Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Thellohet kriza në Berlinale, drejtueses i lëkundet karrigia

Drejtoresha e Berlinales, Tricia Tuttle, ka deklaruar se edicioni i këtij viti ishte “emocionalisht sfidues”

Drejtoresha e Berlinales, Tricia Tuttle, ka deklaruar se edicioni i këtij viti ishte “emocionalisht sfidues”

Takimi ishte thirrur nga ministri shtetëror për Kulturë, Wolfram Weimer, për të diskutuar incidentet gjatë Berlinales së fundit, ku, ndër të tjera, artistët shprehën solidaritet me Gazën dhe kritikuan drejtuesit e festivalit dhe jurinë për mënyrën se si po trajtohej konflikti brenda hapësirës së festivalit. Zyra e Weimerit publikoi një deklaratë pas mbledhjes: “Diskutimet mes drejtoreshës së festivalit, Tricia Tuttle, dhe bordit mbi drejtimin e ardhshëm të Berlinales do të vazhdojnë në ditët në vijim”

Një mbledhje urgjente e organizatës që menaxhon Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, ose Berlinalen, e ka lënë të hapur të ardhmen e drejtueses aktuale të festivalit, Tricia Tuttle, derisa festivali vazhdon të përballet me polemika të lidhura me luftën Izrael-Hamas.

Takimi ishte thirrur nga ministri shtetëror për Kulturë, Wolfram Weimer, për të diskutuar incidentet gjatë Berlinales së fundit, ku, ndër të tjera, artistët shprehën solidaritet me Gazën dhe kritikuan drejtuesit e festivalit dhe jurinë për mënyrën se si po trajtohej konflikti brenda hapësirës së festivalit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Zyra e Weimerit publikoi një deklaratë pas mbledhjes: “Paraditen e sotme, në Kancelari u zhvillua një mbledhje e bordit mbikëqyrës të ‘KBB GmbH’ (organizata menaxhuese e Berlinales). Diskutimet mes drejtoreshës së festivalit, Tricia Tuttle, dhe bordit mbi drejtimin e ardhshëm të Berlinales do të vazhdojnë në ditët në vijim”.

Para takimit, tabloidi gjerman “Bild”| kishte raportuar se Weimer synonte ta shkarkonte Tuttle nga posti i drejtoreshës. Sipas raportimit, Weimer dhe Tuttle kishin rënë dakord se ajo duhej të largohej për shkak të reagimeve politike të shkaktuara nga fjalimet gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve më 22 shkurt.

Gazeta përmendi gjithashtu një fotografi të datës 15 shkurt, që pretendohet se komprometon besueshmërinë e Tuttle në sytë e qeverisë gjermane. Në foto, drejtoresha e festivalit pozon me ekipin e filmit “Chronicles From the Siege”, me regji të kineastit palestinezo-sirian Abdallah Alkhatib. Ndërsa disa anëtarë të ekipit mbajnë shenja palestineze dhe një person valëvit flamurin palestinez, vetë drejtoresha nuk mban asnjë simbol.

Në prag të mbledhjes, shumë persona shprehën mbështetje për Tuttle: më shumë se 500 punonjës të Berlinales nënshkruan një deklaratë kundër shkarkimit të saj të përfolur, ndërsa mbi 700 kineastë gjermanë dhe ndërkombëtarë firmosën një letër të hapur tjetër, ku theksohej se ajo nuk duhet të mbahej përgjegjëse për polemikat lidhur me Gazën.

“Kur pasojat në personel nxirren nga deklarata individuale apo interpretime simbolike, dërgohet një sinjal shqetësues: institucionet kulturore vihen nën presion politik”, thuhej në deklaratën e kineastëve.

Festivali i vitit 2026 qe viti i dytë prej kur Tuttle është në krye të Berlinales. Që nga edicioni i vitit 2024, festivali është përballur me kritika dhe akuza për antisemitizëm.

Fituesit e çmimeve të këtij viti dhe fjalimet e tyre treguan ekuilibrin e vështirë që festivali po përpiqet të ruajë.

Duke mbyllur një festival 10-ditor që kishte nisur mes një stuhie reagimesh në rrjetet sociale pas komentit të presidentit të jurisë Wim Wenders se kineastët duhet “të qëndrojnë larg politikës”, filmat fitues të çmimeve kryesore – “Yellow Letters” i Ilker Çatak dhe “Salvation” i Emin Alper — dëshmuan se Berlinalja mbetet festivali më politik ndër tre festivalet e mëdha evropiane të filmit, krahas Kanës dhe Venecias.

Pavarësisht një letre të hapur që akuzonte festivalin për censurimin e artistëve që flisnin për Gazën, disa fitues përdorën fjalimet e tyre për të bërë deklarata politike mbi çështjen.

Një fitues kritikoi drejtpërdrejt qeverinë gjermane për mbështetjen e saj të fortë ndaj Izraelit.

Regjisori siriano-palestinez Abdallah Alkhatib, i cili fitoi Çmimin për filmin më të mirë debutues me “Chronicles From the Siege”, gjatë pranimit të Çmimit ka thënë se, si refugjat në Gjermani, ishte paralajmëruar të mos kalonte “vijat e kuqe” në fjalim. Megjithatë, ai pyeti pse vendi pranon të jetë “partner në gjenocidin në Gazë nga Izraeli”. 

“Besoj se jeni mjaftueshëm inteligjentë për ta kuptuar këtë, por zgjidhni të mos ju interesojë”.

Ministri i Mjedisit, Carsten Schneider – i vetmi anëtar i qeverisë gjermane i pranishëm në ceremoni – u largua nga salla gjatë fjalimit të Alkhatib, duke deklaruar më pas se komentet ishin “të papranueshme”.
Wolfram Weimer, komisioneri qeveritar për Kulturë, hodhi poshtë pretendimet e Alkhatib për qëndrimin e Gjermanisë: “Këto pretendime të rreme janë dashakeqe dhe helmojnë debatin politik”. 

“Ato shkatërrojnë vlerësimin për artin filmik në Berlinale”, ka thënë ai për gazetën “Tagesspiegel”.

Gjermania mbetet një nga mbështetëset më të forta të Izraelit dhe furnizuesi i dytë më i madh i armëve për këtë vend. Liderët politikë thonë se kjo politikë bazohet kryesisht në ndjenjën historike të fajit për Holokaustin nazist, një qasje e njohur si “Staatsraison” ose “arsye shtetërore”.

Ekspertë të të drejtave të njeriut, studiues dhe një hetim i Kombeve të Bashkuara thonë se ofensiva izraelite në Gazë përbën gjenocid, gjë që Izraeli e mohon fuqishëm, duke argumentuar se veprimet e tij janë vetëmbrojtje pas sulmeve terroriste të 7 tetorit 2023.

Qeveria gjermane financon 40 për qind  të festivalit të filmit. Në kushtet e shkurtimeve të mëdha në financimin e artit dhe kulturës, festivali është nën presion për të ruajtur mbështetjen shtetërore.

Gjatë Berlinales, drejtoresha Tricia Tuttle këmbënguli se kjo nuk e kufizon festivalin: “Ata kanë mbikëqyrje strategjike, pasi unë raportoj për çështje financiare”, ka thënë ajo për DW, “por çfarë bëjmë dhe çfarë themi është plotësisht në dorën tonë. Nuk marrim urdhra apo direktiva”.

Në vitin 2024, ministri i kulturës i Berlinit tentoi ta lidhte financimin e artit me pranimin e përkufizimit të diskutueshëm të antisemitizmit të IHRA-s. Edhe pse klauzola e propozuar kundër diskriminimit u tërhoq më vonë, ajo kontribuoi në presionin ndaj institucioneve kulturore.

Një argument në letrën e hapur të vitit 2026 kundër Berlinales ishte se festivali kishte bërë më parë “deklarata të qarta” për “mizoritë” ndaj civilëve në Ukrainë dhe Iran.

“Ne i bëjmë thirrje Berlinales të përmbushë detyrimin e saj moral dhe të deklarojë qartë kundërshtimin ndaj gjenocidit të Izraelit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës ndaj palestinezëve”, shkruhej në letër.

Tuttle justifikoi përpjekjen e festivalit për të ruajtur neutralitetin duke thënë se kjo çështje “është jashtëzakonisht polarizuese. Në çdo bisedë duhet të mbahet parasysh kompleksiteti i situatës.”
Berlinalja ndiqet nga afër edhe nga autoritetet dhe komentatorët kulturorë izraelitë.

Ambasadori izraelit në Gjermani, Ron Prosor, përgëzoi largimin e Schneider nga ceremonia: “Respekt për ministrin Schneider dhe qartësinë e tij morale,” deklaroi ai për “Bild”, duke shtuar se Berlinalja rrezikon reputacionin nëse “shndërrohet në platformë për urrejtësit e Izraelit”.

Një bloger i “Times of Israel” shkroi se “elita kulturore e Gjermanisë po luan me zjarrin”, ndërsa një komentues i “Jüdische Allgemeine Zeitung” e cilësoi fjalimin e Alkhatib si “fanatizëm”.

Nga ana tjetër, fushata që kërkon një qëndrim zyrtar të Berlinales për Gazën ushtroi presion edhe mbi kineastët dhe aktorët, të cilët u pyetën vazhdimisht për qëndrimet e tyre politike gjatë konferencave për medie.

Kjo çoi jo vetëm në deklaratën e diskutueshme të Wenders për “qëndrimin larg politikës”, por edhe në pyetje që shpesh nuk kishin lidhje me filmat.

“Këto momente virale mund të dëmtojnë seriozisht filmat, nëse e gjithë vëmendja përqendrohet te polemikat dhe jo te vetë filmat”, ka thënë Tuttle, duke shtuar se artistët vendosen në një situatë të pamundur: “Njerëzit detyrohen të flasin; nëse nuk flasin, konsiderohet fyerje. Nëse flasin dhe nuk thonë atë që pritet, përsëri është problem. Dhe nëse thonë gjënë e gabuar, atëherë bëhet një krizë e madhe”.

Videoja virale e Wenders çoi edhe në bojkotin e festivalit nga autorja indiane Arundhati Roy, e cila tha se thirrja për të qëndruar larg politikës “është mënyrë për të mbyllur debatin mbi një krim kundër njerëzimit ndërsa ai ndodh në kohë reale”.

“Artistët janë të lirë të ushtrojnë të drejtën e tyre për lirinë e shprehjes në çdo mënyrë që zgjedhin”, ka thënë Tuttle, duke shtuar se ata “nuk duhet të pritet të komentojnë çdo debat më të gjerë mbi praktikat e festivalit.”

Ilker Çatak, filmi i të cilit “Yellow Letters” fitoi Ariun e Artë për filmin më të mirë, mbajti një nga fjalimet më të fuqishme të ceremonisë: “Ne nuk jemi armiq. Jemi aleatë”, ka thënë ai, duke shtuar se kërcënimi i vërtetë janë “autokratët, partitë e djathta dhe nihilistët e kohës sonë. Të mos luftojmë njëri-tjetrin – të luftojmë ata.”

“Yellow Letters” rrëfen historinë e dy artistëve që humbasin vendin e punës në një teatër shtetëror për shkak të bindjeve politike. Filmi në gjuhën turke përdor Berlinin dhe Hamburgun si zëvendësues të Ankarasë dhe Stambollit. Drama politike mbetet qëllimisht e paqartë për identitetin e politikanëve që kufizojnë lirinë artistike dhe për arsyet konkrete të ndalimit të punës së artistëve.

Disa kritikë menduan se kjo paqartësi e dobësonte ndikimin e filmit, ndërsa të tjerë theksuan se fakti që filmi u xhirua në Gjermani shërben si kujtesë e fortë se censura artistike mund të ndodhë kudo, jo vetëm në Turqi.

Pyetja mbetet: ndërsa Berlinalja përpiqet të tërheqë debatet e polarizuara të kohës sonë, a do të arrijë ajo të ruajë angazhimin ndaj zërave artistikë të ndryshëm edhe kur ata janë të diskutueshëm?

(Marrë nga DW)