Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Thesar i çmueshëm monedhash perandorake romake

Në qendrën historike të Komos (Como), qytet dhe kryeqendër e krahinës Komo në Lombardi në veri të Italisë, i vendosur ndërmjet Alpeve dhe liqenit Komo, në fillim të muajit shtator u zbulua rastësisht një thesar i çmueshëm monedhash të punuara prej ari nga periudha e vonshme e Perandorisë Romake.

Përndryshe ky vendbanim quhej Comum Novum, prej vitit 191 para erës sonë, respektivisht pas pushtimit të Oppidum Comum të banuar me popullsi gale e kelte nga ana e konsullit romak Klaud Marceli (Claudius Marcellus), dhe gjatë antikitetit kishte rëndësi të madhe strategjike nga pikëpamja tregtare, por edhe për shkak të pozitës së liqenit dhe të pranisë së njësiteve të shumta të ushtrisë, meqë paraqiste një pengesë të fortë dhe të sigurt për parandalimin e sulmeve të fiseve të barbarëve të drejtuara kah lugina e pasur e lumit Po, shkruan Naser Ferri, në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Ky qytet i lashtë ka një të kaluar të pasur dhe pos të tjerash është vendlindja e disa figurave të rëndësishme të periudhave të ndryshme historike si: poeti Cecilius (Statius Caesilius) të cilin e përmend autori antik Katuli (Caius Valer Catullus), në shekullin I para erës sonë, historianët Plini Plak (Gaius Plinius Secundus) dhe Plini i Ri (Gaius Plinius Caecilius Secundus) në shekullin I dhe II të erës sonë, papa Inoqenti XI (Inocencio XI, shekulli XVII), fizikani, kimisti dhe autori i shumë zbulimeve të rëndësishme shkencore Allesandro Volta (Alessandro Volta, 1745-1827), Kozima List (Francesca Gaetana Cosima Liszt, 1837-1930), e bija e pianistit hunz Franz Listz dhe gruaja e dytë e kompozitorit gjerman Richard Wagner, e mjaft personazhe të tjerë historikë e të shkencës.

Rëndësinë e jashtëzakonshme të zbulimit të këtij thesari e dëshmon fakti që lajmin menjëherë e publikuan gazetat lokale e rajonale “Corriere di Como”, “Giornale di Como”, “Il Giorno”, “La Provincia” e gjithashtu edhe ato kombëtare italiane “Corriere della Sera”, “National Geographic” e Italisë, si dhe portalet elektronike “Sputnik Italia”, “AgiCronaca” dhe mjaft të tjerë nga të cilët këtë lajm e morën dhe e përhapen mediat e shteteve të tjera. (Më gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore)

Artikuj të ngjashëm