Se Teatri Kombëtar i Kosovës ka probleme elementare, është gjë që dihet. Anulimi i shfaqjeve shkaku i mungesës së energjisë elektrike është një kronikë e paralajmëruar.
Të martën mbrëma shkaku i mungesës së energjisë elektrike është anuluar repriza e shfaqjes “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” me tekst të Beqir Musliut, nën regji të Erson Zymberit. Prej orës 16:00, TKK-ja nuk ka pasur energji elektrike. Ky institucion ka tentuar që të evitojë një problem të tillë.
KOHA ka marrë vesh se nja 70 bileta kanë qenë të rezervuara për këtë reprizë. Jo pak shikues të tjerë i kanë kthyer.
Më 22 dhjetor të vitit të kaluar publiku kishte mbetur në holl për gati gjysmë ore shkaku i ndërprerjes së energjisë elektrike pak para orës 20:00, kur pritej të jepej premiera e shfaqjes “Unë”, nën regji të Kreshnik Musollit. Punonjësit e TKK-së kishin intervenuar për ta kthyer energjinë elektrike deri në përfundim të shfaqjes.
TKK-së nuk i funksionon gjeneratori. Sipas punonjësve, ka dy muaj që është bërë kërkesë në MKRS për të mundësuar rregullimin e gjeneratorit, në mënyrë që të mos varen nga energjia elektrike. Por nuk ia ka dalë që ta zgjidhë këtë hall.
“Sonte më kanë thirrur nga MKRS-ja që të angazhojmë një mjeshtër për gjenerator. Duhet të ndërrohet vaji, bateria, disa filtra e të tjera”, ka thënë për KOHËN Beqir Beqiri, organizator i TKK-së. Sipas tij, një mjeshtër që e ka shikuar gjeneratorin ka kërkuar rreth 430 euro për ta rregulluar.
“Procedurat marrin kohë dhe mjeshtrit e tillë na i kërkojnë paratë menjëherë”, ka thënë Beqiri.
Anulimin e shfaqjes “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” e kanë lajmëruar edhe disa aktorë në rrjete sociale. Aktori Afrim Muçaj ka postuar një fotografi ku shihet se mungojnë dritat dhe ka ironizuar duke shkruar se “Të gjallët mbajnë zi për atdheun”.
Me dramaturgji të Jeton Nezirajt, “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” është një udhëtim teatror nëpër veprat e shkrimtarit të njohur Beqir Musliu.
Motivet kryesore nga përmbledhja e tij me katër drama, tetralogjia “Shtrigani i Gjel-Hanit”, janë lidhur e bërë bashkë për të krijuar një strukturë të re dramatike e cila rezonon e i jep eho një bote të shkuar, “ku kalorës me kuaj prej druri kalërojnë nëpër mitet e legjendat tona, nëpër dramat e traumat tona, nëpër fajin tonë të cilin e kemi ndrydhur e gjuajtur në harresë!”.
“Defilojnë në shfaqjen tonë shtriga e zana mali, kalorës të vdekur, dasmorë gazmorë, dhëndurë të çuditshëm, mbretër gjakatarë e pretendues fronesh revolucionarë, nëna të harruara në vetmi e motra që udhëtojnë kaluar me të vdekur, cuba të kastruar, kuaj prej druri e viktima pa kokë!”, shkruhet në përshkrimin që i ka bërë shfaqjes TKK-ja. Produksioni që premierën e kishte në janar të vitit të kaluar ngre pyetje për viktimat e për atdheun e poshtëruar nga të gjallët.