë shqipe.
“Vetë titulli ‘Vdekja e Omerit’ na çon te një temë shumë e madhe dhe e rëndësishme letrare siç është vdekja. Faktikisht, siç na çon vdekja te tema e madhe e letërsisë ashtu na çon edhe Omeri te këngët legjendare shqipe apo te figura e Omerit, birit të Mujit”, ka thënë ajo.
Në fund, duke pasur parasysh veçanërisht romanin “Vdekja e Omerit”, ajo ka tërhequr vërejtjen edhe te paragjykimet e shoqërisë kosovare, për veprat e reja letrare, duke thënë së në të vërtetë letërsia shqipe prodhon vepra të mira si në prozë ashtu dhe në poezi e në dramë.
“Shpesh thuhet se letërsia e sotme nuk shkruhet, nuk shkruhet bukur por në fakt nuk lexohet, sepse nëse lexohet e kuptojmë se ka vepra shumë të mira në prozë, vepra të bukura me poezi, dramë. Ne e dimë se lexojmë pak apo nuk kemi një kulturë të madhe leximi por nganjëherë kur ka botime të reja si vepra e Adilit, i cili prek edhe fenomenin e paragjykimit të madh ndaj një ngjarjeje, një ndodhie, por edhe përfoljen e madhe të një fenomeni pa e njohur faktikisht, apo edhe frikën që kemi ne si njerëz për ta thënë të vërtetën”, ka thënë ajo.
Edhe
Drama e identitetit dhe qëndresës në kohë shtypjeje
“Dhoma pa mure” e gazetares së RTSH-së, Arta Marku, ka qenë një tjetër titull i përuruar të premten.
Marku, e cila “ka dorë” edhe në një tjetër vepër të përuruar në Panair të enjten, “Letrat e mia kredenciale” një rrëfim me Arta Markun të Besnik Mustafajt – ka një përvojë të madhe në intervistimin e shkrimtarëve të ndryshëm shqiptarë. Këto intervista ajo ka dashur që t’i hedhë në letër dhe t’i botojë me titull “Dhomat pa mure”. Në veprën voluminoze me diku rreth 600 faqe, Marku ka futur intervistat me 17 shkrimtarë përfshirë, Fatos Kongolin, Visar Zhitin, Helena Kadarenë, Besnik Mustafajn, Rudolf Markun e të tjerë.
“Ne kemi pasur në Tiranë një gazetë shumë të njohur letrare, gjatë viteve të diktaturës, gazeta ‘Drita’. Atëherë, dikur në vitet ‘80 kur e lexoja, ishte me të vërtetë një dritare e jashtëzakonshme. Aty unë kam rënë për herë të parë në kontakt me intervistat e shkrimtarëve dhe e kuptova se më pëlqenin shumë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, leximi i intervistave të shkrimtarëve është një plotësim i veprave të tyre.
“Unë për vete isha shumë kureshtare dhe mendoja pa dyshim se ka edhe të tjerë si unë. Ti e pasuron atë që ke lexuar përmes intervistës. Ato që thotë shkrimtari janë të jashtëzakonshme, janë pasuruese. Kush lexon, kush ka pasion leximin pa dyshim se informacioni që e merr përmes intervistave të shkrimtarëve do ta konsiderojë të rëndësishme”, ka thënë ajo.
Promovimi i librit” “Dhoma pa mure”, ngjashëm me veprën, vazhdoi me pyetje të cilat u bënë nga studiuesi dhe profesori i letërsisë, Ag Apolloni.
Apolloni i cili edhe vetë është shkrimtar, e pyeti Markun
nëse ka ndonjë shkrimtar të cilin do të dëshironte ta intervistonte përsëri dhe ndonjë që nuk do të dëshironte ta takonte kurrë, ka qenë njëra prej pyetjeve të Apollonit.
“Ka shkrimtarë të cilët nuk kam dashur më t’i takoj, mezi kam pritur ta mbaroj intervistën dhe ka shkrimtarë që mund të kenë pasur një libër të jashtëzakonshëm, mund të më ketë pëlqyer shumë libri i tyre”, ka thënë ajo.
Edhe
“Ikja si zgjidhje” letrare e Ibrahim Kadriut
Apolloni ka thënë se tani që intervistat e Markut kanë dalë edhe në formë fizike, ato do të mund t’u shërbejnë edhe studiuesve dhe njohësve të veprave të shkrimtarëve, të cilët janë intervistuar brenda saj.
Panairit të 22-të të librit “Prishtina 2022” tashmë i kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri në përfundim. Në kuadër të tij, të shtunën bëhet ndarja e çmimeve tradicionale.