Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“The Load” për krimet e serbëve më 1999 shfaqet në Beograd

Premierë botërore në edicionin e sivjetmë në Festivalin e Filmit në Cannes në maj të këtij viti, fitues i shfaqur në disa festivale të tjera me nam, “The Load” (Ngarkesa), nën regji të Ognjen Gllavoniq, tek të shtunën mbrëma është shfaqur në Beograd.

Paraprakisht, disa ditë më parë është dhënë edhe në Zagreb në kuadër të Festivalit të Filmit në kryeqytetin kroat. Kritika ndërkombëtare e ka vlerësuar goxha, por në Serbi ishin paralajmëruar reagime kundër tij. Qysh në verë, “Al Jazeera” e Ballkanit kishte shkruar se “ky është një film për të cilin Serbia hesht”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Me titullin origjinal “Teret”, në një orë e 38 minuta rrëfehet bartja e kufomave nga Kosova për në Serbi, saktësisht në Batajnicë. Historia thotë se rreth 700 trupa ishin bartur atje në një varrezë masive.

“Ovacione për filmin e shumëpritur ‘Teret’” (Ngarkesa), është titulli i lajmit të përcjellë të dielën në mediat serbe për premierën e dhënë në “sallën ‘Kombak’ të mbushur përplot”, në kuadër të Festivalit të Filmit Autorial. Ditëve në vazhdim do të shfaqet disa herë në lokacione të ndryshme në Beograd.

Për dallim prej asaj që është paralajmëruar, sipas raportimeve të mediave serbe, filmi është pritur mirë.

Regjisori 34-vjeçar ka disa vite që është duke punuar në këtë temë.

Fillimisht më 2016 një pjesë të historisë së Batajnicës e shpalosi nëpërmjet dokumentarit “Depth Two” (Thellësia dy) dhe premiera e tij do të jepej në Festivalin e Filmit në Berlin “Berlinale”. Ai kishte rrëfyer për gazetën se si ishte inspiruar për të realizuar fillimisht një dokumentar për Batajnicën, ku rreth 700 shqiptarë ishin bartur nëpërmjet kamionëve në varrin masiv, i cili, kur u zbulua, më 2001 kishte bërë goxha bujë në mediat botërore si rast që personifikonte krimet e Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës.

Dokumentari kishte marrë çmimin kryesor në festivalin e filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” në Prizren në gusht të vitit 2016.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Artikuj të ngjashëm