Edhe pas katër vitesh qysh kur u iniciua, nuk është bërë asnjë hap konkret për themelimin e një shkolle profesionale të baletit.
Kërkesa e Baletit Kombëtar të Kosovës ka kaluar në adresë të tre Ministrave të Arsimit, por megjithë deklaratat publike për mbështetje, nuk është bërë asnjë lëvizje konkrete në këtë drejtim.
Udhëheqësia e Baletit Kombëtar disa herë ka alarmuar se ka nevojë për kuadro të reja që do ta garantonin vazhdimësinë e ekzistencës së trupës.
Sinan Kajtazi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, thotë se megjithë premtimet, mungon interesimi për themelimin e një shkolle të tillë, raporton “Express” i KTV-së.
Valmir Gashi, këshilltar i ministrit të arsimit Shyqiri Bytyqit i ka thënë Kohavisionin se Ministria e Arsimit, e mbështet ndërtimin e një shkollë të tillë por fajin për vonesat e ka hedhur tek mungesa e lokacionit.
“Ne edhe me parë kemi theksuar se MASHT (Ministria e Arsimit) është e gatshme të mbështes ndërtimin e kësaj shkollë, por problemi është tek mungesa e dëshmisë për sigurimin e lokacionit që do të duhej të bëhej nga ana e Komunës së Prishtinës me kërkesë të Baletit Kombëtar të Kosovës”, ka deklaruar Gashi.
Në kuadër të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” të Prishtinës, funksionon dega e Baletit që ishte hapur para afër dy dekadave.
Krenare Krasniqi-Dakaj, mësimdhënëse e baletit në këtë institucion thotë se nuk është e nevojshme që qytetit i Prishtinës t'i këtë dy shkolla të baletit.
Aktualisht afër dyzet nxënës janë pjesë e kësaj dege dhe ata mësojnë hapat e baletit në një hapësirë të improvizuar.
Balerini Isë Gjocaj i cili ndjek mësimin për balet në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, dhe së fundi ka nisur të angazhohet edhe në shfaqjet e Baletit Kombëtar, e sheh të domosdoshme ndërtimin e shkollës së baletit.
Për themelimin e një shkolle baleti, në dhjetor të vitit 2018, Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i ishte drejtuar me një letër Ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi. Ky i fundit e kishte vlerësuar të nevojshme themelimin e shkollës dhe madje kishte paralajmëruar formimin e një komisioni ekspertësh që nuk është prezantuar asnjëherë.