Gjatë rrënimit të një shtëpie të vjetër në fshatin Ravna në Serbi, në themelet e saj, si material ndërtimor janë gjetur fragmente të një monumenti mbivarror, disa fragmente të dekorimeve arkitektonike dhe pjesa e epërme e një altari në të cilin është ruajtur pjesa vijuese e mbishkrimit:
[MARTI]
CAMPESTRI
EQVIT PRO
që lexohet: Campestri/ equitum pro/salute... dhe përkthehet: (hyjit) Kampestrit kalorësiak, për shëndetin e…
Bie në sy fakti që emri i hyjit të cilit i kushtohet altari nuk përmendet decidivisht, por ceken vetëm epitetet e tij, ndërsa emri i hyjit Mars (Marti në rasën dhanore) nënkuptohet vetvetiu për shkak të epiteteve të cekura të cilat janë lehtë të identifikueshme, siç është rasti edhe në disa monumente të tjera të kushtuara Marsit.
Në përfundim të pjesës së ruajtur të këtij mbishkrimi fjala e fundit është - pro... që pa dyshim është fillim i formulës: pro salute domini nostri ose dominorum nostrorum dhe ka të bëjë me një ose më shumë perandorë njëkohësisht (Severi et Antonini augusti ose Antonio Gordiano augusto).
Edhe pse mungojnë të dhënat për shëndetin e kujt ishte ngritur ky altar dhe kush e kishte ngritur atë, në bazë të analogjive mund të supozohet që monumenti ishte ngritur për shëndet të ndonjërit nga perandorët të cilët përmenden edhe në mbishkrimet e monumenteve të tjera të gjetura këtu dhe se altarin e kishte ngritur ndonjë pjesëtar i Cohors II Aurelia Dardanorum ose ndoshta edhe i tërë ky njësit dardan në përbërje të ushtrisë romake.
Vendzbulimi i monumentit
Fragmentet e monumenteve në fjalë në fshatin Ravna, i cili gjendet 8 kilometra larg Knjazhevacit, janë sjellë nga lokaliteti i afërt antik, i njohur me emrin Timacum minus.
Përndryshe nga mbetjet e këtij vendbanimi antik, banorët e fshatit Ravna dhe të vendbanimeve fqinje kanë marrë gurë e monumente të ndryshme të periudhës antike (stela mbivarrore, altarë, bazamente, elemente arkitektonike e tjera) të cilat i kanë përdorur si material ndërtimor, ndërsa monumentet mbivarrore antike, pas shekullit III kur kishte pushuar së përdoruri nekropola (varrezat), kishin filluar të përdoren edhe për përforcime e rindërtime të mureve të fortifikatës Timacum minus.
Timacum minus ishte pika më verilindore e Dardanisë dhe gjendet në fshatin Ravna, buzë lumit Timoku i Bardhë (Beli Timok). Gërmimet e deritashme arkeologjike kanë dëshmuar se ky rajon ishte i banuar që nga kohët parahistorike, e deri në periudhën mesjetare.