Historia e tyre reale s’ka asnjë dallim prej asaj që kapërthehet në 15 minutat e filmit “Pa Vend”, që të premten e kësaj jave do të jepet premierë botërore në edicionin e 74-t të Festivalit të Filmit në Cannes. Jeton Mazreku e Ermegan Kazazi, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, ndoqën ëndrrat. Më pas i mësuan edhe të tjerët që të mos heqin dorë prej tyre. Tash, rrëfimi i kësaj tresheje merr përmasa universale. S’e kishin ëndërruar se do të mund të luanin edhe në film, por edhe kjo u bë e vërtetë dhe arriti deri te “Palma e Artë”. Mazreku e Kazazi, të dielën, dy ditë para se të nisen drejt Francës, kthehen bashkë me Rifatin aty ku nisi “Pa Vend”
Përderisa rrëfimi i plotë i filmit “Pa Vend” nën regji të Samir Karahodës mbetet enigmatik – së paku deri më 16 korrik kur është premiera botërore në Festivalin e Filmit në Cannes – është një pjesë që mund të dokumentohet e përjetohet nga të gjithë. Një dritëz që mund t’i ketë shërbyer edhe regjisorit si pikënisje: kushtet në të cilat funksion klubi më i suksesshëm i pingpongut nga Prizreni, “Lidhja e Prizrenit”. Por, mbi të gjitha, ata janë shembulli i njerëzve që s’heqin dorë prej ëndrrave. E historia e tyre tashmë është në garë për “Palmën e Artë”.
Asnjëri prej tyre nuk është aktor. As në ëndrrat e tyre më të çuditshme nuk u ka shkuar në mendje se ndonjëherë do të luanin në ndonjë film. Ani pse kanë kaluar më shumë se gjysmë viti me regjisorin Karahoda, ende s’janë mësuar me intervista. Këtu qëndron edhe e bukura e gjithë këtij rrëfimi, që e ka kapur edhe regjisori 44-vjeçar. Gjithçka është e vërtetë. Një rrëfim njëkohësisht i brishtë por edhe i fortë, i trishtë por i mbushur me momente të gëzueshme. “Pa Vend” bën bashkë kontrastet. Është për shpresat, ëndrrat, dëshpërimin, largimin, por edhe kthimin në shtëpi.
Vendi – kryefjala që bashkon historitë e përpjekjet
Rreth 7 me 15 metra. Kaq është hapësira ku vepron klubi “Lidhja e Prizrenit”. Nuk është hapësirë e veçuar, madje as një sallë adekuate. Është veç parahyrje e sallës në qendrën sportive “Sezai Surroi”. Këtë hapësirë e konsideron të veten klubi nga ku kanë dalë një numër shumë i madh i pingpongistëve më të suksesshëm të Kosovës. Me një pllakatë me emrin e klubit, me disa fotografi të varura në mur e rrethoja të kaltra, ata kanë shënuar territorin e tyre. Aty është xhiruar edhe një pjesë e filmit “Pa Vend”, i zhanrit docu-fiction, që përcjell përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që ta mbajnë gjallë sportin e pingpongut duke zhvilluar gjenerata të reja sportistësh.
Kazazi nisi të merrej me pingpong në vitin 2004. Atëherë ishte 23-vjeçar. Qe aktiv si profesionist deri më 2018. Nuk luajti më sepse s’kishte hapësirë për stërvitje. Njësoj veproi edhe kolegu i tij, Jeton Mazreku. Por s’u dorëzuan. Përkundrazi, hapën kapitull të ri. Tavolinat e pingpongut duhej të shfrytëzoheshin ose nga ata, ose nga gjeneratat e reja. Ata zgjodhën që vetë të zmbrapseshin.
“Kam marrë pjesë nëpër turnirë, kemi pasur rezultatet të mira, por kemi mundur që të kemi rezultate ende më të mira sikur të kishin pasur një vend tonin, por përsëri jemi të kënaqur me atë që kemi arritur”, thotë Kazazi, pas një loje me mikun e tij Jeton Mazreku, pikërisht në hapësirën ku vepron klubi “Lidhja e Prizrenit”.
Mes imazheve që tashmë janë bërë publike nga trileri i filmit “Pa Vend”, dyshja Mazreku e Kazazi shihen duke bartur tavolinat nga një hapësirë në tjetrën, madje edhe rrugëve të Prizrenit.
“Është e vërtetë ajo. Ashtu kemi vepruar shpesh. Vinte koha për të lëshuar sallën apo vendin ku kemi ushtruar privat, nëpër bodrume, garazhe e këso vendesh, e pastaj me e gjetë një vend tjetër. Me i marrë tavolinat prej një vendi në një vend tjetër. Këto kanë qenë vështirësitë më të mëdha për ne, por kur e gjenim një vend atëherë rehatoheshim pak më shumë e ua nisshim ushtrimeve. Por, duhej me e lëshu edhe atë vend prapë”, tregon ai.
Brenda një fjalie disa herë përmendet “vendi” dhe është e natyrshme që rrëfimi i Kazazait e Mazrekut ia ka dhënë titullin “Pa Vend”, që fillimisht quhej “Table Stories”. Vendi duket sikur është kryefjala që i lidh rrëfimet e tyre.
Kazazi ka parë një version të papërfunduar të filmit “Pa Vend”. Mjaftueshëm sa për të konstatuar se e bukura e filmit qëndron pikërisht te fakti se aty është realiteti i tyre. E ndarja e përjetimeve me të tjerët e kishte shtyrë të pranonte që t’i hynte punës së aktorit. Ka luajtur vetveten. Kjo i është kërkuar.
“Kam qenë vetë sportist i pingpongut dhe kam dashur që këto probleme t’i shpreh përmes artit, pra filmit, dhe kisha dashur që institucionet t’i japin më shumë rendësi sportit, jo vetëm pingpongut pasi të gjithë jemi sportistë dhe çdo pikë që e marrim e marrim me zemër”, thotë ai me entuziazmin e një sportisti garash që nuk dorëzohet përkundër kushteve.
“Çdo sportist e ka dëshirën e vet me e tregu veten, me e dhanë maksimumin në sport”, shton Kazazi i ulur në ulësen e portokalltë të tribunave të sallës “Sezai Surroi”, ku të dielën në mesditë s’shiheshin sportistë, por staf mjekësor e qytetarë që ia kishin mësyrë sallës për t’u vaksinuar. Është shndërruar në qendër vaksinimi tash, qysh në maj. Jo pak klube sportive e kundërshtuan asokohe një vendim të tillë. I linte pa vend për të ushtruar.
Skenë nga filmi “Pa Vend” me skenar dhe regji të Samir Karahodës
Rikthimi në shtëpi
“Pa Vend” niset prej rastit të sportistëve prizrenas, por zgjerohet e kap tema të tjera. Mesazhi bëhet universal. Ata që e kanë parë filmin, si “CineEuropa”, e cilësojnë si rrëfim të shprehur në mënyrë të bukur, që gërsheton një sens melankolie me prekje të lehtë të humorit, pasi regjisori Karahoda e ka përdorur atë që të flasë për eksperiencën e emigrimit dhe kthimit në shtëpi. Këtu hyn edhe miku i Karahodës, Jeton Mazreku.
Ai si fëmijë e vizitonte qendrën sportive “Sezai Surroi”, pasi jetonte aty afër. Kishte provuar edhe basketbollin e hendbollin, por takimi me trajnerin Rifat Rifati bëri që t’i qasej pingpongut.
“Luajta me Rifatin nja pesë a gjashtë topa dhe më tha: ‘A ke qejf me ushtru në klubin tonë?’ I thashë: ‘Po’. Edhe fillova atëherë në vitin 1986. Kam qenë 13-vjeçar”, ka kujtuar Mazreku, i cili u shkëput nga pingpongu gjatë viteve ‘90 për shkak të situatës politikë në vend. Në vitin 1991 e la Kosovën.
“Sa isha këtu më erdhi letra me shku ushtar. Atëherë patjetër m’u desh të largohesha që nesër ose pasnesër kam me u kthye. Ndoshta një vit a dy, aq kam menduar se do të zgjasë situata, por mbeta 9 vjet në Gjermani. E si përfundoi lufta u ktheva vullnetarisht në Kosovë”, thotë Mazreku. Asokohe bënte punë moleri, por në të njëjtën kohë ushtronte edhe sportin e pingpongut.
Ani pse në pingpong është profesionist, në aktrim epitetin aktor ia dha angazhimi në filmin “Pa Vend”. Me këtë film, bashkë me Kazazin, regjisorin Karahoda e producentin e filmit Eroll Bilibani, do të shkojë edhe në njërin nga festivalet më me nam në botë. Më 13 korrik, ekipi do të marrë rrugë për në Cannes.
“E pata të vështirë të luaja në film, të vendosja. Por, dikur shokët më thanë ‘pse mos me lujt’... Është diçka e re për mua dhe ndoshta ato që i kam përjetuar me kanë ndihmuar që të luaj në film, pasi unë nuk jam aktor. Kështu që luajta dhe më vjen mirë shumë”, thotë Mazreku në sallën me të cilën lidhet një pjesë e mirë e jetës së tij. S’e ka parë ende versionin final. Do ta shohë në festivalin e madh.
“Filmin kur e kam parë, edhe pse jo krejtësisht të përfunduar, unë qava”, thotë ai.
Ari si mjet sensibilizues
Ngjarja e filmit fillon diku në vitin 2005, duke e dërguar shikuesin në ato ditë kur stërvitjet për zhvillimin pingpongut janë mbajtur vetëm falë entuziazmit të Mazrekut, Kazazit, trajnerit të tyre Rifat Rifati, e shumë të tjerëve. Më pas, “Pa Vend” rikthehet edhe në ditët e sotme, duke vënë në pah ngecjen dhe injorimin e institucioneve karshi sporteve të vogla, solidarizimin qytetar dhe këmbënguljen kundrejt dorëzimit.
Vetë Rifat Rifati, që ka hyrë në dekadën e pestë si trajner i pingpongut, ka thënë se fëmijët që vijnë në klubin “Lidhja e Prizrenit” kanë talent të jashtëzakonshëm, por edhe dëshirë të madhe, ani pse përballen me kushte të vështira.
“Kemi mungesën e sallave. Mungesën e kushteve normale për ta vazhduar këtë sport. Ky sport duhet të luhet dimrit, në temperatura deri në 18 gradë, e verës deri në 25, por ne kemi temperatura ekstreme. Dimrit shkon deri në -25, e verës deri në 40 gradë. Nuk kemi zhveshtore, nuk kemi banja, nuk kemi asnjë element që duhet për ta kompletuar stërvitjen e fëmijëve në këtë klub”, thotë ai teksa nuk harron të kujtojë se pingpongu në botë konsiderohet ndër sportet më të vështira që ekzistojnë për momentin. Në po të njëjtën hapësirë stërviten edhe dy ekipe të tjera të Prizrenit: “KPP Sharri” dhe “Liria”. Për kushtet e për paradoksin e pingponistëve, “Koha Ditore”, në numrin festiv të 2020-s, kishte sjellë reportazhin “Pak pingpong në ndeshjet e basketbollit”. Pothuajse asgjë s’ka ndryshuar prej atëherë.
Por, Rifati thotë se shpreson që filmi të shërbejë si sensibilizim për shoqërinë.
“Ne kërkojmë që me këtë film t’i sensibilizojmë njerëzit për problemin tonë dhe rreth asaj se pse çalojmë, pse nuk është i vlerësuar sa duhet ky sport që konsiderohet si sporti i artë. Është një formulë ku thuhet se futbolli është lojë, tenisi është zanat, e pingpongu është art”, thotë Rifati teksa duke shtruar pyetjen se perse në Kosovë ky sport nuk ka vlerë, sikur kërkon përgjigje.
“Pra, ne kemi dhënë maksimumin në këtë film që publiku të sensibilizohet, por edhe dhe që t’i hapin sytë të gjitha institucionet që të krijojnë kushte të barabarta për të gjitha sportet që ekzistojnë për momentin në Kosovë”, thotë ai.
“Pa Vend” është filmi i dytë i regjisorit nga Prizreni. Samir Karahoda debutoi si regjisor me dokumentarin e tij “Në mes”. Me këtë projekt ai për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve të shquara të Kategorisë A. Vetë regjisori javën e kaluar pati thënë për KOHËN se filmi është një tregim unik, që nuk mund të ndodhë në çdo vend.
“Paraqet disa shtresa apo tema, kryesisht sociale, por me fokus të veçantë luftën e heshtur të ish-lojtarëve të pingpongut, të cilët, pavarësisht sfidave të cilat i kishin, nuk u dorëzuan për ta mbajtur gjallë klubin e tyre. Në film është tema e migrimit, shpresës e mungesës së saj, diskriminimit dhe dashurisë së paparë për sportin”, ishte përshkrimi i tij. Edhe ai e përmend sensibilizimin e shoqërisë, në veçanti të institucioneve, për mungesën e hapësirave sportive dhe dëshirën e madhe të rinisë për t’i realizuar ëndrrat e tyre në një vend të pashpresë.
Producenti Eroll Bilibani kishte thënë se “Pa Vend” tregon një shoqëri e cila mundohet t’i mbajë ëndrrat gjallë. “Personazhet e luajnë vetveten, sikur të ishte 15-16 vjet më herët, por situata nuk ka ndryshuar. Kjo tregon edhe nivelin se ku gjendet sporti i Kosovës, sportet e vogla në veçanti, dhe si trajtohen talentet, në veçanti ata të cilët nesër ose pasnesër do të na bëjnë krenarë”, kishte thënë ai.
Të gjithë ata që u bënë pjesë e ekipit të filmit bartin të njëjtat ëndrra e shpresa. Suksesi i filmit në Cannes është veç një kapitull. Lufta e fitorja e vërtetë bëhet pikërisht në vendin ky personazhet kalojnë ditët, e ku trajneri Rifati çdo mbrëmje udhëzon të rinjtë në hapësirën e improvizuar të klubit. Një shtëpi siç duhet për sportistët do të ishte veç hapi i parë i përjetësimit të një fitoreje bashkë me “Palmën e Artë” për filmin që do ta vuloste një ëndërr të bërë realitet.