Prishtinë, 18 tetor - Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës të mërkurën është mbajtur simpoziumi shkencor ndërkombëtar, “Filozofia dhe teatri: raportet e teatrit bashkëkohor me teatrin modern”. Nën organizimin e këtij institucioni, me këshill organizues të përbërë nga Rexhep Ismajli, Eqrem Basha e Muhamedin Kullashi, studiues vendorë e ndërkombëtarë kanë shpalosur prezantimet e tyre.
Konvencionalja dhe e kundërta e saj tashmë përballen shpesh në skena të ndryshme teatrore. Kjo bën që shumë gjëra në shfaqje të dallojnë nga njëra-tjetra. Në disa personazhet nuk flasin fare e as nuk futen në botën e një personazhi. Të tillët që më shumë njihen si performues i kanë idetë e veta për këtë që bëjnë. E aktorët që futen në botën e dikujt tjetër kanë dallim prej atyre që e vënë trupin e tyre në plan të parë. Rëndësia e fjalës në teatër vjen me një rol të veçantë por në shumë raste ajo merr nën mbrojtje apo edhe vihet në kundërshtim me veprimin. E dramat bashkëkohore përmbledhin në vete krejt këtë që ndodh në teatrin modern. Këto çështje dhe shumë të tjera janë diskutuar.
Anëtari korrespodent i AShAK-ut, Muhamedin Kullashi, nëpërmjet kumtesës, “Drama: shthurje apo transformime”, ka nxjerrë në pah disa aspekte të së paku dy tipave të interpretimit sa i përket pyetjes që ka ngritur në titullin e prezantimit të tij. Dilemat që ka ngritur ai për atë se çfarë ka ndodhur me dramën në bashkëkohësi janë nëse ajo vjen si alternativë e acaruar midis shthurjes ose zhdukjes e vdekjes apo transformimeve.
Studiuesja italiane, kritikja e artit e profesoreshë në Universitetin Sapienza në Romë, Valentina Valentini, është marrë me një aspekt të teatrit bashkëkohor. Kumtesa e saj “Aktorët-karakteret-trupat”, ndan dhe bashkon të qenit aktorë dhe performues. Aktori francez e kritiku Mathieu Haumesser është përqendruar tek fjalët në teatër. Kumtesa e tij “Teatri - një botë e fjalëve?”, ofron shumë përgjigje në pyetjen që ngre.
Kritiku francez Jean-Pierre Sarrazac nëpërmjet kumtesës “Ibseni, Strindbergu, Çehovi: hyrja e dramës në modernitet”, ndan epokat dramatike. Meqenëse mjeku ia ka ndaluar udhëtimet, kumtesa e tij është lexuar nga filozofi Muhamedin Kullashi.
Dramaturgu e regjisori Fadil Hysaj, nëpërmjet kumtesës “Teksti dhe metateksti në teatrin postmodern të Kosovës” ka bërë krahasime e ka shpalosur kronologji të teatrit kosovar.
Edhe Gjyshja ime e ndjerë për presidentSipas tij, për të bërë një shfaqje të mirë tashmë nuk mjafton një tekst i mirë, një regjisor kreativ dhe një ansambël aktorësh të cilën e çojnë deri në fund konceptin e regjisorit.
Në këtë konferencë njëditore janë prezantuar edhe anëtari korrespodent i AShAK-ut, Kujtim Shala me kumtesën “Kënga e cjapit: hyrje në teorinë e tragjedisë”, Armand Bora me kumtesën “Leximi polifonik i tekstit teatror”, Albanë Mehmetaj me kumtesën “Teatri modern i ideve (dramat e Ernest Koliqit), Agron Gashi me kumtesën “Rumiu në teatër” (Një dorëshkrim i Musa Ramadanit) dhe Arian Krasniqi me kumtesën “Skënderbeu si dramatik personae” (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).