Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Tre laureatë të “Muslim Mulliqit”, galeria-muze tetë vjet e papërfunduar

Ndarja e tri çmimeve “Muslim Mulliqi” e ktheu edhe një herë vëmendjen tek piktori i ndjerë – që u nderua post mortem për veprimtari jetësore – në kohën kur janë bërë tetë vjet qysh kur projekti për rinovimin e muze-galerisë që mban emrin e tij është bllokuar.

Në kabinetin e tij, ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Gashi, ndau edhe çmimin kombëtar për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi” për akademik Xhevdet Xhafën, dhe çmimin vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor, për profesorin Fatmir Krypa, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gashi i ndau për herë të parë çmimet për të cilat rregullorja qe nënshkruar qysh në fund të vitit 2016, nga pararendësi i tij, Kujtim Shala. Rregullorja parasheh që çmimi “Muslim Mulliqi” për veprimtari jetësore dhe ai për të arriturat në fushën e artit pamor të ndahen në ditën e parë të qershorit, por për të parën herë u nda tek të hënën e gjashtë gushtit.

“Ky çmim që po e ndajmë sot ka qenë një vullnet i yni që të zbatojmë rregulloren që parasheh dhënien e këtij çmimi. Ka pasur një neglizhencë që vitet e kaluara nuk është ndarë ky çmim. Përndryshe nuk është vonë që ne t’i vlerësojmë njerëzit të cilët punojnë në pjesën e artit pamor me këto çmime të cilat i ka vlerësuar një juri profesionale”, ka thënë Gashi.

Por as në mandatin e tij nuk është bërë ndonjë hap konkret për finalizimin e projektit për rinovimin e galerisë-muze “Muslim Mulliqi”, që ka nisur qysh më 2010. Për fazën e parë dhe të dytën janë shpenzuar 125 mijë euro, por institucioni më i lartë kulturor në vend që nga viti 2011 nuk kishte planifikuar investime të tjera, duke i lënë të papërfunduara punët në këtë objekt. Enterieri dhe kulmi i objektit që ndodhet në lagjen “Taslixhe” në Prishtinë ende s’janë gati... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)