Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Toka e shpirtrave të trazuar” prej Turqisë rrugëton me kujtime lufte

“Toka e shpirtrave të trazuar” nën regji të Zana Hoxhës dhe autore Shqipe Malushin, çon në Turqi kujtimet kolektive për mungesën e paqes dhe përballjen me luftën dhe konfliktin në shoqërinë kosovare. Ndikimi i saj ndër gjenerata e bën më thelbësore shfaqjen e cila fillon rrugëtimin ndërkombëtar me prezantim në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “Balkan Breeze”. Teatri “Ahmet Vefik Pasha” në Bursa të Turqisë, të dielën është nikoqir i shfaqjes e cila vjen edhe si thirrje për të mos harruar. Ishte dhënë premierë qershorin e vitit të kaluar në kuadër të edicionit të 10-të të festivalit “FemArt”.

Në shfaqjen “Toka e shpirtrave të trazuar” gjithçka zhvillohet si në mjegull. Nëpër skena shumëngjyrëshe, aktorët marrin role të ndryshme, që lidhen me kohën e luftës së fundit në Kosovë. Zëri i viktimave vazhdimisht refuzohet. Veçmas kur flitet hapur edhe për dhunimin.

“Qëllimshëm i kam zgjedhur të gjitha këto elemente të muzikës, vallëzimit, projeksionit, aktrimit, në mënyrë që vetëm kësisoj kjo të vijë kështu siç erdhi sonte”, kishte thënë regjisorja Hoxha me rastin e premierës së shfaqjes e cila qysh atëherë i kishte bërë të qarta synimet për ta dërguar edhe jashtë vendit.

Autorja Shqipe Malushi ishte shprehur se teksti synon t’i kthehet edhe një herë rrugës së sakrificës. Ishte shprehur e emocionuar me rastin e premierës së shfaqjes. “Doja të qaja, por e mbaja veten mos me qa, u ngjall poezia, u ngjall dhimbja, u ngjall kujtimi ynë. Zana na zgjoi të gjithëve nga gjumi. Të mos e harrojmë kurrë atë dhimbje për të cilën e kemi sakrifikuar për një liri, e cila ende po na mungon ashtu siç e duam”, kishte thënë Malushi për KOHËN, fill pas mbarimit të shfaqjes.

Nëpërmjet vallëzimit dhe muzikës skenat lëvizin në performancë, e ato do të sillen para publikut turk nga aktorët Donikë Ahmeti, Kushtrim Qerimi, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli, Kaltrinë Zeneli dhe Edlir Gashi. Kërcimtarë janë Altina Binaku, Qendrim Makolli, Erëza Grajqevci e Patriot Osmani me soliste Urta Hazirajn. Dramaturgjinë e ka realizuar Shpëtim Selmani, ndërsa Robert Nuha është marrë me koreografinë bashkëkohore që “Toka e shpirtrave të trazuar” sjell në skenë.

Festivali ndërkombëtar i teatrove të vendeve të Ballkanit, “Balkan Breeze” këtë vit po zhvillon edicionin e 10-të me radhë nga 4 deri më 18 mars.

Edhe “Toka e shpirtrave të trazuar” rikthen zërat e sakrificës për liri Kulturë “Toka e shpirtrave të trazuar” rikthen zërat e sakrificës për liri

Festivali organizohet çdo vit në Bursa, me qëllim thyerjen e barrierave midis vendeve ballkanike dhe depërtimin e mëtejmë të frymës së këtij regjioni. “Ka ndjenja të përbashkëta, shije të pasura ndarjesh, dashurish, dëshirash, vuajtjesh dhe lumturish te boshnjakët, maqedonasit, shqiptarët, kroatët, serbët, grekët dhe bullgarët, që jetuan krah për krah për shumë vjet. Kjo e kaluar historike duhet të na sjellë gëzim në vend se vuajtje”, thuhet në prezantimin e Festivalit.

Nga festivali më tej shkruhet se synon edhe rigjenerimin e artit teatror në përputhje me zhvillimin ekonomik të provincës së Bursës dhe prezantimin e teatrit bashkëkohor për njerëzit e rajonit.

“Është rrahje zemre e çdo personi, që shikon lumin Vardar, ecën pranë Neretvës, shikon Miljackën nga urat e Sarajevës, ndien dritën e hënës brenda në netët e Shkupit, gëzohet me erën e bukur të fshatrave të gjelbër larg nga të gjitha shëmtirat e Hellasit dhe bie në dashuri në qytetet e këndshme të Kosovës”, shkruhet më tej nga festivali “Balkan Breeze”.