Filmi “T’padashtun”, që flet për nevojën e të qenit i pranuar dhe ngjarjen e bazon në një histori nga lufta e fundit në Kosovë, do të shfaqet në ekranin e Festivalit të Filmit Holandez.
Bashkëprodhimi ndërmjet Kosovës e Holandës, i realizuar nga regjisori Edon Rizvanolli, është bërë pjesë e edicionit të 37-të të “Netherlands Film Festival”, që ishte themeluar më 1981 nga filmbërësi Jos Stelling, i cili në fillim e kishte quajtur “Ditët e filmit holandez”, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Tpadashtun” është film debutues në metrazh të gjatë i Rizvanollit dhe premierën e pati në festivalin prestigjioz në Karlovy Vary të Çekisë në fillim të korrikut, dhe po atë muaj u shfaq edhe në Prishtinë.
Ngjarja e tij ka të bëjë me pranimin e shumëfishtë: pranimi i së vërtetës për veten përballë tjetrit apo pranimi i një qenieje që dikur ishte e padëshiruar. Një grua e dhunuar nga serbët, në luftën e fundit në Kosovë, një fëmijë i lindur nga kjo histori e trishtueshme, një lidhje dashurie rioshësh që zbardh këtë histori, janë trekëndëshi brenda së cilit ndërtohet rrëfimi i këtij filmi.
Festivali i Filmit Holandez mbahet për çdo vit në fillim të vjeshtës. Siç shkruhet në uebfaqen zyrtare të festivalit, për dhjetë ditë, qyteti Utrecht bëhet kryeqyteti i filmit në Holandë, ku kultura e kinematografisë holandeze merr vëmendjen që e meriton... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.