Aktorja Ilire Vinca dhe regjisoret Burbuqe Berisha e Zana Hoxha janë renditur në mesin e 27 grave të 18 vendeve të botës si të nominuara për çmimin prestigjioz që njeh kontributin e grave në botën e teatrit. Vinca për herë të dytë dhe Berisha e Hoxha për të parën, e kanë futur Kosovën në hartën e shteteve, ku gratë ia dalin të jenë profesioniste të zonja, edukuese përmes artit e edhe frymëzuese për gjeneratat e reja.
Të tria janë pjesë e listës së të nominuarave për “2020 Gilder/Coigney International Theatre Award” që ndahet një herë në tre vjet nga “The League of Professional Theatre Woman” (Liga e Grave Profesioniste të Teatrit).
Komiteti Ndërkombëtar i Ligës, që udhëhiqet nga bashkëpresidentet Shellen Lubin dhe Catherine Porter, ka vendosur që çmimi i sivjetshëm t’i jepet artistes libaneze, Hanane Hajj Ali. Sipas arsyetimit të Komitetit, ajo ka luftuar kundër stereotipave në botën arabe.
“Gjatë karrierës 40-vjeçare ka shkruar, performuar dhe ka qenë regjisore e produksioneve në gjuhën arabe duke mbështetur qindra kolegë, studentë dhe komunitete të ndryshme në Liban”, shkruhet në arsyetimin e Komitetit. Por vetë nominimi për këtë çmim ka një domethënie të lartë.
Të nominuarat do të marrin pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit në tetor në New York.
Ilire Vinca, aktore e profesoreshë e aktrimit në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka thënë se nominimi për herë të dytë është një festë e vërtetë pasi kësaj radhe është bashkë me koleget artiste, Burbuqe Berisha e Zana Hoxha.
Sipas saj, një prej kritereve të Ligës është rrugëtimi dhe rrethanat në të cilat krijojnë artistet në krejt botën. Sipas saj, ato përballen me shumë padrejtësi qoftë gjinore racore e etnike, siç ka ndodhur edhe në Kosovën e paraluftës.
“I kam vënë vetes detyrë të shkoj tutje e të mos ndalem. Kemi pasur shumë padrejtësi dhe paragjykime. Ne jemi një shoqëri patriarkale dhe ende ballafaqohemi me probleme të tilla. Edhe kur je në pozita vendimmarrëse, nuk trajtohesh si e barabartë”, ka thënë Vinca, e nominuar për këtë çmim edhe më 2017. Sipas saj, shoqëria kosovare dhe gratë kanë shumë punë për të bërë.