Në këtë teknotopi do të ballafaqoheni me neverinë sublime të zhurmës së ftohtë që paraqitet nëpërmjet repeticionit permanent të formave gjeometrike, apratuseve dhe zhurmës së bardhë. Fundja, ekspozita që është transformuar në teknotopi nuk është përgjigje e reduktuar për pyetjet komplekse, por është pyetje komplekse për kompleksitetet. Prandaj, veprat e Shkambit e kanë një sintagmë në formë pyetjeje për ne e ajo është: Is this hyper-real?
Autor: Labinot Kelmendi
Teknologjia dhe arti prej Antikës nuk kanë qenë të ndara, por shpesh janë përdorur si sinonime në kontekste të caktuara. Ato njëherazi edhe e shënjojnë karakterin produktiv të të-qenit-tonë-në-botë. Në këtë ekspozitë e kemi një bashkim të këtyre dy formave të shprehjes së qenies. Së pari: ekspozita si vendi (topoi) ku manifestohet kjo shkathtësi (techne) poetike (poiesis) dhe së dyti: vepra si një manifestim “tekno-estetikë”, sepse formohet një simbiozë mes estetikës që është teknike dhe teknikës që është estetike. Ekspozita nëpërmjet këtij manifestimi tekno-estetikë e merr formën e një teknotopie. Pra, vendi ku piktura nuk është poezi e heshtur, por ku transformohet në poetikë të zhurmshme. Si rrjedhojë e kësaj zhurme të bardhë [white noise] ajo e zvetënon raportin mes reales dhe imagjinares, origjinales dhe artificiales e ky moment shënjohet si përjetimi estetik i hiperrealitetit. Përjetimi estetik i hiperrealitetit na mundësohet kur fuzionohet një triptik i komponentëve, ai i pikturës, zhurmës dhe apratuseve që në ekspozitën e artistit Shkamb Jaka janë më se evidente.

Në veprën “Dimesions of Narcicuss” nëpërmjet tropeve që i gjejmë te surealizmi dhe ekspresionizmi na ofrohet përvoja dydimesionale në pikturën aktuale, e si potencialitet nëpërmjet intervenimeve të sipërpërmendura të imazheve teknike mëton të na ofrojë përjetimin katërdimensional. Interteksti i veprës duket se e përshkruan dimensionin e narcisit hipermodern që nëpërmjet aparatuseve tenton të na heqë barrën e origjinalitetit. Andaj, fuzionimi mes pikturës dhe aparaturës nuk tenton që të projektojë ngjashmëri, por përkundrazi hiperngjashmëri si moment i ftohtë i vdekjes së origjinalitetit, që do të thoshte Baudrillard. Ky regjim i ftohtë nuk është heshtje, por është zhurmë. Heshtja i takon rrafshit të atomeve, ngase ato vdesin, ndërsa pjesëzat në formë të bitit i takojnë zhurmës, andaj janë eternale. Njeriu është vdekatar, kurse imazhi është i pavdekshëm.
Vepra “Frozen Thoughts” është mjaft sinjifikative që ta dekodojmë konceptin e ekspozitës. Ajo paraqet format valore, që në shikim të parë ta krijojnë ndjenjën e rripit të Möbiusit. Ndërkaq Rripi i Shkambit është tjetër, sepse ai gjatë gjithë kohës mëton në formë litanie ta na paraqesë ftohtësinë hiperreale. Aparatuset si vepra janë të ftohta e nganjëherë edhe mendimet tona për to. Kjo gjendje ftohtësie është në sinkron me zhurmën e brendshme të artistit, asaj zhurme që në pasiguri si te filmi i Gaspar Noé-së “Enter the Void”, kur ne hyjmë në jouissance-in virtual.
Në këtë teknotopi do të ballafaqoheni me neverinë sublime të zhurmës së ftohtë që paraqitet nëpërmjet repeticionit permanent të formave gjeometrike, apratuseve dhe zhurmës së bardhë. Fundja, ekspozita që është transformuar në teknotopi nuk është përgjigje e reduktuar për pyetjet komplekse, por është pyetje komplekse për kompleksitetet. Prandaj, veprat e Shkambit e kanë një sintagmë në formë pyetjeje për ne e ajo është: Is this hyper-real?
Edhe
“Çrregullimet e sakta” në metaforë të pranisë njerëzore
Labinot Kelmendi, asistent në Departamentin e Filozofisë në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, është kurator i ekspozitës “Technotopia: Is This Hyperreal?” të Shkamb Jakës e hapur më 29 mars në qendrën kulturore “Tulla” në Tiranë