Katër çmime ka marrë “The Handke Project” me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt. Shfaqja, që denoncon mohuesit e krimeve tek e zhvesh nobelistin Peter Handke, është dëshmuar si shfaqje e guximshme dhe ka triumfuar të premten mbrëma pikërisht në Festivalin e Teatrove në Ferizaj, i cili e provon misionin e teatrit. Edhe në natën e fundit, me ngjarjet që i kanë paraprirë ceremonisë së ndarjes së çmimeve – si “Premartyris” në Kishën Katolike – Festivali ka zbërthyer fuqinë dhe rezistencën e teatrit, siç ka bërë tash e më shumë se në gjysmëshekulli. Në edicionin e sivjetmë të 52-të, këtë e ka shpalosur me një frymë të re organizimi
“The Handke Project” qysh në premierë e në rrugëtimin e saj nëpër vende të ndryshme të rajonit, por edhe në botë, është çmuar për fuqinë e saj. Dhe pikërisht kjo shfaqje me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt, ka triumfuar në Festivalin e Teatrove në Ferizaj, i cili pos traditës mbi gjysmëshekullore – dëshmon fuqinë e teatrit, misionin e tij. Të premten mbrëma në ceremoninë e ndarjes së çmimeve është shpërblyer me katër trofe. Ka marrë Çmimin për shfaqjen më të mirë, atë për regjinë më të mirë, çmimin “Ismail Rama” për aktorin më të mirë të cilin e ka marrë Arben Bajraktaraj dhe për kostumografinë më të mirë, që e ka marrë Blagoj Miçevski.
Në mungesë të treshes ka qenë Aurelë Kadriu nga Qendra Multimedia ajo që i ka pranuar trofetë.
“Ka qenë një projekt ambicioz. Për këtë kemi qenë të vetëdijshëm në fillim si në aspektin strategjik të produksionit, por edhe në vendimet artistike”, ka thënë Kadriu. Për temën që trajton – e që është pikërisht hipokrizia e shkrimtarit austriak, Peter Handke, i cili është përkrahës i Millosheviqit e mohues i gjenocidit serb në Ballkan – Kadriu ka thënë se fatkeqësisht kjo gjendje vazhdon të jetë aktuale.
“Shfaqja ngre pyetje politike të cilat janë të vështira dhe ne mendojmë se është e rëndësishme t’i ngremë ato për publikun sepse teatrin e shohim si mision edukativ përveç përbashkues”, ka thënë ajo. Ndërkaq për kostumografin Blagoj Miçevski, ajo ka thënë se ka qenë person kreativ, i përpiktë dhe i veçantë në punën që e bën.
Juria, në përbërje prej Sulejman Rushitit, Edona Berishës dhe Zymber Kelmendit, ndau çmim të dyfishtë edhe për shfaqjen “Babai dhe Babai” me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Kushtrim Koliqit. Çmimin për aktoren më e mirë “Adriana Abdullahu” e mori Ilire Vinca. Ndërkaq atë për aktoren më të mirë në rol dytësor e mori Kosovare Krasniqi, e cila edhe e mori çmimin për profesoreshën e saj, Vincën, në mungesë të saj.

Për jetësimin e rolit të Lolës, vajzës së Sares dhe Dinit, Krasniqi ka thënë se ka qenë roli i parë profesional dhe në teatër.
“Procesi ka qenë i mrekullueshëm, kam pasur të bëj me njerëz profesionistë dhe fantastikë. Kam pasur fatin të luaj në krah të mësueses sime, Ilire Vinca, aktorit që e kam përcjellë ndër vite, Bujar Ahmeti, dhe një regjisori që është Koliqi”, ka thënë ajo për KOHËN.
Çmimi për aktorin më të mirë në rol dytësor e mori Blin Sylejmani në shfaqjen “Memorandumi”, nën regji të Agon Myftarit, e cila si prodhim të teatrit “Adriana” edhe e nisi rrugëtimin e këtij edicioni në natën e parë.
Për skenografinë më të mirë u vlerësua Burim Korça për shfaqjen “Ora e vdekjes”, prodhim i “Bokshi Teatër”, erdhi nën regjinë e Ilir Bokshit.
Korça e ka vlerësuar çmimin si motiv për të gjithë artisët që punojnë në fushën vizuale në teatro.
“Këtë shfaqje e karakterizon ideja e inskenimit fillestar. Ka qenë në kuadër të ‘FemArtit’ në Muzeun e Burgut të Prishtinës. Ka qenë open-air edhe këtu njësoj si atje. Kemi arritur ta inskenojmë gati përafërsisht me premierën në Prishtinë”, u shpreh Korça.
Çmime speciale kanë marrë aktoret Albulena Kryeziu-Bokshi, që luan Efta Sasin në “Ora e vdekjes”, dhe Liridona Shehu, që luan Robertën në “Deni dhe deti i thellë i kaltër”, produksion i teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit.
Kryetari i jurisë, Sylejman Rushiti, ka thënë se ky edicion ishte bindës se ka prurje të reja teatrore në hapësirat shqiptare.
“Kemi pasur shfaqje me gjetje regjisoriale të jashtëzakonshme, skenografi, kostumografi, shfaqje me shumë imagjinatë artistike”, ka thënë ai. “Kur shohim shfaqje të mira frymëzohemi të vazhdojmë me punët tona krijuese”.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se sivjet programi ka qenë me i pasur teksa ka pasur edhe publik më shumë.
“Ajo çfarë ka ndryshuar edhe në mënyrën e financimit është nga qasja e vjetër. Nga shumë projekte të përkrahura me buxhete të vogla, kemi kaluar në qasje me pak përfitues, por shuma më të madhe për t’u siguruar për ata që kanë cilësi në art dhe kulturë të mbështeten në buxhete më të mëdha”, ka thënë Çeku për KOHËN.

Ka thënë se ndihet krenar qe është ministër në një vend që skena e pavarur artistike ka potencial dhe vullnet ta mbajë gjallë jetën kulturore.
“Unë besoj qe tradita që e karakterizon këtë Festival duhet me u ruajt me shumë xhelozi. Në të njëjtën kohë kemi nevojë me u përshtatë me kërkesat e reja të audiencës sonë për fëmijët e të rinjtë që teatrin ta bëjmë më atraktiv për ta”, ka thënë ai.
Ndërkaq një ndjekëse e rregullt edicion pas edicioni të Festivalit, mësimdhënësja nga Ferizaj, Xhenita Krasniqi, ka thënë se dallimet në organizim kanë qenë më se të dukshme.
“Për dallim nga vitet e kaluara, Festivali sivjet është i organizuar në mënyrë më të përgjithshme dhe më speciale. Interesimi ka qenë në të njëjtin nivel, megjithatë organizimi është më në nivel për shkak te ndejave që po bëhen pas çdo shfaqjeje”, ka thënë ajo.
Një orë para ndarjes së çmimeve, jashtë konkurrencës është dhënë shfaqja “Koleksionisti i syve” me tekst të Ag Apollonin, nën regji të Ben Apollonit, e cila trajton represionin e dhunën që e kanë përjetuar viktimat e Bosnjës e të Kosovës. Ndërkaq një nga risitë e këtij edicioni, “RetroTeatri”, përmbylli kapitullin për këtë edicion me performancën e fundit, “Premartyris”, nën regji të Kushtrim Mehmetit. E inskenuar në Kishën Katolike, shikuesit u rikthyen te një produksion i 27 vjetëve më parë më parë. Aty shtjellohet rezistenca fetare në kohën e sundimit osman, që e impononte popullatën kishtare të konvertohej në islam, por atëherë s’ishte veç çështje religjioni, por vinte si përpjekje atdhetare e ruajtjes së rrënjëve. Po këtë temë e kishte jetësuar aktori e regjisori tashmë i ndjer, Ismail Rama me shfaqjen “Qëndresë”, i cili kishte portretuar rrëfimin për martirët e Karadakut. Atëherë shfaqja kishte qenë tejet intensive. Kishin luajtur mbi 50 aktorë. Me rastin e mbylljes së teatrove gjatë sundimit serb, Kisha Katolike në vitin 1995 kishte qenë adresa për premierë. Mirëpo rrugëtimi i saj kishte vazhduar në çdo objekt tjetër të kultit.

Nga versioni i vjetër i shfaqjes, në performancë është ruajtur tematika. Por kësaj radhe në skenë del një pjesë shumë më e vogël e aktorëve. Janë veç katër. Dhe i gjithë rrëfimi përmblidhet në 25 minuta si shkëputje. Mirëpo ka edhe elemente të reja. Interaktiviteti me publikun është njëra nga to. Aktorët e mirëpresin publikun në hyrjen e Kishës, me gotë rakie i bëjnë konak. Pastaj hyjnë brenda. Nga kati i dytë dëgjohet lutjet e njërit. Prej poshtë vijnë të tjetrit. Dikur të katërtit lexojnë lutje përnjëherë. Kisha përzihet mes funksionit liturgjik e atij artistik, e që këtë të fundit e rikthen. Mirëpo s’është performancë veç për fenë. Në të njëjtën kohë kumbon ezani e Ave Maria. Veshja e tyre tregon gjithë mesazhin: ruajnë fenë me veshje kombëtare. Ndërkaq ajo që bie në sy është pluhuri që kanë mbi supe, e që është “prekje” regjisoriale.
“Nëse në vitin 1995, ku këta e kanë realizuar shfaqjen në po të njëjtin vend e që mandej e kanë dhënë edhe në kishat e tjera, e kanë bërë për shkak të pamundësisë që të bëjnë teatër e sot është nevojë e kohës”, ka thënë regjisori Kushtrim Mehmeti, teksa ka nënvizuar se njihet për vendet alternative të të bërit teatër. I gjendur mes retrospektivës të së kaluarës dhe atraktivitetit si risi për publikun, regjisori ka thënë se ka tentuar të mos ia humbasë mesazhin.
“Pluhuri ka qenë si ide e imja që krejt çka kemi bërë paralufte, jemi duke ia vënë një pluhur edhe s’do të mund ta shkundim asnjëherë”, ka thënë ai.
Për aktorin Dashuri Rexhepi kjo performancë ka qenë rikthim ndjesish para gati tri dekadash. E njësoj e ka ndier edhe aktori tjetër, Arben Marevci.
“Kanë qenë krejtësisht rrethana të tjera, kemi qenë nën okupim. Kemi bërë çdo ditë prova këtu në Kishë. Gjithmonë gjatë provave vinin policia, na kanë maltretuar si në shfaqjet e tjera. Tash kemi qenë veç katër veta, atëherë kemi qenë mbi 50 veta. Ka qenë një mobilizim i jashtëzakonshëm, disa edhe kanë ndërruar jetë. Na kujtohen edhe njerëzit që kemi punuar bashkë e s’janë më”, ka thënë ai.
Nexhati Xhokli ka thënë se shfaqjet e tilla shpërfaqin rezistencën e popullit.
“Është fjala për një vepër interesante për martirët e Karadakut, e cila u kushtohet trevave rreth nesh, pjesa e Komunës së Vitisë me fshatra, kur ishte shpërngulja e dhunshme drejt Azisë së Vogël”, ka thënë Xhokli. “Drama quhej ‘Qëndresa’. Kjo jep mesazhin që si në kohën e qëndresës, fshatrat e Karadakut u qëndruan besnikë fesë dhe atdheut”, ka thënë aktori tjetër Ali Nikolla.
Nata e fundit e edicionit të 52-të ka mbaruar me performancën e Edona Reshitajt dhe bendit të saj, në oborrin e teatrit “Adriana”, nikoqiri shtatëditor i Festivalit të Teatrove në Ferizaj.