“Është e pamundur të jesh nga Britania e të mos e njohësh Kosovën”, thotë Jonathan Howard pas koncertit që ka mbajtur në Prishtinë së bashku me anëtarët e tjerë të ansamblit, “The King’s Singers”.
Sipas tij, Rita Ora dhe Dua Lipa kanë qenë aq të zëshme sa që të gjithë ata që i njohin këto dy këngëtare me famë ndërkombëtare, kanë dëgjuar edhe për vendlindjen e tyre, shkruan sot Koha Ditore.
Ardhja e “The King’s Singer” në kryeqytet, më 8 tetor, ishte konkretizuar në kuadër të edicionit të dytë të festivalit të muzikës korale “Prishtina International Vocal Festival”. Pika më interesante e këtij edicioni, sipas organizatorëve, ishte koncerti i këtij ansambli në zë gjithandej botës.
“The King’s Singers” u themelua më 1 maj 1968, kur studentët që kishin mbaruar studimet në kolegjin “The King’s” në Cambridge, mbajtën një koncert në sallën “Mbretëresha Elizabetë” në Londër. Për 51 vjet ansambli ruan veprat që kanë qenë pjesë e repertorit, duke shtuar edhe vepra të reja dhe aranzhime, me qëllim që të pasurohet programi.
Anëtarët e këtij grupi janë ndërruar, por megjithatë e kanë ruajtur frymën e njëjtë. Kontratenorët Patrick Dunachie e Edward Button, tenori Julian Gregory, baritonët Christopher Bruerton e Nicholas Ashby dhe Jonathan Howard (bas), janë anëtarët aktualë.
Grupi u bë i njohur në vitin 1970 dhe është fitues i dy çmimeve “Grammy” nga pesë nominime. Të parin e morën në vitin 2009 për “Best Crossover Classical Album” e të dytin për “Best Choral Performance” pas tre vjetëve, më 2012. Në fillim të këtij viti, në edicionin e 61-të, ishin nominuar për “Best Classical Compendiu”.
Tradita gjysmëshekullore
Jonathan Howard i është bashkuar ansamblit tash e gati një dekadë. Për këto vite thotë se nuk ka lexuar asnjëherë një kritikë të keqe për grupin....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)