Kulturë

Tre kitaristë të rinj harmonizojnë epokat në rrugëtim muzikor

Nata e tretë e edicionit “Vihuela Guitar Fest” solli para publikut tre kitaristë të rinj. Milot Mehmeti, Ehad Dula dhe Lis Mustafa në hapësirat e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve shpalosën programin e pasur me vepra që nga epoka e Barokut deri në atë bashkëkohore

Tri kitara, tre emra të rinj të skenës muzikore nga Kosova, kanë qenë kryefjalë e natës së tretë të “Vihuela Guitar Fest”. Milot Mehmeti, Ehad Dula dhe Lis Mustafa para publikut të festivalit, i cili sivjet shënon edicionin e 11-të, paraqitën vepra të kompozitorëve të njohur nga epoka të ndryshme.

Mbrëmja nisi me Ehad Dulën, tash në studime master për kitarë. E hapi koncertin me kompozimet e ndërlikuara të Johann Sebastian Bachut. Përjetësia e kompozimeve të tij u takua me mjeshtërinë e Dulës, duke i dhënë një jetë të re repertorit të muzikës klasike. “Introduction and Allegretto” e Napoleon Coste ka qenë vepra që ka vazhduar ta mbajë në skenë Dulën për të vazhduar me vepra të Heitor Villa Lobos dhe Nikita Koshkinit. Përzgjedhja e një programi të tillë ka ardhur me qëllimin e vetëm që t’u përshtatet preferencave të ndryshme të audiencës.

“Emocionet janë të mëdha pas një pune të gjatë, duke i praktikuar veprat dhe sot erdhi deri te çlirimi me përmbylljen me koncert. Pas një pune në Akademinë e Arteve në klasën e profesorit Drilon Çoçaj jemi munduar që këto vepra t’i përgatisim në atë mënyrë që të kemi një laramani të stileve dhe që të jetë sa më efikase për publikun, sepse duhet të kuptojmë që jo çdoherë kemi audiencë që e pëlqen vetëm muzikën klasike”, ka thënë Dula.

Mbrëmja e së martës në Atelienë e Pallatit të Rinisë, vazhdoi me Milot Mehmetin në skenë, duke përdorur kitarën e tij me një përzierje finese dhe pasioni. Mehmeti zgjodhi të thellohej në repertorin e pasur të kompozimeve që përfshijnë gjenialitetin e Domenico Scarlattit, stilet inovative të Mario Gangit dhe meloditë e ndërlikuara të Heitor Villa Lobos. Interpretimi i Mehmetit ishte një udhëtim që nisi me epokën e Barokut dhe përfundoi në atë bashkëkohore.

Ka folur më tepër rreth mundësisë për të paraqitur punën para publikut. Ka thënë se është mirënjohës për secilën duartrokitje që ka marrë gjatë mbrëmjes.

“Gjithmonë kënaqësi për të marrë pjesë nëpër koncerte të tilla. Në natën e tretë të këtij festivali na është dhënë hapësira ne artistëve të rinj që të dalim para publikut dhe çdoherë është kënaqësi e madhe që punën tonë ta tregojmë para publikut”, ka thënë Mehmeti.

Dula dhe Mehmeti studimet bachelor i kanë përfunduar në klasën e profesorit dhe kitaristit Drilon Çoçaj. Ai është shprehur krenar për punën e studentëve të tij dhe e ka bërë të ditur bashkëpunimin për përpilimin e programit me të cilin kanë marrë pjesë në “Vihuela Guitar Fest”.

“Ehadi dhe Miloti kanë qenë studentë të mi, ndërsa Lisi është nxënës nga Prizreni. Programi i Ehadit ka qenë jashtëzakonisht i bukur dhe besoj që edhe publikut i ka pëlqyer shumë. Në e kemi përgatitur këtë program këtë vit dhe shumë mirë është duke i shkuar dhe është aktiv nëpër koncerte. Përveç në festival, luajnë edhe në akademi dhe shumë janë duke ecur hapave të mirë”, ka thënë Çoçaj.

“Vihuela Guitar Fest” këtë edicion fokusin e pati te ofrimi i një platforme për talentët e rinj dhe udhëheqësi i Festivalit, Naser Dula, ka vlerësuar se ia kanë dalë në realizimin e këtij qëllimi. Ka thënë se nata e tretë nuk ishte thjesht një shfaqje e aftësive teknike të kitaristëve të rinj, por një premierë.

“Ka qenë në të vërtetë një natë thuajse premierë me kitaristë të rinj. Ishin kitaristë me një interpretim të mrekullueshëm dhe këtu shihet qartë që profesorët e tyre kanë punuar shumë dhe programet e tyre janë interpretuar në nivel artistik edhe në aspektin teknik. Unë nuk mund t’i veçoj, sepse që të tre ishin shumë të mirë dhe unë mund të them se jam shumë i lumtur që u realizua dëshira ime që ta kemi një natë të veçantë për kitaristë të rinj, dhe kjo u realizua shumë bukur sonte”, ka thënë Dula.

Ndërsa notat e fundit mbushën sallën Atelie të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve u bë e qartë se këta tre kitaristë të rinj kishin lënë një gjurmë duke premtuar një të ardhme për brezin e ri të muzikantëve klasikë. “Vihuela Guitar Fest” do ta përmbyllë edicionin e 11-të më 17 nëntor me koncert recital nga kitaristi Timotej Kosovinc.