Pranë fshatit Rrasë të Bashkisë Belsh ka nisur puna për gërmimet arkeologjike të strukturave të zbuluara të një terme të periudhës romake.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore i Shqipërisë ka njoftuar të enjten se pas njohjes me terrenin dhe në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Bashkinë Belsh është angazhuar të vijojë të gjithë procesin, për të zbuluar më tej “Terma romake” dhe për të marrë çdo informacion të paidentifikuar më parë, për këtë zonë. Ky lokalitet gjendet nja 30 kilometra larg Elbasanit.
“Puna ka nisur me procesin e pastrimit dhe piketimit të hapësirës, ku do të kryhet gërmimi arkeologjik, në bashkëpunim me studentët e Universitetit të Tiranës, Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, si dhe Departamentin e Trashëgimisë Kulturore dhe Arkeologjisë”, ka shkruar Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në një postim në rrjetet sociale.
Sipas IKTK-së, ky zbulim i veçantë do të jetë një vlerë e shtuar për zonën e Belshit, duke sjellë njohuri më të thelluara të shtresave të historisë, e gjithashtu, duke e pasuruar zonën me një vendbanim të ri arkeologjik.
Vetëm tri kilometra larg qytetit të Belshit, në fshatin Rrasë, ky vendbanim, në të cilin përveç rrënojave të një ndërtese romake, termë e shekullit të dytë, ka dhe praninë e eshtrave të lashta. Këto eshtra faktojnë se në këtë zonë ka pasur jetesë të hershme dhe qytetërim.
Terma e shekullit të dytë është një vendpushim e banim i karvanëve të kohës dhe të tilla deri më tani në Shqipëri janë identifikuar në Butrint dhe Dyrrah, Durrësin e sotëm.
-
“Reuters”: Varri i një romaku të pasur zbulohet në Shqipëri
-
Arkeologët në Turqi zbulojnë pishinën antike me standarde olimpike
-
Varri unik i zbuluar në Rumani, hap një kapitull pesë mijë vjet të vjetër
-
Zbulim tronditës në Poloni, gjenden mbetje njerëzore të mbi 30 personave në një pronë private
-
Roma e përjetshme si muze i gjallë