Prishtinë, 31 tetor – Secili që blen një smartphon do të paguajë një vlerë të caktuar monetare që i shtohet çmimit final. Për një telefon me kapacitet të memories nga 32 deri në 64 giga do të paguhen dy euro më shumë. Këto mjete do të merren për shkak të mundësisë që përdoruesi i telefonit të shikojë a të dëgjojë vepra të cilat mbrohen nga Ligji për të drejtën e autorit. Pra, paguan paraprakisht autorët e veprave që mund t’i shfrytëzojë nëpërmjet pajisjes së tij. Në një tjetër rast, varësisht nga kapaciteti, tarifa për një televizor mbërrin deri në 6 euro.
Shteti të martën ka vendosur që të paguhet një tarifë e veçantë me rastin e shitjes së parë apo importimit të bartësve të mediumeve të zbrazëta audiovizuale. Kjo tarifë midis tjerash do të paguhet për CD-të, DVD-të, televizorët e pajisjet e tjera që llogariten si mjete nëpërmjet të cilave mund të shfrytëzohen materiale për të cilat duhet paguar të drejtën e shfrytëzimit, siç e përcakton Ligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta. Të martën Qeveria ka miratuar Rregulloren për të drejtën e kompensimit të veçantë që është hartuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila do të hyjë në fuqi shtatë ditë pas nënshkrimit të kryeministrit Ramush Haradinaj. Nëpërmjet saj pos mediumeve të zbrazëta, Rregullorja përcakton edhe vlerat që duhet të paguhen për importimin e aparateve të reja për fotokopjim e skanim.
Në propozimin e tij, për miratimin e kësaj Rregulloreje para kabinetit qeveritar, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka thënë se mbajtësit e të drejtave do të kompensohen për shfrytëzimin e veprave të tyre nga ana e shfrytëzuesve të të drejtave/Sh.Maxharraj (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
-
Muzika në radio e televizione me tarifë deri në 4.5 për qind të të hyrave
-
Qeveria njëanshëm shtyn pagesat e tarifave për vepra audiovizuale
-
Qeveria merr vendim për kompensimin e të drejtave audio-vizuale
-
Shpenzimet për telefona nga qeveritarët ulen deri në mbi 200 për qind
-
Shoqatat nuk kanë nisur ende me mbledhjen e tarifave për mediumet e zbrazëta