Potenciali ndërlidhës i artit me dijet shkencore, nëpërmjet punës së Likana Canës, paraqitet si një bashkëjetesë simbiotike natyrale. E përmes prapavijës së saj formuese, me librin artistik që pritet të publikohet muajt në vazhdim, ajo artikulon thjeshtësinë e përditshmërisë, e cila vëmendjen e shndërron në një medium artistik. E si ide duket që ka nisur qysh në vegjëli të artistes, shkrimin ajo duket ta ketë përdorur si një stacion në të cilin është ndalur për të reflektuar mbi itinerarin e jetës
Lëvizja “Fluxus” në art del si një intervenim dinamik dhe transformues që sfidon kufijtë konvencionalë që kufizojnë shprehjen artistike në të gjitha kuptimet e saj. Vitet ‘60 dhe ’70 të shekullit të kaluar përbënin një klimë ideale për shpërthime idesh, thyerje normash e intervenime, të cilat pa dyshim nuk e kursyen as artin. E përqafuar nga artistë të mediumeve të ndryshme si kompozitorë, disenjatorë e shkrimtarë, “Fluxus” si shprehje e re refuzonte idetë që shihnin në artin vetëm si një objekt statik të kufizuar në hapësira galerish. Theksi nën dogmën e kësaj ideje vihej te procesi kreativ, përtej veprës si “produkt final”. Përqafohet spontaniteti i proceseve krijuese si një filozofi e cila në thelb thotë se procesi i krijimit të artit është po aq i rëndësishëm sa vetë arti. Nganjëherë edhe përtej. E në këtë lëvizje të artit konceptual duket se veten e gjen dhe Likana Cana, artiste dhe psikologe nga Kosova, e cila ka gati një publikim, në një formë jo të shpeshtë.
Potenciali ndërlidhës i artit me dijet shkencore, nëpërmjet punës se Canës paraqitet si një bashkëjetesë simbiotike natyrale. E përmes prapavijës së saj formuese, me librin artistik që pritet të publikohet muajt në vazhdim, ajo artikulon thjeshtësinë e përditshmërisë, e cila vëmendjen e shndërron në një medium artistik. E si ide duket që ka nisur qysh në vegjëli të artistes, shkrimin ajo duket ta ketë përdorur si një stacion në të cilin është ndalur për të reflektuar mbi itinerarin e jetës.
“Ky libër është një koleksion i shënimeve që unë kam shkruar gjatë tërë jetës sime. Kur ditët ngjisheshin me emocione, unë i jepja vetes sime instruksione se si të fokusohem në mënyra të ndryshme, për ta kuptuar realitetin”, ka thënë Cana duke folur rreth këtij botëkuptimi.
Kjo praktikë për të kishte shërbyer si një meditim i koncentruar në tingullin apo ngjyrën e ndonjë objekti që e rrethonte atë, si një shpëtim nga përhumbja nëpër skenarët e errët që mendja mund t’i krijojë. Që nga shkolla fillore ajo do të shkruante instruksione për veten, të cilat do ta ndihmonin atë në kuptimin e fuqisë dhe kapacitetit të vetëdijes njerëzore. Lidhjen me artin ajo e bënte duke e gjetur atë në praktikat e rëndomta të përditshmërisë.
“Kur isha 12 vjeçe zbulova ekzistencën e Yoko Onos dhe ndjeva diçka që nuk mund ta shpjegoj. Fjalët e saj dhe mënyra e saj e ekzistimit rezononte aq shumë me mua saqë më bënte të ndihesha se nuk jam vetëm”, ka thënë Cana, duke theksuar rolin e figurës së Yoko Onos dhe idesë se e sheh atë si dikë që i percepton gjërat njëjtë sikur ajo. Kjo gjë shërben si inspirim për të edhe tash me inkorporimin e praktikave artistike të lëvizjes “Fluxus”.
Kreativitetin e saj ajo e kanalizon në mënyra jokonvencionale, mbështetet në zbërthimin e shkencës në mënyra poetike, por për të ardhur në këtë nivel të vetëdijes ajo kishte kërkuar përgjigjet brenda vetes kaherë.
“Kam qenë fëmijë shumë kurioz dhe kreativ. Por, kreativiteti im nuk ka dalë asnjëherë në mënyra tradicionale. Nuk kam pasur afinitet me krijimin e diçkaje nga e para, kapacitetet e mia kreative gravitonin më shumë drejt transformimeve të një gjëje në diçka tjetër”, është shprehur Cana.
Kjo prirje e artistes u qartësua nga mjegulla e pasigurisë kur u ndesh me zgjedhjen për studimet universitare.
“Mua më kanë interesuar kryesisht dy gjëra, mendja dhe universi, dhe rrjedhimisht kam vendosur për ta studiuar psikologjinë. Jam mahnitur nga fakti se sa shumë ngjashmëri kanë psikologjia dhe arti konceptual, specifikisht ‘Fluxus’ arti. Të dyja e thonë një gjë, por në gjuhë të ndryshme. Andaj arti nuk është ekskluzivitet i galerive, arti është pjesë e përditshmërisë, vetëm duhet të mundohemi që ta shohim si të tillë. Ai ndodh duke e punuar e jo vetëm kur të përfundohet”, ka thënë Cana. Ka shpjeguar se vlerat e saja si artiste mbështeten në vështrimin e artit si strehë të spiritualitetit dhe mik të ngushtë të shkencës.
Ky libër artistik i Likana Canës merr titullin “This is a mirror”(Kjo është një pasqyrë) dhe vjen si një kompozicion, i cili ua ofron lexuesve lirinë ta interpretojë atë sipas këndvështrimit personal. Aty nuk ka as numra faqesh e as një narrativë imponuese. Përmbajtja e tij ndërtohet nga udhëzime në formë vargu që shërbejnë si ftesë për ta jetuar të tashmen përmes veprimeve të ndryshme në përditshmëri.
“Arti mund të ekzistojë vetëm nëse lexuesi merr pjesë në të. Arti është shërbim dhe duhet të ofrojë hapësirë për atë që njerëzit kanë nevojë të bëjnë. Njerëzit duhet të procesojnë, të reflektojnë dhe të arrijnë ta tresin konsumin psikik të ditëve të sotme. Ky libër do të ndihmojë me këtë. Shpresoj”, ka thënë Cana, duke e interpretuar atë si një reflektim të anës artistike dhe psikologjike të saj në çdo faqe.
Nisur nga një material 700-faqesh, i mbledhur ndër vite nga autorja, tashmë libri do të jetësohet si rezultat i bashkëpunimit të autores me “KosovoStory lab” dhe shtëpinë botuese “Artrobooks” me redaktor Artrit Bytyçin.
“This is a mirror” reflekton ritmin e mendjes së kujtdo që e lexon, njëjtë sikur pasqyra që reflekton imazhin para saj. Në format të vargut aty paraqiten udhëzime, të thjeshta në lexim të parë, por të hapura për reflektime poetike e psikologjike. Mes rreshtave preokupimi me të kaluarën dhe të ardhmen del si hendek, i cili pengon kapjen e momentit, së tashmes.