Vepra “Unknown soldier” tashmë ka zënë vend në parkun e lagjes “Dardania” dhe pret inaugurimin. “Quhet ‘Ushtari i panjohur’, për ta ngacmuar epitetin si ‘ushtare’ ose ‘burrneshë’”, ka thënë skulptori Burim Berisha për veprën e tij, së cilës ia ka dhënë edhe mundësinë e interaksionit me publikun, i cili ka mundësi të futet brenda skulpturës duke ndier akustikën e saj
Në portretin e gruas vijat janë gjurmë jetësore, të cilat ia shtojnë qëndrimin hijerëndë. Çdonjëra është histori më vete. Dominojnë paragjykimet e shoqërisë dhe tentativa për ta neglizhuar. Gruaja shndërrohet në kult të rrëfimit dhe të forcës. Ky është koncepti i skulpturës së Burim Berishës, e cila del nga këndvështrimi fizik e seksual.
“Unknown soldier” jep mesazhin te publiku me pozicionim në lagjen “Dardania” në Prishtinë përmes interaksionit me audiencën. Këtë e bën pikërisht duke qenë një pjesë e saj e hapur për të hyrë publiku në të, e aty mund të ndihet edhe akustika e veçantë brenda skulpturës.
“Quhet ‘Ushtari i panjohur’, për ta ngacmuar epitetin si ‘ushtare’ ose ‘burrneshë’. Gruaja nuk ka nevojë të ketë epitete mashkullore, duhet të jetë e fortë, e fuqishme, të shtyjë përpara proceset, ku edhe kanë arritur të jenë edhe nivele më të mëdha shtetërore pavarësisht vështirësive”, rrëfen Berisha për KOHËN.

“Gruaja në pozicionin e tanishëm është në gjendje jo të mirë edhe pse ka zhvillim”, kishte qenë nisma kryesore për skulpturën
Pavarësisht që “ushtari” në emërtim qëndron për shpërfaqje të brishtësisë e fuqisë së gruas pa nevojën e epiteteve mashkullore, “i panjohur” është aty për një dimension tjetër.
“I panjohur’ është sepse kontributi i grave në shoqëri fshihet, nuk tregohet, nuk njihet. Shihet si punë minimale, por aty është baza kryesore e zhvillimit të shoqërisë, si në luftë, si në paqe është i jashtëzakonshëm dhe i barabartë me këdo”, ka thënë autori që veprën e trajton si mirënjohje ndaj grave.
Edhe
E bukura e përjetshme e Fadil Berishës që s’njeh kufij
Mirëpo këtë emërtim në botën e artit e hasim edhe te skulptura në Tiranë, e cili është dedikim për ushtarët e rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Skulptura shfaqet me dy personazhe, ku njëri mban një fëmijë të plagosur, i cili është viktimë e terrorit fashist. E njëjta kishte qenë simbol i qytetit të Gjilanit që nga viti 1963, e që u hoq më 2017, nxiti reagim për ta rikthyer, premtime për një tjetër lokacion por që s’u realizua asnjëra prej tyre.
Kur Berisha pyetet për ndërlidhjen e emërtimit të këtyre dy veprave, thotë se ai preferon t’i qaset veprës së tij në gjuhën angleze, “Unknown soldier” . Kjo pikërisht për faktin se në gjuhën angleze “soldier” nuk ka gjini dhe nuk përcaktohet si në gjuhën shqipe vetëm në aspektin mashkullor – ushtar. Ai përmend se përderisa ky emërtim i monumentit të vjetër ishte përdorur për ushtarët e vdekur në luftë, ai e përdor për ushtaret kontributi i të cilave nuk njihet edhe aq.
“Gruaja në pozicionin e tanishëm është në gjendje jo të mirë edhe pse ka zhvillim”, kishte qenë nisma kryesore për skulpturën e cila shpërfaq hartën emocionale të grave në rrafshe të ndryshme. “Është një prej punimeve të mia më të hershme, kryesisht me qasje për gjurmët e jetës që shfaqen në fytyrat e njerëzve edhe në këtë rast e kam trajtuar kontributin e gruas në shoqëri, duke pasur parasysh që në këtë skulpturë jam munduar t’i përdor disa elemente ndoshta ndryshe prej formave skulpturale që i kemi parë deri tash”, thotë ai, teksa dimensionet më të mëdha prej 3 metrash, forma e modelimit, akustika janë karakteristikat e saj.

Pavarësisht që “ushtari” në emërtim qëndron për shpërfaqje të brishtësisë e fuqisë së gruas pa nevojën e epiteteve mashkullore, “i panjohur” është aty për një dimension tjetër
“Akustika e interaksioni janë në pjesën anash ku njerëzit mund të hyjnë brenda dhe akustika formohet sipas formës. Nëse pak meditojnë, njerëzit mund ta dëgjojnë edhe frymëmarrjen e tyre, që i bie bëhemi një me problemet e gruas, sepse ato probleme ndërlidhin dhe kanë efekt në gjithë shoqërinë”.
Ai tregon se është kundër shpjegimit të konceptit, sepse, sipas tij, njerëzit e transmetojnë sipas kapacitetit të tyre.
“Është e veshur nga format estetike që tentojnë ta shfaqin vetëm bukurinë e gruas. Kam dashur ta shfaq më shumë pjesën e komunikimit”, shprehet artisti.
Lokacioni është vendosur nga Komuna e Prishtinës si përkrahëse e veprës, e cila është pikërisht në sheshin “Xhevë Llazdrovci” në lagjen “Dardania”.
“Nuk është e menduar paraprakisht si lokacion, por është vendosur nga Komuna dhe afër sheshit ‘Xhevë Lladrovci’. Përshtatet me gruan dardane dhe kontributin e një gruaje si Xheva”, tregon autori për veprën prej poliesteri e fibra xhami.
Edhe
Gratë pa shami në krah të regjimit, nacionalizmi i ri që po ndërton Irani
Vepra është vendosur në lokacion më 8 mars, teksa ekspozimi final i saj do të ndodhë pas 21 marsit, atëherë kur do të finalizohen ndriçimi dhe rregullimi në park.
Skulptura “Ushtari i panjohur” është përkrahur nga Komuna e Prishtinës me 7 mijë euro në kuadër të subvencionimeve të projektit “Art në hapësirë publike” në thirrjen publike për art vizual – figurativ, botime, kinematografi, teatër. Vepra është përkrahur për qëndrim të përkohshëm në këtë lokacion.