Prishtinë, 18 dhjetor – Çantat e shpërndara gjithandej skenës, mjegulla e gjendja në të cilën shfaqen aktorët, ngjajnë me një situatë të pasigurt.
Shpejt merret vesh se bëhet fjalë për një ngujim në stacion treni duke pritur mjetin transportues që nuk vjen. Sekondat e orës që vazhdimisht dëgjohen në sfond nuk janë njësi matëse e asgjëje. Personazhet e kanë humbur ndjesinë e kohës sa u përket ditëve e lëre më orëve.
Janë në pritje të një treni. Edhe pse ai nuk vjen, shpresa e tyre nuk shuhet. Thjesht, kanë nevojë të kenë shpresë pasi në gjendjen që janë vetëm ajo u ka ngelur. Bëhet fjalë për dy aktorë, të cilët po përjetojnë luftën e viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë.
E pikërisht në muajt e fundit të luftës ishte shkruar edhe drama “Trenat” e autorit Haqif Mulliqi, që të hënën është kthyer si premierë në Skenën e Vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës pas inskenimit që kishte nën regji të Agim Selimit në vitin 2000, pikërisht në këtë institucion. Kësaj radhe nën regji të Zana Durakut personazhet Vini (Rabije Kryeziu) e Veni (Shpëtim Selmani) për rreth një orë kanë hyrë në botën e një familjeje në kohë lufte.
E bashkë me ta edhe publiku që është ulur përreth sallës është futur në një atmosferë të zymtë. Dyshja ia ka mësyrë të ikë nga vendi. Janë ngujuar duke pritur trenin.
Jeta që zhvillohet në atë vend është një mozaik që përthekon momente dhune, frike, dëshire e shprese. Pafuqia e Venit shkon deri në masën që bashkëshortja e tij të dhunohet seksualisht e ai ta përjetojë rëndë pamundësinë për t’i ndihmuar. Sipas organizatës “Human Rights Watch”, gjatë luftës së fundit në Kosovë janë dhunuar rreth 20 mijë gra e vajza. E në shfaqje publiku ballafaqohet veç me një prej rasteve.
Traumat nga ngjarjet e tilla manifestohen rëndë. Del në pah se viktima nuk është më vetvetja. Por pavarësisht atmosferës në të cilën ndodhen, personazhet që edhe në shfaqje janë aktorë, kanë momente të lumtura. Madje edhe vallëzojnë me muzikën e Xhemail Gllavicës në sharki. Këto fije shprese e plotësojnë tablonë e të ngujuarve.
Kur Haqif Mulliqi e kishte shkruar këtë dramë në vitin 1999, vetë ishte i strehuar në rrethina të Prishtinës. E Mulliqi më 2013 e kishte inskenuar këtë dramë në Prizren.
Shpëtim Selmani ishte 12-vjeçar në kohën e luftës dhe e mban mirë në mend atë periudhë.
“Në skenë nuk e kisha të vështirë që të kthehesha në vitet 1998 dhe 1999. Mendoj se nuk duhet të harrohet koha e luftës. Është diçka që nuk fshihet nga mendja. Duhet të trajtohet artistikisht ajo periudhë”, ka thënë ai.
E Rabije Kryeziu ka thënë se femrat ende pa u bërë nëna e kanë atë instinktin e nënës. Si personazh ajo është një grua shtatzënë.
“Kam qenë shumë e vogël në kohën e luftës. E kam si të mjegullt atë periudhë. Kur kemi filluar ta bënim këtë shfaqje sikur ia kemi nisur përnjëmend ta përjetonim si të tjerët. Është e rëndë, por duhet të trajtohet ajo periudhë”, ka thënë Kryeziu.
(gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)