Producentët dhe ekipi mbështetës pas filmit “The Furnace” morën një goxha risk kur vendosën ta mbështesnin Roderick MacKayin në filmin e tij debutues, megjithëse shkrimtari-regjisor riosh di si ta shesë vizionin e tij ashtu siç di të bëjë edhe film. I vendosur në shkretëtirat e Australisë perëndimore në fund të qindshekullit të 19-të, ky Western dramatik, ambicioz e etnikisht laraman mbi një ngasës afgan të deveve dhe një hajdut të regjur ari është një klasik në çdo nivel, me mbijetoja të Westernave më të ndjeshëm në vitet ’70, të cilët iu jepnin vendasve dinjitet e thellësi dhe mëdyshjet morale nuk janë bardhezi.
I dhënë premierë në Venecie, filmi gërsheton ndjeshmërinë racore me një rrëfimtari të paqme sipas mënyrës së vjetër.
Filmi hapet më 1879, kur një diçiturë shpjegon që Australia Perëndimore përshkohej kryq e tërthorë nga karvanë devesh ngasësit e të cilave, që britanikët i kishin pajtuar nga Afganistani, India e Persia, siguronin bartjen e të mirave përgjatë shkretëtirës sfilitëse. Për dallim nga ardhësit e bardhë, këta tregtarë myslimanë, sikhë e hindusë, zhvilluan marrëdhënie të afërta me popullsinë vendëse, njohuritë e së cilës mbi terrenin ishin jetike për mbijetesë.
Afgani riosh Hanif Gilal Abdullah (i interpretuar nga aktori egjiptian Ahmed Malek) punon me Jundahun (Kaushik Das), mbikëqyrësin e tij sikh me natyrë të mirë, dhe që të dy formojnë një lidhje të ngushtë me Woorakun (Baykall Ganambarr) dhe fisin e tij, madje edhe duke komunikuar në gjuhën aborigjene, Badimaya.
Një ditë, një ardhacak qëllon për vdekje Jundahun, dhe Hanifi ecën mbi trupat e burrave të vrarë kinezë bashkë me Mal Rileyn (David Wenham), një i bardhë, i plagosur rëndë.
Mali ka me vete shufra të vjedhura ari, por ai nuk mund të bëjë gjë prej gjëje me to për shkak se ato janë të stampuara me një kurorë identifikuese; ai duhet t’i çojë ato në një furrnaltë ashtu që të shkrihen e të riformohen... (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)