Teatri Kombëtar i Kosovës mbeti përkohësisht pa shtëpi kur objekti u mbyll në korrik të 2022-s. Disa muaj më pas, në nëntor, u adaptua dhe u funksionalizua si sallë teatrale Amfiteatri i Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Por Teatri u kufizua në hapësirë të skenës e numër të audiencës. Kushtet e sallës nuk ishin aq të favorshme. Përderisa ende nuk dihet se kur do të nisë rinovimi i objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, punimet në “shtëpinë e re” të institucionit teatror veç kanë filluar
Përderisa ende nuk dihet se kur do të nisë rinovimi i objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, punimet në “shtëpinë e re” të institucionit teatror veç kanë filluar. Amfiteatri i Pallatit të Rinisë që për më shumë se një vit funksionon si skenë e Teatrit Kombëtar të Kosovës veçse ka nisur të marrë tjetër imazh. Ndërhyrja aty pritet të përfundojë në fund të këtij muaji. Me të synohet të fuqizohet destinimi i tanishëm i hapësirës.
Teatri Kombëtar i Kosovës mbeti përkohësisht pa shtëpi kur objekti u mbyll në korrik të 2022-s. Disa muaj më pas, në nëntor, u adaptua dhe u funksionalizua si sallë teatrale Amfiteatri i Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Por Teatri u kufizua në hapësirë të skenës e numër të audiencës. Kushtet e sallës nuk ishin aq të favorshme.
Të shtunën pamja e sallës ka qenë krejt tjetër. Krejt ulëset në pjesën e publikut janë çmontuar nga dyshemeja. Ka katër dekada që janë aty dhe kompleksi është monument. Dy ulëse të objektit të Teatrit Kombëtar kanë qenë testi për kushtet e reja në sallë për akomodimin e publikut. Pritet që të vjetrat të konservohen dhe pas procesit të restaurimit të rikthehen në vendin e tyre.
Për t’i dislokuar ato përkohësisht është dashur leje nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Rinovimi i Amfiteatrit, që ka nisur të premten, do të përfshijë edhe ndërhyrje të tjera. Me kontratë parashihet heqja e dyshemesë ekzistuese dhe vendosja e një të reje, furnizimi me perde, ndriçim, heqja e tepisonit aty dhe zëvendësimi me një të ri. Largimi i konstruksionit dhe i instalimit elektrik në pjesën e skenës, ngjyrosja e mureve dhe tavaneve, ngjyrosja e dyshemesë, zhvendosja e ulëseve ekzistuese nga salla dhe konservimi i tyre e bartja në depo të objektit sikurse edhe vendosja e ulëseve të TKK-së në Amfiteatër janë midis punëve që pritet të bëhen.
Në kontratën e dhënë nga Ministria e Kulturës, e cila kap shifrën totale mbi 146 mijë euro përfshihet gjithashtu furnizimi me laptopë dhe të tjera mjete teknike për audio e pjesën vizuale në skenë.
Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, ka thënë se me këto ndërhyrje do t’i kthehet dinjiteti asaj hapësire. Sipas tij, kjo është mundësia që salla të mbetet hapësirë alternative teatrore, por edhe që do të mbulojë sado pak mungesën e hapësirave kulturore në kryeqytet.
“Po shpresoj shumë që kjo hapësirë do të ngelet teatër për gjithë jetën për shkak se ne përkohësisht jemi futur këtu por në ndërkohë, e kemi krijuar një teatër të ri në qytet. Kur e dimë se Prishtina ka mungesë të teatrove, shpresoj se kjo në të ardhmen do të jetë një hapësirë kamertale e mirë dhe e shfrytëzueshme gjithmonë për teatër”, ka thënë drejtori i TKK-së, Kushtrim Sheremeti.
Prej ndërhyrjeve me peshë aty do të jetë heqja e platformave të ndërtuara ndër vite. Pjesa e skenës ishte përshtatur për emisione televizive, ndërsa kushtet e saj edhe për të kryer funksione si gjykatore e ambient shkollë.
Me heqjen e ulëseve, stafi i Teatrit ka zbuluar se në secilën është një lloj sistemi i ajrimit, por se ishte bllokuar nga gjendja si pasojë e moskujdesit ndaj tij. Me vendosjen e ulëseve të përdorura të objektit të TKK-së pritet të zgjidhet edhe problemi i ajrosjes së sallës.
Salla kishte kapacitet për të akomoduar publikun prej 202 vetash. Tash parashihet të rimodelohet vendosja e ulëseve sa u përket korridoreve ku publiku lëviz. Nga ato që ishin midis rendeve do të zhvendosen anash ndërsa është menduar të shtohet një rend i ulëseve në pjesën më të lartë.
Pritet që të zgjerohet edhe hapësira e tavanit e cila paraqet problem për skenografitë e shfaqjeve. Veçmas për “The Best European Show” - bashkëprodhimi ndërmjet Teatro Due - Parma, Teatri Kombëtar Slloven - Nova Gorica, Teatr Opole dhe Teatru Malta – që do të ketë premierën në Kosovë këtë prill.
Drejtori Sheremeti ka njoftuar ka thënë se gjatë vitit të kaluar në atë sallë ishin mbajtur mbi 140 aktivitete që përfshinin premiera e repriza me rreth 20 mijë shikues. Shfaqja “Kamarja e turpit” me tekst të Ismail Kadaresë, e dramatizuar nga Doruntina Basha dhe me regji të Kushtrim Koliqit pritet të jetë shfaqja me të cilën Teatri përuron kushtet e reja. Aty sivjet do të organizohet edhe festivali “Moisiu”.
“Teatri Kombëtar i Kosovës ka një numër të madh të aktiviteteve dhe të publikut që vjen t’i shohë ato, prandaj meritojmë kushte më të denja. Jam jashtëzakonisht i lumtur që po bëhen këto investime të cilat po shpresojmë të përfundojnë në fund të janarit, eventualisht në ditët e para të shkurtit që të mund të rifillojmë me repriza dhe me provat e shfaqjes së parë për sivjet”, ka thënë drejtori Sheremeti.
Sipas tij, kur ishte vendosur t’u jepet Amfiteatri, aty “gjendja ka qenë e tmerrshme, salla bashkë me hapësirat përcjellëse ka qenë totalisht e shkatërruar prej mosmirëmbajtjes njëzet e shumë vjeçare të kësaj hapësire”.
“Si fazë të parë kemi bërë vetëm sanime emergjente sa të mund të zhvillojmë punën, ndërsa tash për fat të mirë Ministria e Kulturës e ka ndarë një grant dhe është duke u bërë adaptimi i kushteve, sanimi i problemeve që janë në këtë sallë që kemi pasur aktorët, bashkëpunëtorët tanë, por edhe publiku”, ka thënë Sheremeti, i cili ka theksuar vlerën e sallës, përkundër se ndër vite ishte tjetërsuar.
“Tepihu ka qenë i mykur e ulëset e shkatërruara, por për të qenë korrekt duhet ta ruajmë një copë trashëgimie që e ka kjo sallë, edhe pse shumë është tjetërsuar me vite, ka qenë gjykatë, pastaj qendër e KFOR-it, pastaj shkollë, hapësirë ku janë bërë emisione televizive, debate politike e aktivitete të partive politike”, ka thënë Kushtrim Sheremeti, drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Si pasojë e mbylljes së objektit të Teatrit Kombëtar, ansambli i TKK-së është dashur të adaptohet në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, përderisa ai i Baletit Kombëtar të Kosovës në ambientet e ansamblit “Shota”. MKRS-ja disa herë ka hapur thirrje për të kontraktuar kompani për renovim, por kishte dështuar.
Në maj të 2022-s një grup i profesorëve të Fakultetit të Ndërtimtarisë së Universitetit të Prishtinës ia kishte dorëzuar Ministrisë së Kulturës një raport mbi gjendjen e objektit.
Në tetor, KOHA kishte raportuar se Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës bashkë me Ministrinë e Kulturës e kanë mbyllur ndërtesën e institucionit më të lartë teatror, duke nxjerrë konstatime të paqena. Të paktën profesionistët që janë thirrur për të bërë një vlerësim të gjendjes fizike të ndërtesës nuk kanë rekomanduar mbyllje. Nuk është konstatuar se ndërtesa si tërësi paraqet rrezik për punëtorët dhe publikun, e as që gjendja është alarmante.