Kulturë

“Urdhri i Palmave Akademike” për promotoren e kulturës frankofone

Përkushtimi i saj për gjuhën frënge e kulturën franceze, veprimtaria letrare e aktiviteti publik në promovimin kulturës frankofone dhe të drejtave të njeriut, kanë bërë që shteti francez të jetë mirënjohës për Nerimane Kamberin.

Profesoresha e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, për kontributin e saj, të enjten mbrëma është dekoruar nga shteti francez me “Urdhrin e Palmave Akademike”. Kamberi, që ligjëron lëndët Poezia e shekullit XX, Hyrje në përkthim, Drama e shekullit XX, Qytetërim frëng” e disa lëndë të tjera, dekoratën e ka pranuar në rezidencën e ambasadores së Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel.

Kjo dekoratë ishte krijuar me 17 mars 1808 nga Napoleon Bonaparta për të nderuar rrugëtimet e burrave dhe grave që janë dalluar në universitetet franceze. Por që nga Lufta e Parë Botërore “Urdhri i Palmave Akademike” mund t’u akordohen edhe të huajve e francezëve që jetojnë jashtë vendit e që kontribuojnë në prezantimin e kulturës franceze në botë.

“Sonte kemi të bëjmë me shpërblimin e grave dhe burrave, pa të cilët Franca nuk do të ishte kjo që është sot. Bëhet fjalë për një komunitet të shumëfishtë me kultura e tradita të ndryshme, por që ka ditur të ruajë e të ndajë gjuhën frënge, t’i ruajë vlerat, si liria e barazia, të cilat ju zonja Nerimane i keni mbrojtur në mënyrë serioze”, ka thënë ambasadorja Butel. Ajo i ka thënë Kamberit se është një grua që ka punuar për vlera e për këtë Franca i është mirënjohëse.

Ambasadorja Butel ka shpalosur para të pranishmëve që ishin familjarë e kolegë të Kamberit, një pjesë të biografisë e kontributit të saj. Ka thënë se Kamberi u lind në Preshevë për të emigruar bashkë me familjen në Belgjikë në moshën dyvjeçare.

“Përderisa gjuha shqipe e turke janë folur në shtëpinë tuaj, së shpejti keni pasur një simpati për gjuhën frënge. Në moshën 14-vjeçare keni shkruar romanin e parë në frëngjisht ‘Anjeza dhe doktor Simoni’”, ka thënë ambasadorja Butel. Ka treguar se Kamberi në moshën 20-vjeçare u kthye në Kosovë, ku studioi në Fakultetin e Filologjisë e që më 1991 është ligjëruese në Universitetin e Prishtinës. Më pas më 2013, ka marrë gradën e profesorit asistent, duke ligjëruar për poezinë e teatrin francez të shekullit XX. Në vitin 2012 Kamberi është bërë doktor shkence me temën “Pranimi i veprave të Kadaresë” në Francë. “Ka përkthyer shumë vizita të zyrtarëve francezë në Kosovë, duke nisur nga ish-presidenti Jacques Chirac. Ka punuar për disa media franceze që njihen gjithandej botës”, ka thënë ambasadorja Butel.

Ajo ka përmendur se gjatë luftës në Kosovë, Kamberi ka promovuar të drejtat e njeriut.

“Gjatë kësaj kohe dhe në kuadër të punës që keni bërë keni arritur të hartoni raporte për situatën dhe keni mbledhur dëshmi duke luajtur një rol të rëndësishëm si përkthyese në terren”, ka thënë Butel. Sipas saj, angazhimi i Kamberit për gjuhën frënge është treguar herët duke shkruar në gjuhën frënge. Ka përmendur se ajo është autore e veprave “Anjeza dhe shtatë pikturat”, i përmbledhjes me poezi ”Xhinset e grisura” që ishte botuar në edicionet e “Rilindjes” më 1991, më 2006 kishte botuar veprën “Një ditë ndoshta” e më 2019 përmbledhjen me reportazhe “Hotel Grandi” botuar nga “Botimet KOHA”.

“Falë talentit tuaj jeni një aktere e rëndësishme e frankofonisë në Kosovë. Interesi juaj për gjuhën frënge dhe vullneti për t’i bashkuar njerëzit e kulturat ju bëjnë një kosovare frankofone që angazhohet në mbrojtjen e paqes dhe tolerancës në të mirë të popujve. Me ‘Urdhrin e Palmave Akademike” ua shpreh mirënjohjen që Franca ka për ju”, ka thënë ambasadorja Butel.

Profesoresha Nerimane Kamberi ka qenë goxha e emocionuar gjatë ceremonisë e sidomos gjatë fjalës së saj. Ka thënë se kultura franceze për të është një pasion.

“Siç e thotë etimologjia, pasioni të bënë të vuash. Kjo më bën të ndryshme, por e ndiej si një vlerë dhe madje si një vlerë të shtuar. Këtë pasion mundohem t’ua përcjellë studentëve të mi çdo ditë”, ka thënë ajo. Kamberi ka falënderuar familjarët e të pranishmit. Ka thënë se i është mirënjohëse shtetit francez për dekoratën dhe ka uruar që presidenti aktual i Francës, Emanuel Macron, “ta vizitojë Kosovën e ajo të përkthejë për të”.