Kulturë

Vallëzo i qetë, Ahmet Brahimaj!

Kur folëm në telefon për herë të fundit, para disa javësh, folëm për gjithçka, por më së shumti për pranverën, të cilën ai po e sodiste tek vinte prajshëm në vendlindjen e tij, në Novosellë të Pejës, atje ku po qëndronte këtë kohën e fundit. Folëm për gjethet, për lulet, për drunjtë, folëm për jetën…

E njihja që pas luftës, por e njoha më mirë dhe më për së afërmi tek në vitin 2008, kur nisa punën në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ai ishte në mes të një beteje këmbëngulëse për fuqizimin e trupës së baletit, që asokohe ishte pjesë përbërëse e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ishte mes një beteje të gjatë, që shpesh dukej edhe e pashpresë. Sepse trupa e baletit, sado që në shtëpi të saj në atë teatër, asnjëherë nuk ishte bërë të ndihej në shtëpi të vet. Ahmeti, megjithatë, nuk dorëzohej; herë më dashamirësi e herë me vrull emocional, por më së shumti me punë të palodhur artistike e menaxheriale, krijonte miq e aleatë të cilët i bindte për nevojën për më shumë hapësirë për trupën e baletit dhe për më shumë balet.

Mes ndërskëmsave të brendshme që i bëheshin shpesh, mes injorimit të politikës, që mbështetjen e trupës së baletit e konsideronte vetëm barrë, dhe mes mungesës së hapësirës reale në atë teatër, ai ishte vënë në ballë të një beteje që synonte të krijonte një institucion baleti për të qenë. Sepse e donte baletin, e donte punën që bënte. Dhe nuk dorëzohej sepse nuk ishte vetëm – tashmë, mbrapa kishte mbi 20 balerinë të cilët ishin si një ushtri që me bindje i shkonin pas atij vizioni për një të ardhme më të mirë për baletin e Kosovës. Pas disa vjetësh punë të palodhur, kishte krijuar një trupë balerinësh të përkushtuar, të cilët, para se për hapat në skenë, kishin mësuar për disiplinën dhe për përkushtimin ndaj punës.

Tragjizmin që ndjek balerinët për shkak të paaftësisë për t’u ngjitur në skenë në një moshë më të shtyrë, Ahmeti e mposhti me aktivizimin për ta formuar institucionin e baletit. Dhe ai është një shembull suksesi, një shembull inspirues që shpresoj se do të ndiqet nga krijues të tjerë, e sidomos nga balerinët e tij, të cilët ai vërtet i deshi dhe i trajtoi si fëmijë. Gati në një mënyrë të njëjtë siç i donte dhe i edukonte studentët e tij Faruk Begolli.

Dhe kështu, tani, kur ai iku nga kjo botë, ngriti dhe mbrapa la jo më një trupë baleti dosido, por një institucion që tani quhet Baleti Kombëtar i Kosovës. Që s’është vetëm një ngrehinë administrate e thatë letrash, por një institucion që brenda një viti realizon deri nga katër premiera baleti. Dhe që mban repertor të rregullt përgjatë tërë sezonit. La një trupë balerinësh të përgatitur, kompaktë dhe të aftë të luftojnë për kauzën për të cilën ai luftoi krejt jetën; dinjitet dhe dashuri për baletin. Dhe la me qindra e mijëra miq, bashkëpunëtorë, dashamirës të teatrit dhe publik entuziast e të etur për shfaqjet e baletit. Dhe të gjithë neve na la më të fisnikëruar nga ato dhjetëra shfaqje baleti që i kemi parë e shijuar gjatë këtyre viteve.

Megjithatë, iku herët. Pas krejt atij vrulli pune, për mbi dyzet vjet, ai tani duhej t’i shijonte i qetë frytet e mira të punës e angazhimit të tij. Prandaj, ikja e tij është kaq tragjike, kaq e trishtë.