Mëngjesin e të dielës së 17 majit, përkundër protestave, Qeveria e Shqipërisë e rrafshoi Teatrin Kombëtar në Tiranë. Si reagim ndaj humbjes së objektit 80 vjet të vjetër në zemër të Tiranës, ndërtuar në vitin 1939 gjatë pushimit italian, ka lindur iniciativa “Tabula Rasa”.
Ajo po u kërkon artistëve, por edhe të tjerëve, që të modifikojnë fotografinë ku shihen rrënojat e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në mesin e artistëve që i janë përgjigjur kësaj thirrjeje është edhe artisti nga Kosova, Driton Selmani. Mendimi që armiku nuk arrin vetëm me limuzinë, ai arrin edhe me buldozer, është ajo që e cyti t’i bashkohej reagimit artistik. Selmani, mbi rrënojat e Teatrit Kombëtar, ka vendosur një pishinë brenda së cilës shihet duke notuar një peshkaqen. E ka titulluar “Peshk apo qen”.
“Tabula Rasa”, siç e kanë shpjeguar për KOHËN nismëtarët e kësaj iniciative, ka ardhur pas një diskutimi që është bërë në Milano në mes të artistes shqiptare Iva Lulashi, artistit francez Margaux Bricler dhe artistëve italianë Matteo Pizoolante, Pietro Catarinella, Fabio Roncato, Jacopo Valentini dhe Paolo Ciregia.
“Iniciativa ka për qëllim që të ndajë informacione për këtë moment simbolik që është politik dhe kundër zbehjes së saj nga kujtesa, ashtu siç shpesh ndodh në këto raste. Prandaj, ky grup i fton njerëzit që të bëhen pjesë e projektit, jo vetëm artistët e kuratorët, por edhe njohësit e fushës së artit, teatrit, muzikës, e të tjerë”, është shkruar në përgjigjen elektronike të “Tabula Rasa”. Përsëritja e imazhit, çdo herë me modifikime të veçanta, është ajo që përthekohet si koncept.
“Pasi që ky projekt është në hapat e parë, formati do të definohet në të ardhmen, për tani po i konsiderojmë kartolinat si një formë që do të vazhdojë pëlqimin e këtij mesazhi”, është thënë në përgjigjen e iniciativës “Tabula Rasa”. Përmes komunikimit është treguar se për momentin nuk po mendohet shitja e veprave, mirëpo po shihet për mundësinë që të njëjtat të ekspozohen në Shqipëri.
“Kjo është diçka që mendojmë se do të ketë shumë kuptim”, është thënë nga iniciativa “Tabula Rasa”.