Kujtim, tri premiera botërore e frymë ndërkombëtare ishte koncerti i Filharmonisë së Kosovës me Korin e Fakultetit të Arteve mes formacionit koral e instrumental. Programi i ndarë në tri pjesë, nën dirigjimin e Edon Ramadanit, nisi si mirënjohje për kompozitorin Fahri Beqiri, për të vazhduar me premierat e kompozimeve vendore – “Mars” të Mendi Mengjiqit, “Të kesh mall” e “Vaj si qenka ba dynjaja” e Arben Ramadanit. Prekja muzikore ndërkombëtare u ndje në pjesën e tretë, me gjashtëpjesëshin e identifikimit të Franz Schubertit
Gati në njëvjetorin e vdekjes së një prej kompozitorëve që ka lënë gjurmë e pasuri në muzikën shqipe, Fahri Beqiri, kujtimi nuk kishte se si të mungonte. Për ish-profesorin universitar, në koncertin e Korit dhe Orkestrës Harkore të Filharmonisë së Kosovës dhe Korit të Fakultetit të Arteve, mbrëmjen e së enjtes, u luajtën tri vepra. Gjallëria e “Shkoj e vij flutrim si zogu”, melankolia e himni për atdheun me “Erdh misiti” dhe loja në “Madrigalin e Ibrit plak” ishin kujtimi për të nga solistët e Korit ku kishte dhënë mundin ndër vite Beqiri, i cili vdiq në moshën 85-vjeçare më 18 maj të vitit të kaluar.
Por, koncerti i mbajtur në Atelienë e Pallatit të Rinisë nuk ishte i tëri kujtim, por edhe shfaqje e krijimeve të reja. “Mars” e Mendi Mengjiqit nga zërat e Korit të Filharmonisë së Kosovës debutoi për të parën herë në skenë me qetësinë e saj, e cila në muret e Ateliesë së Pallatit të Rinisë ngjasonte në një udhëtim muzikor që rrugëton në një linjë.
Më ndryshe se vepra e parë premierë, ishte “Të kesh mall” e Arben Ramadanit. Me melankolinë tingullore shfaq ndjesi të cilat ngelen mes kohësh. Zërat të cilët depërtojnë sa në vijë melodike të njëjtë e sa me lojë artistike shtrihen në surealitet.
“Shkoni krushqi” me motivet tradicionale të krijuara nga Drinor Zymberi dëshmuan për laramaninë e koncertit. Vepra e profesorit universitar erdhi si kundërpërgjigje ndaj qetësisë së të tjerave nëpërmjet gjallërisë e jetës që ndihet brenda saj. Në anën tjetër, shpërfaqje e dhimbjes ishte premiera e veprës “Vaj si qenka ba dynjaja” e Ramadanit, e cila erdhi në formën e revoltës muzikore. Programi u pasurua me atë të kompozitorit korçar, Josif Minga, përmes “Paska çelur moj pranvera”.

Peizazhi muzikor u kompletua kur përtej pjesës vokalistike, koncerti solli edhe lojën në instrumente. “Udhëtim sonor” i Valton Beqirit u bë shpërfaqje e bukurive natyrore shqiptare nëpërmjet tingujve pianistikë të vetë Beqirit e violinës së Visar Kuçit.
Përtej pjesës së veprave vendore, “Mesha Nr. 2 në G-dur, D. 167” e Franz Schubertit, si një nga më të mirat të kompozitorit austriak, solli frymën ndërkombëtare. Nën interpretimin e sopranos Zana Abazi-Ramadani, tenorit Ismet Vejseli e baritonit Denik Prizreni, në më shumë se 20 minuta salla u pushtua nga vepra me fille nga 1815 e krijim për më pak se një javë, e cila mori vëmendjen e publikut për qetësinë vokale të “Kyrie”, intensifikimit të herëpashershëm të “Gloria”, rrëmbimit melodik të “Credo”, kumbimit së dramacitetit të “Sanctus”, rikthimit të qetësisë me “Benedictus” dhe fundit me “Agnus Dei”. Duartrokitjet e gjata të publikut në çdo përfundim vepre u bënë dëshmi se misioni i koncertit ishte arrirë.
Dirigjenti i koncertit, Edon Ramadani, ka thënë të jetë ndier i përmbushur me pjesëmarrjen e publikut.
“Jemi mësuar në fillim të pandemisë me video-xhirime e transmetime të drejtpërdrejta, pastaj me publik të pjesshëm dhe sonte kishim kënaqësinë të kemi një sallë të mbushur me publik dhe sipas duartrokitjeve e nga ajo që dëgjuam na thanë që ishin të kënaqur”, u shpreh ai për KOHËN.
Duke qenë se qëndroi prapa gjithë formacionit trepjesësh, për Ramadanin ka qenë përgjegjësi shtesë debutimi i tri premierave botërore.
“Shumë të bukura, shumë të ndjeshme, të ndryshme nga njëra-tjetra, edhe stilistikisht edhe nga çdo aspekt. Ishte përgjegjësi më e madhe, sepse xhirimi i parë mbetet dokument edhe për përsëritjet e tjera”, ka thënë dirigjenti.

Violinisti Visar Kuçi për “Udhëtim Sonor” të Valton Beqirit ka thënë se iu dha ngjyra moderne me gërshetimin e pianos e violinës.
“Performanca e sontme ishte më e mira nga provat që kemi bërë. Këtë vepër e kam luajtur para disa vjetëve nën dirigjimin e profesor Rafet Rudit, sonte e mori kuptimin që e meriton”, u shpreh Kuçi.
Tutje e cilësoi veprën si shfaqje të peizazheve shqiptare.
“Kompozitori ka arritur me tema të shkurtra të na dhurojë një udhëtim nëpër një numër shumë të madh të trojeve shqiptare”, ka thënë ai.
Ka treguar se në partiturë janë edhe emrat e vendeve se nga vijnë temat. “Secila karakterizohet nga një ritëm, melodi e tekst tjetër”, ka thënë Kuçi.

Për solisten Zana Abazi-Ramadani, jetësimi i meshës së Schubertit aq sa ishte sfidues, njësoj ishte edhe besim për potencialin e saj.
“Meshat siç dihen nuk janë të lehta të performohen, ka mjeshtëri brenda tyre. Ishte kënaqësi ta ndaja skenën me gjithë këta koleg të mi”, ka thënë ajo menjëherë pas përfundimit të koncertit. “Veçantia është mjeshtëria, vetë fakti që meshën nuk mund ta këndojë secili solist. Janë sfiduese e pak edhe të dhimbshme”.