Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Teatri Shqiptar i Shkupit rihap dyert pas rinovimit prej 10 milionë eurosh

Ka pritur gjatë për kushte më të mira, por i është shpaguar. Projekti për rinovimin e objektit të Teatrit Shqiptar të Shkupit, i nisur qysh më 2012, tashmë është shpallur i përfunduar. Investimi prej 10 milionë eurosh sjell kushte të reja pune e inaugurimi u bë pikërisht në 71-vjetorin e themelimit të institucionit teatror. Ceremonia është shoqëruar me emocione të përziera. Aty janë kujtuar edhe ata që i dhanë emër këtij teatri e që s’janë më në mesin e të gjallëve

Më në fund perdja u ngrit. Ulëset u mbushën me publik dhe aktorët u rikthyen në shtëpinë e tyre. Pas një periudhe pesëvjeçare të rinovimeve e zvarritjeve prej dy vjetësh për shkak të pandemisë, Teatri Shqiptar i Shkupit rihapi dyert në objekt të rinovuar. Ceremonia inauguruese përkoi me 71-vjetorin e themelimit të Teatrit. Artdashës nga vende të ndryshme kishin ardhur për të parë pamjen e re të njërit prej tri teatrove shqiptare në Maqedoninë e Veriut, i vetmi i cili ka një objekt të vetin për dallim nga ai i Tetovës dhe Kumanovës. Procedurat për projektin rinovues nisën qysh më 2012 dhe u shpallën të përfunduara tek të shtunën e javës që shkoi, kur u organizuara edhe ceremonia.

Koncentrimi më i madh i rinovimit ka qenë në sjelljen e një teknologjie moderne në skenën e tij, teksa disa nga pjesët ku ka pasur ndërhyrje janë skena e vogël, ajo e madhe, gardëroba, grimoret e salla e provave.

Image

Koncentrimi më i madh i rinovimit ka qenë në sjelljen e një teknologjie moderne në skenën e tij, teksa disa nga pjesët ku ka pasur ndërhyrje janë skena e vogël, ajo e madhe, gardëroba, grimoret e salla e provave


Pas pritjes së mysafirëve nën tingujt e muzikës klasike në hollin e Teatrit, të pranishmit kaluan në skenën e madhe, teksa u shoqëruan nga një prezantim historik në shqip e maqedonisht i krejt këtij rrugëtimi.

Ishte viti 1974 atëherë kur ky objekt u përurua për herë të parë, teksa fillet e artit skenik në qytetin dikur administrativisht shqiptar jehojnë që nga viti 1940, e që nga viti 1949 ka bashkëjetuar me dramën turke.

Aktorët të cilët deri më tani kishin performuar në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë, Teatrin e Fëmijëve dhe Teatrin e Komedisë, e vazhduan rrugëtimin prej 300 premierash në objektin tashmë me pamje të re, një investim, kostoja e të cilit ka shkuar mbi 10 milionë euro financuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Ministria e Kulturës, nismuar në kohën e ministres Elizabeta Kanchevska-Milevska.

Edhe Galeria në kapitull të ri me renovimin prej 1.7 milion eurosh Kulturë Galeria në kapitull të ri me renovimin prej 1.7 milion eurosh

Teatri që pati premierën e parë në vitin 1950 me shfaqjen “Martesa e Gogolit”, kësaj radhe publikut ia shfaqi “Bregun i pikëllimit” nën regji të Altin Bashës, me tekst të Teki Dervishit. Pikëllimi ka pasur në shfaqje edhe për të tjera arsye.

Image

Teatri Shqiptar i Shkupit inaugurimin e objektit të rinovuar e ka bërë edhe me shfaqjen “Bregu i pikëllimit”, nën regji të Altin Bashës, me tekst të Teki Dervishit


Vdekja e aktorit Luan Ahmeti më 25 mars të këtij viti në moshën 46-vjeçare, i cili kishte rolin kryesor në këtë shfaqje, atë të lojtarit, bëri që publiku të shijonte skenat e tij nëpërmjet xhirimit të videos në para-premierë, në dhjetorin e vitit të kaluar. Me një hyrje përplot tension e emocion nga performancat muzikore të gërshetuara brenda shfaqjes, kjo copëz artistike bëri që publikut t’i ndalej koha nga kureshtja për të parë vazhdimin e shfaqjes.

Produksioni madhështor, gërshetimi i epokave kohore me kostumet e paraqitjet skenike të aktorëve, mesazhi filozofik, pavarësia e personazhit kryesor dhe ngulmimi i shkeljes së tij nga të tjerët, ishin disa nga veçoritë e kësaj shfaqjeje. Ajo u duartrokit fuqishëm e gjatë, sidomos me rastin e përfundimit të video-shfaqjes dhe daljes së aktorëve, nën hijen e mungesës së Ahmetit.

Në vend të gëzimit të rikthimit, te ta triumfoi mërzia e humbjes.

“Kemi kaluar kohëra të vështira”, u shpreh drejtori i Teatrit Shqiptar të Shkupit, Adem Karaga, teksa pas pak minutash kujtoi kolegët e ndjerë.

Aktorët Luran Ahmeti, Sefedin Nuredini dhe shefi i skenës, Skënder Daci, ishin arsyeja e pikëllimit dhe e kujtimit në një ditë gëzimi, teksa para kastës së aktorëve “erdhën” edhe ata, veçse me formën e imazheve.

"Unë hapje solemne më të zymtë në jetën time nuk kam hasur”, nisi fjalët e tij për KOHËN Visar Etemi, aktori i cili me lot në sy mezi fliste. Etemi ka thënë se i kanë humbur kolegët e shtëpisë më të madhe që kanë në jetë, Teatrit.

“Nuk besoj që në këtë teatër një aktor nuk e do me gjithë shpirt këtë godinë. Do t’i kujtojmë derisa jemi këtu dhe besoj që ky teatër do t’i ketë sukseset që i ka pasur edhe më parë”, ka përfunduar Etemi.

Ndërkaq Qëndrim Rijani, regjisori i cili ka qenë pjesë e Teatrit Shqiptar të Shkupit në objekte të tjera dhe do të nisë rrugëtimin në objektin e rinovuar, ka thënë se ndihej mirë me risitë e intervenimeve.

“Hapja e këtij lloj teatri me të gjitha këto mundësi skenike në aspektin e teknologjisë është një gëzim për të gjithë regjisorët të cilët kanë qenë dhe do të jenë pjesë e tij”, ka thënë ai.

Ka theksuar se ky teatër për të ka një ndër sallat më të mira në aspektin e teknologjisë skenike.

“Për mendimin tim është më e mira në Maqedoni”, ka konkluduar Rijani.

Edhe “Gërrdia” s’e fsheh traumën që i bën hije ekzistencës EXPRESS “Gërrdia” s’e fsheh traumën që i bën hije ekzistencës

Gardëroberja e cila tash e 25 vjet është mishëruar me kostumet e aktorëve, Hatixhe Demiri, ka thënë se e ka pritur me padurim këtë hapje, teksa ka kujtuar kushtet në të cilat kanë punuar deri tani.

Ka qenë pak më ndryshe, pak më problem. Kemi qenë në një hapësirë më të ngushtë”, ka thënë Demiri.

Drejtori i Teatrit, Karaga, ka thënë se kjo hapje u solli shumë emocione e nostalgji për paraardhësit e kësaj skene.

“Ne patëm mundësinë për të provokuar Qeverinë e asaj kohe për të investuar me një projekt modest që e kishim përgatitur. Me kalimin e kohës paraqiteshin nevojat prej më të ndryshmeve, sepse teknologjia skenike ndërronte. Nga një teknologji analoge të kohës e pamë të arsyeshme të kalojmë te një teknologji digjitale skenike”, ka thënë ai teksa ka përmendur edhe arsyet e vonesës së inaugurimit.

Që nga vitin 2012 kur filluan procedurat, ishte koha e fundit që të ndërmerrnin diçka për ndryshimin e kushteve në Teatër.

“Kjo godinë është zhveshur tërësisht edhe është veshur nga fillimi, me disa ndërhyrje në pjesën e foajesë, teknologjisë skenike, regjive të bartjes së shfaqjeve, ndriçimit, zërimit e titrimit, sallës së vogël e sallës së kuqe”, ka thënë ai. “Procedurat burokratike politike”, janë arsyet që i thekson kur flet për vonesat. “Ne nuk u zvarritëm më shumë se 5 vjet, ne realisht në shtator të vitit 2019 ishim këtu dhe këtë shfaqje kemi përgatitur në shtëpinë tonë dhe patëm edhe një premierë të mbyllur, por për hir të dorëzim-pranimit teknik u shty”, ka thënë Karaga.

Ai ka konstatuar se tashmë është krijuar një ndër teatrot që janë të rregulluara më së miri teknikisht.

E për të përjetuar për së afërmi këtë gëzim artistik i pranishëm ishte edhe aktori nga Shqipëria, Sotiraq Bratko.

“Është kënaqësi e madhe të jem këtu mes njerëzve të artit e kulturës që festojmë bashkë hapjen e këtij teatri, i cili pritej me vite të tëra të ekzistonte në Shkup”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, ai ka thëne ky teatër tashmë ka nam suksesi dhe e gjitha që u mbetet është të vazhdohet jetëgjatësia e kësaj vlere.

“Mua nuk më shqetëson nëse është teatri i mirë apo jo, por sa do të arrijnë aktorët ta ngopin publikun shqiptar dhe atë të Shkupit”, ka thënë Bratko.

Edhe Teatri Kombëtar e mbyll vitin me shumë telashe, nis planet për 80-vjetor Kulturë Teatri Kombëtar e mbyll vitin me shumë telashe, nis planet për 80-vjetor

Teatri Shqiptar i Shkupit do të vazhdojë rrugëtimin artistik tashmë në kushte më të mira në aspektin e objektit, teksa intervenimi i fundit ka qenë në vitet 2006-2007, duke ndërhyrë në korridoret e Teatrit.