Kulturë

Teatri Kombëtar nis një tjetër vit me sfida e improvizime

Telashet me gjenerator është vetëm një tregues i asaj se me çfarë vazhdon të përballet Teatri Kombëtar i Kosovës e një kapitull i vogël midis halleve që barten prej vitit në vit. Më 2021, TKK-ja – duke pasur parasysh edhe rrethanat pandemike – është përballur me probleme të shumta. Në skenën e madhe janë dhënë veç tri premiera. Ajo e janarit e 2021-tës ishte projekt i vitit 2020. Sipas Ligjit për teatro ky institucion duhet të realizojë së paku pesë premiera. Intervenimet provizore edhe në infrastrukturë, në pritje të rinovimit të paralajmëruar, janë sfidat e këtij institucioni, që më shumë se dy vjet udhëhiqet me zëvendësues në dy pozitat më të larta

Teatri Kombëtar i Kosovës është në hall. Problemet janë prej elementareve deri te niveli artistik. Në ditën e katërt të vitit, organizatori Beqir Beqiri është orvatur për ta rregulluar gjeneratorin. Në ditët e fundit të vitit të kaluar institucioni më i lartë teatror në Kosovë – sikurse krejt vendi – është përballur me reduktime të energjisë elektrike. Punonjësve u është dashur që të gjejnë alternativa për t’i kërkuar KEDS-it që të paktën gjatë shfaqjeve të kenë energji elektrike. Problemi i gjeneratorit është mungesa e disa litrave vaj.

“Ka dy muaj që kemi bërë kërkesë për këtë furnizim. Tash po e presim edhe një mjeshtër”, ka thënë organizatori Beqiri. As të martën nuk ia ka dalë ta zgjidhë këtë problem. Ka thënë të jetë lodhur me improvizime.

Por këto telashe janë veç një kapitull i vogël midis halleve të TKK-së. Vitin e kaluar TKK-ja – duke pasur parasysh edhe rrethanat pandemike – është përballur me probleme të shumta. Në skenën e madhe janë dhënë veç tri premiera. Ajo e janarit e 2021-tës ishte projekt i vitit 2020. Sipas Ligjit për teatro ky institucion duhet të realizojë së paku pesë premiera. Kaq i kishte vetëm në atë që quhet “skena e vogël, e vogël”.

Edhe sa u përket shifrave të biletave TKK-ja nuk qëndron aspak mirë. Gjatë gjithë vitit ka pasur 102 repriza. Janë anuluar 46 sosh. Shfaqje mysafire ishin 35. Gjithsej janë shitur 5,009 bileta. Prej tyre, 4,391 euro kanë shkuar për produksionet që kanë shfrytëzuar hapësirat e TKK-së. E institucioni ka regjistruar 4,968 euro të hyra vetjake. Nuk janë as sa paga vjetore e një punonjësi të skenës në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” me tekst të Beqir Musliut e regji të Erson Zymberit dhe “La Rrem” me tekst të Arian Krasniqit e nën regji të Kushtrim Koliqit janë vlerësuar goxha si produkt teatror. Shfaqja e tretë gjatë vitit 2021 sa i përket skenës së madhe “Aroma e hënës” me tekst të Mehmet Krajës e regji të Rozi Kostanit ka qenë larg dy të parave. Është vlerësuar edhe si improvizim.

Naser Shatrolli, prej gushtit të vitit 2020 është ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të TKK-së. Institucioni numëron mbi dy vjet prej kur është pa drejtor të përgjithshëm. E janë bërë gati tre vjet pa udhëheqës artistik. Këto janë dy pozitat më të larta menaxheriale.

Shatrolli vitin e kaluar qe zgjedhur drejtor, por MKRS-ja pas pak kohësh e ktheu procesin në pikën zero shkaku i procedurave ligjore. Konkursi i ri për drejtor të TKK-së është i hapur. Afati i konkurrimit është prej 8 deri më 22 janar.

Shatrolli ka thënë se konsideron se vitin 2021 e karakterizon një rrjedhë kalendarike teatrore “brenda një logjike paralele mes skenës artistike - shfaqjeve dhe natyrës artistike, si dhe infrastrukturës”.

“Këtu kam parasysh, pavarësisht repertorin vjetor dhe përshtatshmëria me përqindjen e lejimit të vizitorëve dhe masat institucionale në relacion me TKK-në”, ka thënë ai. Ka përmendur ndërhyrjet në infrastrukturë. Është punuar në tualete e po ashtu edhe në sallat e gardërobës që shfrytëzohen nga Baleti Kombëtar i Kosovës. Për këtë vit Ministria e Kulturës ka paralajmëruar renovim të tërësishëm. Shatrolli ka thënë se vitin e kaluar kishte në vazhdimësi premiera në të dyja skenat. Ka thënë se dramaturgjia kombëtare ka dominuar, duke e radhitur këtë si vizion dhe synim të menaxhmentit.

“Investime (renovime bazike) në fushën e infrastrukturës (tualetet janë punuar nga zero, pastaj kemi bërë lidhjen e gypave të rinj për ujërat e zeza, pa e anashkaluar dhe lidhjen me ngrohtoren e qytetit që u bë në mandatin tim”, është një tjetër arritje që e ka përmendur Shatrolli. Për çështjen e lidhjes me ngrohtoren e qytetit është punuar shumë më herët. Në kohën sa Shatrolli është zëvendësues i drejtorit është kryer puna praktike. MKRS-ja gjatë viteve të fundit vazhdimisht ka planifikuar renovime në TKK. Disa punë janë ekzekutuar gjatë periudhës sa Shatrolli ushtron këtë pozitë.

“Më 2021 në mandatin tim si ushtrues i drejtorit të TKK-së fokusin e aktiviteteve në Teatër e kishte të orientuar në dy drejtime: Implementimi i filozofisë së dramaturgjisë kombëtare; ndërhyrja në infrastrukturën e TKK-së. Faktet janë të raportuara dhe verifikuara. Me këtë logjikë pune do të vazhdojmë punën në vitin 2022 deri në ditën e dorëzimit të detyrës së drejtorit të TKK-së”, ka thënë Shatrolli.

Dramaturgu Arian Krasniqi, ish-drejtor i këtij institucioni, ka thënë se nëse merren në konsideratë rrethanat pandemike, TKK është munduar që të mbajë në jetë programin artistik edhe me shfaqje të reja, por edhe me ato që janë bartur nga viti i kaluar.

“Natyrisht, këtë vit numri i premierave ka qenë më i vogël, por që besoj se me përmirësimin e situatës se pandemisë do të shtohet edhe aktiviteti krijues dhe performues në TKK”, ka thënë ai.

Pothuajse gjatë gjithë vitit institucionet kulturore kanë pasur mundësi të shfrytëzojnë gjysmën e hapësirave të publikut. Sipas Krasniqit, një hendikep që e ka shoqëruar TKK-në prej kohesh është zvarritja, përkatësisht anulimet e njëpasnjëshme të konkurseve për drejtor të përgjithshëm e udhëheqës artistik.

“Nga përvojat e mëhershme është dëshmuar se drejtimi i një institucioni nga zëvendësuesit apo ushtruesit e detyrës nuk është i frytshëm dhe nuk jep rezultatet e pritura”, ka thënë ai.

Regjisori Kushtrim Koliqi, i cili gjatë vitit të kaluar ka realizuar shfaqje në këtë institucion, ka thënë se problemet janë në nivele të ndryshme. Sipas tij, gjendja infrastrukturore është jashtëzakonisht e rëndë dhe nuk i plotëson as kushtet bazike që të realizohen shfaqje në mënyrë komode.

“Çështjet procedurale në MKRS ta bëjnë punën tmerr në TKK. Ka një kohë që TKK-ja nuk ka stabilitet në menaxhim dhe kjo vërehet në menaxhim dhe në jostabilitet artistik. Aty nuk dihet më kush vendos”, ka thënë ai. Me ardhjen e Qeverisë së re në TKK është ndërruar edhe përbërja e Këshillit Drejtues. Sipas Koliqit, shkaku problemeve të shumta është vështirë të zgjidhet menaxhmenti.

“Koronavirusi është çështje në vete që ka ndikuar në mbarëvajtjen e punës. Por fatkeqësisht, edhe po të mos ishte pandemia, nuk do të kishte ndonjë përmirësim të madh. TKK-ja funksionon mbi improvizime në të gjitha aspektet”, ka thënë ai.