Prishtinë, 17 janar – Protagonistëve të koncertit të dytë të “Tingujt e flautit”, bashkë me organizatorët e festivalit, u është dashur të merren edhe me çështje të tjera jashtë programit: të gjejnë zgjidhje që koncerti të mos dështojë.
Koncerti i së mërkurës mbrëma ishte paralajmëruar të mbahej në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës. Sherri i mungesës së ngrohjes, ka qenë e pamundur të mbahej aty, por përkundër kësaj instrumentistët dhe stafi i “Tingujt...” s’kanë hequr dorë. Bashkë me një pjesë të publikut janë zhvendosur në objektin e Filarmonisë së Kosovës.
“Maratonë recitalesh nga studentët e UP-së”, ka qenë titulli i koncertit që ka nisur me dy orë vonesë. Ka nxjerrë në pah potencialin e instrumentistëve e të kompozitorëve të rinj, por njëkohësisht ka “reprizuar” telashet me të cilat përballen organizatorë të ngjarjes si ky festival, i cili sivjet shënon edicionin e nëntë.
“Është kohë e mirë për të reflektuar se sa shumë na mungon një sallë dhe të protestojmë për të. Nuk është hera e parë që po gjendemi para një situate të tillë”, ka thënë Erëmira Çitaku, drejtoreshë e “Tingujt e flautit”. Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare ka thënë ta kenë rezervuar kohë më parë dhe nuk ishin njoftuar për telashet me ngrohjen.
I shpejtë ka qenë reagimi i Filarmonisë së Kosovës që t’i bëjë nikoqirllëk koncertit për t’ia lëshuar sallën që është e vogël edhe për provat që mbahen aty.
“Me ngrohjen ne si Filarmoni nuk kemi probleme, pasi që jemi me ngrohje vetjake, jo me ‘Termokosin’, megjithatë është e dhimbshme që artistëve t’u dështojë salla në momentet e fundit”, ka thënë Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës.
Edhe
Filologjiku shkurton orarin e ligjëratave në mungesë të ngrohjes në salla
Ngrohtorja e qytetit “Termokos” të mërkurën e ka hequr përgjegjësinë nga mungesa e ngrohjes në Bibliotekën Universitare të Kosovës.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")