Ministri i Kulturës i Ukrainës, Oleksandr Tkachenko, është ankuar për serialin “Emily in Paris” të Netflix, për shkak të portretizimit të një personazhi nga Kievi në këtë serial.
Në sezonin e fundit të këtij seriali, Petra, një ukrainase, vjedhë në një dyqan gjatë një udhëtimi me personazhin kryesor, që është Emily – e reja amerikane, e cila udhëton në kryeqytetin e Francës për punë, rol të cilin e luan Lily Collins.
Ministri Tkachenko e përshkroi imazhin e Petrës si "fyes".
"Në Emily në Paris, ne kemi një imazh karikator të një gruaje ukrainase që është e papranueshme. Është gjithashtu fyese", shkroi Tkachenko në Telegram.
Sipas mediave ukrainase, Tkachenko i ka dërguar një letër shërbimit të transmetimit duke u ankuar për portretizimin e Petrës.
Nuk është hera e parë që ky serial kritikohet për portretizimin e kombësive të ndryshme. Kur u publikua sezoni i parë, ai u kritikua, veçanërisht në Francë, për promovimin e imazheve stereotipike të qytetit dhe banorëve të tij.
Ai i portretizon francezët si njerëz të vrazhdë që veshin beretë dhe shpesh tradhtojnë partnerët e tyre. Ndërsa, në sezonin e dytë të serialit shfaqet Alfie, një britanik që e kalon kohën duke pirë nëpër pijetore dhe duke shikuar futboll.