Kulturë

“Swiss Connection” nxjerr nga nëntoka shqiptarët idealistë të viteve ‘90

Ka situata që gjëllijnë midis absurditetit e komikes, por që shtrihen në hapësirën e komedisë së errët dhe “Swiss Connection” del ta ketë pikërisht këtë synim: të huajve t’ua zbardhë të vërtetën mbi ekzistencën e një ilegaleje shqiptare që në vitet ’90 vepronte në Zvicër, e që kishte ndikim edhe deri te ndezja e luftës. Për vendorët, e zhvesh atë prej idealizmave e hiperbolizimit. Por, në fund të fundit, shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Manuel Bürginit, në thelb ka peshën e qëllimit për të cilin është inskenuar: njohjen e realitetit

Ndriçimi i zbehtë paralajmëron agimin e shfaqjes në skenë. Aktorët në një situatë dinamike qysh në start, prezantojnë njëri-tjetrin. Në këtë frymë ka nisur “Swiss Connection” në Prishtinë pas disa shfaqjesh në Zvicër, ku është dhënë premierë botërore në fund të shtatorit në Teatrin Winklewiese në Zürich.

Adrian Morina në rolin e Këmbëshpejtit, është kryepersonazhi i shfaqjes. Në kurbet bën jetë të dyfishtë. Atje jeton për afro dy dekada, pa shkelur në Kosovë. Ditën punon furrtar, mbrëmjeve zhvillon krejt veprimtari tjetër së bashku me një grup idealistësh që shfaqen me parulla nacionaliste e iniciojnë luftën e Kosovës. Këmbëshpejti i martuar me Sarën, një grua zvicerane të cilën e luan Nina Mariel Kohler, nuk e ka edhe fort të lehtë. Krejt kjo situatë bën që “Swiss Connection” – e sjellë në premierë në Prishtinë në kuadër të “Kosovo Theatre Showcase” – të vijë si një komedi e pasur dhe e errët. Emigrantët kosovarë janë të gatshëm të rrezikojnë “neutralitetin” e jetës së tyre teksa fillojnë planet e krijimit të një aleance ushtarake me NATO-n nga nëntoka e Zvicrës. Drama e shkruar nga dramaturgu Jeton Neziraj në skenë është vendosur nën regjinë e Manuel Bürginit. Ata e përshkruajnë si një proces që është pasuruar goxha rrugës e që janë të kënaqur që e kanë nxjerrë në dritë.

Shfaqja që zbërthehet në formën e një komedie dhe te publiku i huaj hap rrugët për të reflektuar mbi ekzistencën e grupeve ilegale të shqiptarëve në Zvicër në vitet ‘90 të shekullit të kaluar dhe aktivitetet e tyre për çlirimin e Kosovës. Ky efekt ka nisur edhe para se shfaqja të arrijë publikun: qysh kur aktorët kanë lexuar për herë të parë tekstin. Në kastën e aktorëve janë edhe Aurita Agushi e Christoph Rath.

Për regjisorin e shfaqjes ky është një projekt sa interesant, aq edhe sfidues. Puna me aktorët dhe diskutimet kanë qenë një element tjetër që kanë ndikuar në qasjen e regjisorit.

“Me Jetonin kemi biseduar disa herë për këtë temë dhe filluam pastaj të hulumtojmë. Jetoni ma dërgoi tekstin dhe më pas biseduam se si mund t’i zhvillojmë karakteret e personazheve. Në vitin 2019, teksti ishte përfunduar. Kemi futur edhe shumë gjëra të tjera që nuk kanë qenë në tekst. Kjo ka ndodhur duke e njohur njëri-tjetrin. Morëm shumë storie personale nga Aurita dhe Adriani, po ashtu dhe nga Nina dhe Christoph dhe i vendosëm në shfaqje”, ka shpjeguar ai për KOHËN.

“Swiss Connection” që kishte filluar provat përgjatë vitit 2019 stagnoi për një kohë për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Ekipi nga Kosova në gusht të këtij viti u rikthye në Zvicër për të punuar në të. Shfaqja për herë të parë në Kosovë e “Swiss Connection” ka qenë premierë edhe për dramaturgun Jeton Neziraj. Përkundër reagimeve pozitive që ka marrë nga publiku që e ka parë shfaqjen në Zvicër, Neziraj shprehet i kënaqur me realizimin e saj.

“Është punuar në mënyrë të dinjitetshme dhe të sinqertë në realizimin e diçkaje që mendoj se është e dobishme edhe për publikun në Zvicër dhe në Kosovë”, ka thënë dramaturgu Neziraj për KOHËN.

Shfaqja e realizuar në dy gjuhë me aktorë të përzier nga dy shtete e ka bërë atë edhe më origjinale. Muzika është një tjetër element që e plotëson edhe më. Dy shqiptarë, një zvicerane edhe një agjent kroat përfshihen nëpër shumë histori që prekin tri dekada. Fokus mbesin fundvitet ’90. Atëherë kur mobilizimi i grupeve ilegale në “diasporë” bëjnë thirrje për devotshmëri në luftë deri në vdekje. Mes parullave kundërshtojnë qasjen e presidentit të atëhershëm Ibrahim Rugova, që sipas tyre, u shërben politikave të Millosheviqit. Neziraj kishte zgjedhur këtë tekst për ta vendosur në skenë një shfaqje që mund të ngjallë interesimin e publikut zviceran dhe shqiptar.

“Ishte interesant të kuptojmë që shumica e ekipit me të cilët punonim në Zvicër nuk e kishin idenë se ka pasur një ‘nëntokë kosovare’ atje që ka zhvilluar politikë dhe në fund është mobilizuar për inicimin e luftës së Kosovës dhe ia ka dalë ta ketë NATO-n si aleat dhe ta çlirojnë Kosovën”, ka thënë Neziraj. Për më tutje ka thënë se një idealizim i kësaj nëntoke ka ndodhur në Kosovë. Por që sipas tij, përçarje ka pasur edhe mes tyre si jashtë ashtu edhe brenda vendit. Sipas Nezirajt, historia e “Swiss Connection” synon të nxjerrë një pasqyrë të këtij realiteti.

“Qëllimi nuk ka qenë për t’i fyer as për t’i tallur, pavarësisht që kjo ishte një komedi policore që bën përpjekje me e nxjerrë një histori të panjohur dhe për ta bërë më të qasshme për publikun në Zvicër dhe në Kosovë”, ka thënë ai.

Një pjesë e shfaqjes lëviz edhe në Shqipërinë e viteve ‘90. Realiteti zbërthehet përmes Sarës gruas zvicerane që komunikon me politikanin komunist që udhëhoqi Shqipërinë deri në vdekje. Enver Hoxha asaj i flet përmes një gruaje (Aurita Agushit). Në bazë të bisedës kuptohet që Shqipëria s’mund të pushtohet as nga Zoti, që objektet fetare janë shembur e qëndrojnë veç ato kulturore e arsimore. Lexohet shumë, por librat janë të zgjedhur. Shqiptarët portretizon si njerëzit më të lumtur. Jo kërkues dhe që e duan njëri-tjetrin, mbi të gjitha komandantin suprem – Enver Hoxhën. Sara, e rritur në Zvicër e ka të vështirë ta përtypë realitetin e burrit të tij dhe idealin e pamposhtur të tij. Brenga e saj më e madhe janë lulet e paujitura. Ndonëse e lënduar për jetën e dyfishtë të bashkëshortit, s’vonon t’i bashkohet atij. Beson që popullit të bashkëshortit mund t’i ndihmojë me një qendër meditimi. Për bashkëshortin e saj kosovar s’është ide e kollajshme. Sa herë që i lipset shpjegim, i kundërvihet që “disa gjëra si zvicerane nuk i kupton”.

Aktorja nga Zvicra që ka përvetësuar edhe disa fjalë në gjuhën shqipe, kjo shfaqje i ka shërbyer për të kuptuar një realitet të panjohur që ndodhte shumë pranë saj. Procesi i punës e ka bërë që të shtrojë edhe shumë pyetje të tjera për kolegët nga Kosova.

“Fillimisht isha si tabula rasa, që të jem e sinqertë. Nuk kisha shumë informata. Iu bashkova këtij projekti sapo më pyetën sepse doja të mësoja. Secilën herë që mendoja se e kam kuptuar një gjë, pasonin pesë pyetje të tjera. Gjëja e mirë ishte që e kemi Adrianin dhe Auritën që tregonin historinë nga perspektiva personale dhe që më ka ndihmuar të futem më thellë në këtë histori. Jam e shokuar se si zviceranë kemi qenë të pavetëdijshëm se çfarë po ndodhte në politikë, për luftën dhe vendimet e vështira që merreshin”, ka thënë ajo për KOHËN.

Fundi i shfaqjes realizohet në kampet ushtarake në Tiranë. Bisedat shpesh e kanë shtyrë publikun në të qeshura. “Këmbëshpejti” në rolin e Adrian Morinës për vite e udhëheq “Lëvizjen Marksiste Leniniste për Republikën e Kosovës”, e kur më pas vihet në krye të një Lëvizjeje Nacionale për Çlirim i mbetet peng froni i luftës. Ishte ithtar i frazës që populli që do paqen, është i gatshëm për luftën. Nga klithjet që s’është në zonën ku luftohet zgjohet në festën e çlirimit. Gjuhët origjinale në gjermanishten e Zvicrës dhe në gjuhën shqipe të Kosovës i bëjnë personazhet të sinkronizojnë temperamentet e tyre. Aktori Adrian Morina sado që e ka vlerësuar si një proces sfidues ka thënë se “Swiss Connection” e ka bindur që teatri i shemb barrierat gjuhësore.

“Sa kemi qenë atje sfida ka qenë se si do ta presë publiku zviceran dhe tash sfida u bart këtu. Reagimet janë të njëjta si këtu dhe atje. Këto barrierat gjuhësore veçmas në teatër janë të dukshme dhe nuk kemi shumë kurajë që të bëjmë projekte të përbashkëta në dy gjuhë të ndryshme. Ky projekt më ka bindur që ka mundësi me funksionu, pavarësisht gjuhëve të cilave i flasim dhe kjo shihet prej reagimeve të publikut. Mbi të gjitha, gjuha e teatrit është ajo që funksionon edhe pa titra”, ka thënë Morina për KOHËN pak minuta pas shfaqjes teksa është bërë gati për ta luajtur për të dytën herë në teatrin “Dodona”, ku shfaqja është luajtur në dy terminë në kuadër të edicionit të katërt të “Kosovo Theatre Showcase” që ka mbledhur mbi 70 profesionistë të teatrit në Kosovë.

Gani Jakupi, autor e romaneve grafike të botuara në vende të ndryshme, muzikant e gazetar, ka qenë njëri prej atyre që shfaqjen e kanë parë të parët në Prishtinë. Ka thënë se “Swiss...” e nxjerr fuqinë e artit si formë e përpunimit të realitetit. Sipas Jakupit, i njohur si artist i shumanshëm në Francë e më pas edhe në Spanjë, shfaqja që flet për një të kaluar të afërt në tekstin e Jeton Nezirajt është trajtuar në mënyrë origjinale, ashtu siç nuk e ka trajtuar askush më herët.

“Ishte pak a shumë ajo që pritja nga shkrimi i Jetoni që është i aftë që në një shfaqje t’i përfshijë shumë elemente të ndryshme. Ka kritika që shpesh janë të vështira që kuptohen prej të huajve, sepse janë të lidhura me përjetimet tona, por në këtë rast, m’u duk shumë mirë përzierja e gjuhëve. Nuk kam jetuar në Zvicër, por për aq sa e njoh situatën atje, kjo është një përzierje reale”, ka thënë ai për KOHËN.

Shfaqja “Swiss Connection” deri tani është shfaqur dhjetë herë në Zürich në Teatrin Winklewiese dhe pesë herë në Bernë në “Schlachthaus”.

“Kosovo Theatre Showcase”, që e ka sjellë këtë shfaqje në Prishtinë, do të vazhdojë aktivitetin në teatro të Ferizajt, Gjilanit dhe Prishtinës deri më 7 nëntor.