“Nëse talebanët dalin të fituar, ata do ta ndalojnë krejt artin. Unë dhe filmbërësit e tjerë mund të jemi shënjestra e radhës në listat e tyre”, shkruan Sahraa Karimi në një thirrje të hapur që u është dërguar organizatave mediatike gjithandej botës më 13 gusht dhe ka qarkulluar në mediat sociale teksa talibanët po fusin në zotërim qytetet kryesore në Afganistan dhe po mbajnë nën rrethim kryeqendrën, Kabul.
Regjisorja e filmit që u nominua për çmime “Hava, Maryam, Ayesha” (2019) është e vetmja grua afgane që ka doktoratë në kinematografi. Karimi është edhe presidente e Organizatës së Filmit Afgan.
Në letrën e saj Karimi shkruan që talebanët i kanë “vrarë njerëzit tanë” teksa ata morën kontrollin e provincave gjatë javës së kaluar. Shumë fëmijë janë vrarë dhe vajzat shiten si nuse për luftëtarët talebanë, shkruan ajo; ata kanë vrarë një grua se veshi petka të gabuara dhe ia nxorën sytë një tjetre.
“Ata torturuan dhe vranë një prej komedianëve tanë të dashur”, shkruan Karimi, duke iu referuar vrasjes së Nazar Mohammadit, i njohur gjerësisht si Khasha Zwan, që u vra nga një sulmues i paidentifikuar në Kandahar gjatë muajit të kaluar.
Në fillim të gushtit anëtarë të grupit militant vranë edhe poetin e historianin Abdullah Atefi në provincën jugore të Afganistanit, Uruzgan.
Edhe
Gratë afgane humbin shpresën e fundit pasi talebanët ndërpresin internetin
Talebanët po shënjestërojnë aktivistë, gazetarë e figura të kulturës që kanë qenë kritikë ndaj veprimeve të tyre. Edhe zyrtari i medias kryesore në vend, Dawa Khan Menapal, u vra nga një sulmues taleban në fillim të gushtit. Në një deklaratë ku pranohet përgjegjësia për vrasjen, talebanët kanë thënë se Menapali është “ndëshkuar” për të bëmat e tij.
Karimi përmend këto incidente në letrën e saj për të theksuar rrezikun me të cilin po përballen figurat e kulturës.
“Ndërkohë banorët në qytete të ndryshme që janë marrë prej talebanëve po ikin në kampe. “Familjet janë në kampe në Kabul pasi kanë ikur nga këto provinca, dhe ato ndodhen në kushte josanitare. Ka plaçkitje ndër kampe dhe foshnjat po vdesin se nuk kanë tambël”, shkruan Karimi, për të shtuar se përveç krizës politike, vendi është në zgrip të krizës humanitare dhe “prapëseprapë bota nuk po bëzan”.
Në raportin e fundit, Kombet e Bashkuara kanë theksuar që “Afganistani është rrugës për të përjetuar numrin më të lartë të viktimave të dokumentuara civile brenda një viti që prejse mbahen shënime”. Rreth 250 mijë afganë janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre që prej fundit të majit, 80 për qind e të cilëve janë fëmijë, sipas raportit të Kombeve të Bashkuara.
Regjisorja zë në gojë se tërheqja e trupave të Shteteve të Bashkuara nga Afganistani, të nismuar nga Donald Trumpi dhe të përvijuar nga administrata e pasrendësit të tij, Joe Biden, është fajtori kryesor për gjendjen e sotme në Afganistan. “Ne e dimë se ky vendim për të braktisur popullin tonë është i gabuar, që kjo tërheqje e ngutshme e trupave është tradhti ndaj popullit tonë dhe gjithçka kemi bërë kur afganët e fituan Luftën e Ftohtë për Perëndimin”, shkruan Karimi, duke shtuar se populli afgan u “harrua” gjatë “sundimit të errët” të grupit militant që filloi më 1996.
Mst: Vajzat detyrohen të lënë shkollat
Edhe
Turizmi nën tytat e armëve
“Kur talebanët ishin në pushtet, asnjë vajzë nuk ishte në shkollë. Që nga ajo kohë janë 9 milionë vajza afgane në shkollë. Kjo është e pabesueshme...Herati, qyteti i tretë për nga madhësia që sapo ra në duart e talebanëve, kishte thuajse 50 për qind të grave në universitetin e vet. Këto janë fitore të pabesueshme që zor se bota di për to. Vetëm në kaq pak javë, talebanët kanë shkatërruar shkolla të shumta dhe 2 milionë vajza janë larguar sërish nga shkollat”, shkruan Karimi.
Gjatë emiratit të parë që e themeluan talebanët më 1996, ata zbatuan një interpretim të rreptë të ligjit islamik dhe etabluan një polici të moralit që detyronte burrat të rrisnin mjekrat, kurse gratë të mbanin burka të plota. Gratë që ecnin të pashoqëruara në vende publike rriheshin dhe shkollat për vajza u mbyllën. Edhe muzika u ndalua, përveç thirrjeve fetare.
“Një luftë proxy”
“Nëse talebanët e marrin Kabulin, ne mund të mos kemi qasje në internet apo ndonjë mjet komunikimi”, shkruan Karimi, duke shtuar se ajo do të qëndrojë e do të luftojë për vendin e saj.
“Kjo luftë nuk është luftë civile, kjo është luftë e imponuar dhe është pasojë e marrëveshjes së ShBA me talebanët”, thotë ajo, duke iu referuar marrëveshjes për paqe që u bë mes amerikanëve, të përfaqësuar nga i dërguari i posaçëm Zalmay Khalilzad, dhe kryenegociatorit taliban, Mullah Abdul Ghani Baradar, në shkurt të vitit të kaluar.
Edhe
Ndalimi i shkollimit të grave thellon krizën në Afganistan
Asokohe qeveria e ShBA-së, nën Trumpin, pati thënë se vendi do t’i tërhiqte të gjitha trupat brenda 14 muajsh. Që nga ajo kohë vendi ka gëluar nga trazirat, duke kulmuar me okupimin e tanishëm nga militantët talibanë.
Në letrën e saj Karimi i bën thirrje botës që “të mos na e kthejë shpinën. Ne kemi nevojë për mbështetjen tonë dhe zërin tuaj në emër të grave afgane, fëmijëve, artistëve dhe filmbërësve”.