Kulturë

“Ura” e dramaturgut nga Kosova inskenohet në Zenicë të Bosnjë-Hercegovinës

Drama që eksploron se çfarë ndodh kur një urë e prishur ndan njerëzit do të jepet premierë në Teatrin Kombëtar Boshnjak në Zenicë, në kuadër të edicionit të gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar për Teatër Edukativ. Ideja për shfaqje kishte lindur nga lufta në Kosovë dhe shërben si frymëzim për të rinjtë që ta formësojnë të ardhmen e botës së tyre

Prishtinë, 9 dhjetor – Regjisori anglez David Gothard, i pari që e vuri në skenë dramën për fëmijë “Ura” të Jeton Nezirajt këtu e 13 vjet më parë, e kishte cilësuar atë si një vepër që arrin në përfundim të lumtur nëpërmjet së vërtetës e cila e maskon identitetin dhe dallimin e rrejshëm. Tani, të njëjtin tekst do ta vënë në skenë edhe dy regjisorët nga Bosnja, Mirolub Mijatoviq dhe Ermina Nishiq. Shfaqja “Ura” pritet të ketë premierën më 13 dhjetor, në Teatrin Kombëtar Boshnjak në Zenicë, në Skenën për të rinj, fëmijë e kukulla.

Drama “Ura” për herë të parë u inskenua në shtator të vitit 2007 nga Qendra për Zhvillimin e Teatrit për Fëmijë dhe Teatrit Profesionist të Prizrenit. Shfaqja në Bosnjë jepet në kuadër të edicionit të gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar për Teatër Edukativ (IFET). Teatri Kombëtar Boshnjak në Zenicë ka një traditë shtatëdekadëshe. Vazhdimësi e “Teatri Pioneri”, themeluar më 1951, më 1978 kishte marrë emrin si “Skena për fëmijë” dhe më vonë në vitin 1998 si “Skena për fëmijë dhe të rinj”, e që nga viti 2005 ka emrin që e mban sot.

Regjisori Miroljub Mijatoviq, në konferencën për media që është mbajtur të mërkurën, citohet të ketë thënë se në “Most” (“Ura”) do të luajnë pesëmbëdhjetë artistë të rinj, anëtar të Skenës për të rinj, fëmijë e kukulla. Sipas tij, teksti i Jeton Nezirajt i ngjan “Romeo dhe Zhulietës” së Shakespeareit për nga simbolika e urës në rrethana lufte, por e dëshirës për të mbizotëruar dashuria që i hap rrugë pajtimit midis banorëve të fshatit.

“Këta të rinj i kanë bashkuar forcat e tyre për të biseduar për ato që u pengojnë... Për të na treguar për frikën me të cilën përballemi, për pritshmëritë dhe sigurisht për të qenë brenda asaj që ne e quajmë mësim ndërkulturor dhe për t’u përballur me paragjykimet”, ka thënë Mijatoviq, i cili bashkë me Ermina Nishiqin kanë bërë adaptimin e tekstit, si dhe kanë zgjedhur skenografinë, kostumet dhe muzikën.

“Ura” ka për kryepersonazhe dy të rinj, një vajzë dhe një djalë, të cilët ndiejnë simpati për njëri-tjetrin, mirëpo nuk dinë se si ta shfaqin, derisa një ngjarje e tmerrshme ndodh në fshat.

“Tragjedia është e lidhur me urën, por këtu ura nuk është vetëm një objekt fizik, por një metaforë për gjithçka që na lidh, e të cilës ne duhet t’i kushtojmë rëndësi. Unë mendoj se ata e kuptuan se çfarë përfaqëson kjo në shfaqje dhe këta artistë të rinj në fund të shfaqjes ia arrijnë të na tregojnë se çfarë me të vërtetë mendojnë”, ka theksuar Mijatoviq. Ai ishte menaxher i Skenës për të rinj, fëmijë dhe kukulla në Teatrin Kombëtar Boshnjak në Zenicë që nga fundi i sezonit 2004/05 deri në fillim të këtij viti, kur u bë drejtor i këtij institucioni.

Regjisori e dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë për KOHËN se drama “Ura” në Bosnjë e Hercegovinë është botuar para disa vitesh, përkthyer nga Fadil Bajraj.

“Për këtë inskenim që po i bëhet dramës nuk isha i njoftuar. E kuptova në internet. Megjithatë, mirë që po e inskenojnë dhe mirë që teatri edhe atje ka filluar të hapet e të funksionojë, sado që në rrethana të pandemisë”, ka thënë ai.

Bashkëregjisorja Ermina Nishiq ka qenë anëtare e trupës së Teatrit Kombëtar Boshnjak në Zenicë, qytet rreth 70 kilometra nga Sarajeva, që prej vitit 1984 deri më 1995. Vazhdon të jetë bashkëpunëtore. Në edicionin e kaluar të Festivalit Ndërkombëtar për Teatër Edukativ, ajo fitoi çmimin për aktoren me të mirë për lojën e saj në “Wave of Cold Time”.

“Drama ‘Ura’ e Jeton Nezirajt është publikuar para dhjetë vjetësh në revistën për edukim dhe teatër ‘Tmača Art’ nga Mostari. Në fakt, në kuadër të një forumi për dramaturgë nga Ballkani, një grup i të rinjve nga shkollat e mesme dhe studentë në Zenicë, që takoheshin në kuadër të ‘Studios së dramës’ të Teatrit Kombëtar Boshnjak në Zenicë, kishin lexuar këtë tekst dhe disa të tjerë”, ka thënë Nishiq për KOHËN. Ka treguar se pasi që teksti ishte pëlqyer, kishin vendosur ta inskenonin.

“Ata e shihnin veten e tyre në tekst, pasi që në një formë flet edhe për atë të cilës edhe i ekspozohet Bosnjë-Hercegovina. Po ashtu flet për dallimet, paragjykimet, hipokrizinë, kulturën dhe për gjithçka që kërcënon konceptin e njohjes ndërkulturore”, ka thënë ajo.

Drama, deri më tani, është inskenuar nëpër vende të ndryshme, si në Gjermani e Amerikë. Në Bosnjë për herë të parë u vë në skenë në vitin 2008, në kuadër të Forumit të Dramaturgëve të Teatrit “EPICENTER”, që u mbajt në Mostar, prej 23 deri më 26 prill të atij viti. Shfaqja "Ura" ishte pjesë e projektit “ARROW”, që është impelmetuar në Kosovë gjatë viteve 2007-2008. “ARROW” (www.art-peace.co.uk) është një projekt ndërkombëtar që ka për qëllim të përdorë artin dhe kreativitetin si një burim për pajtim në botë.