Kulturë

“Syrigana” magjepsëse e mitike për dashurinë e shumëfishtë

syrigana

Legjendat, mitet e fabulat, artisti botëror Petrit Halilaj i përkthen në vepra artistike. E ka bërë kaherë, por opera “Syrigana” për fshatin me të njëjtin emër në Skenderaj ka qenë e para vepër muzikore. Lokaliteti arkeologjik bëhet skenë e tradita e fshatit është edhe skenografia për performuesit (Foto: Arben Llapashtica)

Opera bashkëkohore “Syrigana” e Petrit Halilajt në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës ka jehuar në ambient të hapur me historinë e dashurisë së Adamit dhe Evës. Miti lokal është kthyer, por kësaj radhe si një bashkëpunim ndërkombëtar që rrëfimet lokale i bën të fluturojnë nëpër botë. Halilaj duke kombinuar mitet me muzikën tradicionale e atë klasike ia ka dalë në këtë fshat të Skenderajt të mbledhë një numër të madh njerëzish nga vende të ndryshme të Evropës. Aty janë martuar Adami dhe Eva e po ashtu është bërë thirrje për më shumë dashuri. Mbi të gjitha për vendin

Legjenda thotë se Adami dhe Eva bënë xhiro gjithandej globit duke kërkuar njerëz. Por ia dolën të hasin në ata veç kur mbërritën në Runik të Skenderajt. Bazuar në legjendën e asaj ane, ato kodrina qenë të banueshme para dyshes, që sipas besëtytnive i dha jetë njerëzimit. Përtej kësaj, rrjedha e legjendës çon në kodër të Syriganës – fshat fqinj me Runikun – ku banorët lokalë do t’i martonin Adamin dhe Evën. Dyshja jo nëpërmjet legjendës, por në lojë operistike janë martuar në Syriganë të dielën mbrëma. Pikërisht në kodrën që është lokalitet arkeologjik pak pas perëndimit të diellit.

Legjendat, mitet e fabulat, artisti botëror Petrit Halilaj i përkthen në vepra artistike. E ka bërë kaherë, por opera “Syrigana” për fshatin me të njëjtin emër në Skenderaj ka qenë e para vepër muzikore. Lokaliteti arkeologjik bëhet skenë e tradita e fshatit është edhe skenografia për performuesit.

Nja dy kilometra publiku ka “marshuar” deri në lokalitetin arkeologjik që njihet si Gjyteti. Një veturë ka qenë si ciceron i këtij shtegtimi. Atë që kanë qëndruar në të kanë luajtur në dajre e kanë kënduar këngë tradicionale dasmash. Tok me ata edhe artisti Petrit Halilaj me disa dajre në formë rrethi i është bashkuar interpretimit, që ishte intro e krejt mbrëmjes. Por krejt këtë e ka paraprirë ndeja për publikun. Janë shërbyer me ushqim e pije tradicionale, muzikë popullore e qytetare. Kjo ka qenë edhe një lloj koreografie e komplet ngjarjes.

Me të arritur në destinacion, dy soprano e instrumentistët kanë qenë në pozicionet e tyre. Një pjesë e skenës shkallë-shkallë, ku kanë qenë anëtarët e Orkestrës është plotësuar nga rimorkiot e traktorëve, dekoruar me qilima. Prapa tyre ndriçon një hark me ngjyrë të ngrohtë, ndërsa të shpërndarë janë yjet e Halilajt, pjesë e një tjetër vepre. Harku është dielli në perëndim e sipër. Skenografia përfshin edhe një pemë me fruta, që i shërbejnë rrëfimit të operës me pesë akte.

Përmbajtja me referenca biblike është dialogu me libretin, i cili bie në kundërshtim me këndimin e dy sopranove: Urta Haziraj dhe Nina Guo.

Rrëfimi nis me Adamin dhe Evën të sjellë artistikisht me kostumet e gjelit dhe dhelprës, që zbërthejnë dashurinë e forcën. Dyshja zbret ngadalë nga shkëmbinjtë lart duke bërë që natyra të jetë skenografi më vete. I shkon fort përshtati edhe legjendës. Drama qendrore fokuson përjashtimin nga Kopshti i Edenit pasi shijojnë frutën e ndaluar. Në kërkim të një vendi ku dashuria e tyre mund të lulëzojë, vendosin të qëndrojnë në Syriganë, ku martohen me këngë popullore vendore. Okarina nuk ka munguar, si instrumenti më i vjetër frymor i kohës së neolitit i gjetur pikërisht në Runik. Por rrethanat bëhen kërcënuese për çiftin.

“I martuam Adamin dhe Evën në Syriganë sonte dhe festa vazhdon në kodrën tjetër. Nuk kam fjalë për bashkëpunimin me Filharmoninë e Kosovës, për aktorët e aktoret e mrekullueshme, me valltarë, sopranot Urta dhe Nina. Për mua është hera e parë që e kam bërë një operë dhe të them të drejtën kur e kam filluar si projekt nuk e kam ditur se ku shkon. Shpresoj që tregimi ka mbërritur dhe emocionet kanë shkuar te ju”, ka thënë autori i “Syriganës”, Petrit Halilaj. Interpretimi i një pjese të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës – institucion që ka komisionuar veprën – dramën e ka bërë edhe më reale.

Vijon biseda e Adamit dhe Evës derisa me koreografi, të punuar nga Robert Schulz, zbresin nga shkëmbi. Prezantohen si njerëz të lashtë dhe e tillë është gjuha e tyre, e “përkthyer” në ekranin që ilustron titrat në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe serbisht.

Rrëfimi bëhet shumë më i fuqishëm kur shpaloset në panoramën e bukur të fshatit Syriganë, ku tradita e modernia bashkëveprojnë jo veç në skenë, por në çdo pjesë të organizimit.

Në operë luajnë: Tristan Halilaj, Art Pasha, Edon Shileku, Lira Bytyçi, Redon Kika, May-linda Kosumovic, Behie Murtezi, Vanesa Sins, ndërsa në dajre Ardita Xhemajlaj, Miradije Dervishaj dhe Nexhmendin Rushiti.

Kishte ide krejt të tjera për shfaqjen e operës “Syrigana”, por me të vizituar lokalitetin arkeologjik, me gjithë pozitën gjeografike, Halilaj qe i vendosur që i gjithë rrëfimi do të jepej premierë botërore aty.

“Për mua ka qenë shumë me rëndësi që ky vend me një histori kaq të bukur, me natyrë kaq të mrekullueshme të shndërrohet në skenografi. Në teatër gjithçka qëndron brenda, këtu ka qenë mundësi, por edhe vështirësi që të ndihemi që jemi brenda diku edhe nëse jemi në qiell të hapur”, është shprehur Halilaj derisa ka treguar se dikur në këtë hapësirë ishte një kala.

“Gjyteti që e kemi parë këtu ka qenë kala dhe qytetarët e Syriganës e mbajnë mend kur kanë qenë të detyruar t’i heqin gurët për ta shtruar rrugën. Shenjat e kalasë janë aty, por për ata edhe nëse kalaja nuk shihet, janë mitet, tregimet dhe ndjenjat, lidhjet që i kanë me Syriganën”, ka thënë ai.

Krejt ngjarja ka edhe ngjyrat e instalacioneve të artistit ndër vite, përfshirë edhe yjet e vendosura në hotelin “Grand” në edicionin e bienales “Manifesta” në Prishtinë, tre vjet më parë. Veprat arrijnë deri në ato që i ka ekspozuar vjet në Muzeun Metropolitan në New York. Krejt këto, përfshirë edhe performanca nga opera, do të jenë pjesë e një ekspozite personale në  Berlin në ngjarjen prestigjioze Java e Artit të Berlinit më 14 shtator.

“Puna qendrore do të jetë fluturimi i Syriganës në Berlin. Siç po mendoj, pasi është shtëpia ime e dytë dhe atje ka komunitet të madh të shqiptarëve, ëndrra ime është që t’i lidh këto dy vende përmes muzikës, operës, instalacioneve”, është shprehur Halilaj.

Elementet e operës do të rikonstruktohen për këtë ekspozitë në galerinë kombëtare “Hamburger Bahnhof” si një instalacion i krijuar enkas për hapësirën ku do të paraqitet. Ekspozita do të hapet më 10 shtator, ndërsa instalacioni do të aktivizohet përmes performancave unike operistike më 14 shtator.

Kolona zanore e operës është kompozuar nga Lugh O’Neill dhe është luajtur nga një ansambël i përzgjedhur me instrumentistë të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit amerikan, Gregory Charette.

Me muzikë kryesisht minimaliste, këndimi i sopranove në gjuhë zogjsh ka qenë ilustrimi i performancës e komunikimit të aktorëve midis vete.

Sopranoja Nina Guo, pos këndimit në rolin e Zogëzës, gjithashtu e ka punuar pjesën e kompozimeve vokale. Bashkëpunimi i parë me Halilajn ka rezultuar me punën që e ëndërronte.

“Kjo është hera e parë që punoj me Petritin. Kur ai më kontaktoi për këtë projekt, tingëllonte si diçka në të cilën ëndërroja të punoja. Më tha ‘Nina dua të tregoj për një histori për një dhelpër dhe një gjel që vijnë në këtë fshat dhe ajo çfarë na duhet janë dy soprano për ta treguar historinë, por dua që ato të jenë zogj. A mund të jenë soprano dhe zogj në të njëjtën kohë?’. Dhe unë me gojën plot thashë: ‘po, mund të jenë’. Dhe pastaj duhej të gjeja se si do të funksiononte kjo”, është shprehur Guo.

Ka thënë se ideja ka qenë e bazuar në atë se operat e mirëfillta klasike janë në ato gjuhë që shumë njerëz nuk i kuptojnë dhe kësisoj ngjau edhe me veprën e Halilajt.

“Ishte supozuar që ne të flisnim si zogj, sikur në secilën operë është një gjuhë që njerëzit mund të mos e kuptojnë, kështu nuk e kuptojnë as gjuhën e zogjve. Ata nuk na kuptuan, por ishin titrat për t’i ndihmuar se çfarë po ndodh me rrëfimin, për çfarë po bëjmë thashetheme”, ka thënë Guo më tej.

Megjithatë, në vepër ka edhe këngë që këndohen në shqip e në anglisht.

Rrëfimin e ka pasur në dorë bashkë me sopranon Urta Haziraj. Pos veprës unike, vepra është e veçantë edhe për lidhjen personale që sopranoja ka me atë hapësirë e legjendat për të.

“Opera ‘Syrigana’ ka qenë një prej projekteve më të veçanta në të cilat kam marrë pjesë, për arsye që fillimisht jam rikthyer në Syriganë dhe në Runik, në vendlindje, duke e ditur idenë që ne kemi ardhur si fëmijë këtu dhe nuk ka pasur asgjë përreth. Të sillet një produksion, një operë e tillë kontemporane në këtë lloj mënyre, me të vërtetë ka qenë ndjenjë shumë e veçantë”, është shprehur Haziraj duke thënë se mitet për Syriganën janë sjellë në mënyrë artistike në veprën e Halilajt.

“Për Syriganën flitet dhe ka legjenda të ndryshme. Petriti i ka risjellë përmes libretit. Ka qenë legjendë, mitologji, di֛çka që flitet për Syriganën, që e ka rikthyer përmes këndimit, instrumenteve dhe aktorëve të tjerë”, ka thënë ajo.

Kostumet me lule të aktorëve sjellin mozaikun e veprave të Halilajt. Kur e bukura bie, zbulohet ana djallëzore e karaktereve. Dhe djallëzorja fillon që nga momenti kur Adami e Eva hanë frutën e ndaluar. Prej atij momenti, siç vjen edhe nga libreti, “bien gjethet e turpit”. Për libretin kanë kontribuuar edhe Doruntina Basha, Robert Schulz dhe Amy Zion.

Muzika klasike në operë është në dialog me atë tradicionale, që është interpretuar nga Adhurim Grezda me grupin e tij “Don’t listen to your neighbours”. Në kulmin e harmonisë e lumturisë, një krismë e madhe që vjen nga perkusionet e prish dasmën. Rrëfimi që vjen nga libreti i Halilajt ka ngjyrime tejet poetike. Duke pasur parasysh zhvillimet, të dy e konsiderojnë zhvendosjen si opsion. Por janë bukuritë e vendit që i ndalojnë. Ky vendim i tyre është festë për të qëndruar e menjëherë dajret buçasin. Me këtë atmosferë mbyllet vepra.

Me dramaturgjinë e saj është marrë Catherine Nichols, kuratore e veprës, e cila është shprehur se pritet që kjo vepër të ftohet për t’u interpretuar në të gjithë botën.

“Përpjekjet e Petritit ishin kryesisht për Runikun, rijetësimin e Shtëpisë së Kulturës në Runik dhe kjo më ka prekur pafundësisht dhe donim ta dërgonim këtë storie në Berlin, por nuk dinim se si. Menduam dhe erdhëm me ide, Petriti erdhi në Kosovë, sepse kur ai nuk di çfarë të bëjë, shkon në shtëpinë e tij në Runik, kalon kohë me familjen dhe frymëzohet”, është shprehur ajo në fjalimin që i ka paraprirë “ekspeditës” para shfaqjes së operës.

Ndërsa zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, është shprehur i lumtur me rezultatin e punës, duke konsideruar se magjia është gjithmonë aty ku artisti Halilaj është i pranishëm.

“Jam shumë i lumtur që kemi mbërritur në këtë ditë dhe shpresoj se do të jetë ashtu siç e kemi imagjinuar. Magjia është gjithmonë kur Petriti është i pranishëm”, ka thënë Selimaj.

Autori i operës, artisti me nam në botë, Petrit Halilaj, ka thënë se veçse ka ftesa për ta dhënë operën jashtë vendit dhe “Opéra Garnier” e Parisit është një prej tyre.

“Kemi ftesa dhe ndoshta ky projekt do të shkojë në Paris. Unë veçse jam rezident në ‘Operën Garnier’ të Parisit. Do të doja shumë që të eksploroja mundësitë se si ky tregim, këto punë dalin kur udhëtojnë në një vend tjetër. Një operë zakonisht nuk përfundon me premierë. Rishkruhet, përmirësohet, zhvillohet gjatë kohës dhe çdo prezantim është ndryshe. Kjo është puna që më pëlqen më së shumti, të punoj me bartjen dhe transformimin e punëve, por gjithmonë duke treguar storie që vijnë dhe nisen prej këtu”, është shprehur Halilaj.

Opera “Syrigana” e lë në pikëpyetje mbijetesën e dashurisë midis Evës dhe Adamit. Vazhdimësia e saj qe dashuria e publikut për të. Nga burimi në Syriganë, për Syriganën, rrëfimi pritet të fluturojë nëpër të gjithë botën. Ashtu siç Halilaj ia del të çojë veprat e frymëzuara nga vendlindja e tij në hapësirat më prestigjioze artistike.

Rrëfimi nis me Adamin dhe Evën, të sjellë artistikisht me kostumet e gjelit dhe dhelprës, që zbërthejnë dashurinë e forcën. Dyshja zbret ngadalë nga shkëmbinjtë lart duke bërë që natyra të jetë skenografi më vete (Foto: Arben Llapashtica)