Kulturë

Suksesi i kinematografisë si thirrje për mbështetje institucionale

Pasditja e së dielës në “DokuFest” ishte një festim i sukseseve të fundit në kinematografi nga regjisorët vendas. Me pije freskuese e dolli për sukseset, kineastë e njohës të kinematografisë diskutuan për atë se çfarë duhet bërë për ta ruajtur praninë e filmave vendorë në festivale ndërkombëtare në vitet e ardhshme.

Me të nisur diskutimi i parë për këtë vit, u theksua se filmi kosovar po përjeton një sukses në dukje të befasishme në dy vjetët e fundit. Një nga një u përmendën edhe filmat që ndikuan në këtë sukses.

“Zgjoi”, me skenar e regji të Blerta Bashollit, u bë pjesë e “Sundance Film Festival” dhe nga aty doli me tre trofe: Çmimin e Madh të Jurisë, atë të Audiencës dhe Çmimin për Regjinë. Filmi “Në kërkim të Venerës” i Norika Sefës fitoi Çmimin Special të Jurisë gjatë premierës në Rotterdam, kurse “Luaneshat e Kodrës” në regji të Luna Bajramit dhe “Pa Vend” në regjit të Samir Karahodës patën premierat e tyre në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cannes. I dyti ishte në garë zyrtare. Anëtarët e jurisë së Cannes më pas vendosën njëzëshëm që filmi nga Kosova të jetë kandidati i Festivalit të Cannes për “European Film Awards”, që në botën e filmit konsiderohet si “Oscar evropian”. Për këtë çmim aspiron edhe regjisori Leart Rama me filmin “Four Pills At Night”. Filmi është pjesë e festivalit në Locarno, që është ngjarja më domethënëse kinematografike në Zvicër, e një prej më të rëndësishmeve në Evropë. E filmi me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës, “Vera andrron detin”, ka marrë lajmin që është pjesë e garës zyrtare në Festivalin e Filmit në Venecie.

Regjisorja e “Zgjoit” ishte pjesë e panelit të titulluar “Vala e re kinematografike e Kosovës”. Që në fillim ajo tregoi se kur ka studiuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë nuk e ka menduar se do të arrijë të realizojë një film të mirë në Kosovë, pasi nuk kishte shumë filma që xhiroheshin dhe fondet, sipas saj, në një mënyrë u ndaheshin njerëzve të njëjtë.

“Gjërat filluan të ndryshuan pasi Qendra Kinematografike e Kosovës u hapi dyert regjisorëve të rinj dhe ne filluam t’i tregojmë rrëfimet tona dhe të shkojmë nëpër festivale”, ka thënë Blerta Basholli. Sipas saj, është inspiruese arritja e secilit regjisor pasi nuk është e lehtë të bësh një film.

“Mendoj se ne duhet të festojmë. Nuk e di se si do të jenë vitet e ardhshme, por besoj që do të ketë edhe më shumë suksese pasi kam studentë këtu që janë filmbërës shumë të mirë dhe besoj se gjithë kjo do të bëjë që ne të arrijmë më shumë”, ka thënë Basholli.

Sipas saj, duhet punuar për ta bërë këtë industri të qëndrueshme pasi ka shumë talente dhe duhet të shfrytëzohet kapaciteti i tyre.

“Filmbërësit kanë bërë më shumë sesa Qeveria dhe ata që e kanë për detyrë të japin fonde. Kjo mendoj se kjo mund të ngadalësojë suksesin e filmbërësve, por shpresoj që të mos ndodhë kështu”, ka thënë ajo. Më vonë ka vënë theksin përsëri të talentet e reja.

“Duhet ta bëjmë këtë industri të qëndrueshme, pasi kemi shumë talente dhe duhet ta shfrytëzojmë kapacitetin që kemi këtu”, ka thënë ajo.

E regjisori Samir Karahoda, që të shtunën mbrëma dha premierën kombëtare të filmit “Pa Vend” pikërisht në kuadër të “DokuFestit”, theksoi se festivali nikoqir i diskutimit ka një meritë të madhe në këto suksese.

“E di që ‘DokuFest’ është një ndër kontribuuesit më të mëdhenj të kinematografisë në vitet e pasluftës. Pas disa viteve, ne si organizatorë kemi filluar të udhëtojmë nëpër festival të ndryshme dhe t’i vjedhim ato eksperienca pasi edhe për ne ishte diçka e re dhe kur e nisëm askush nga ne nuk ishte regjisor”, ka thënë ai të dielën. Sipas tij, i gjithë suksesi ka ardhur gradualisht.

“Ishte e vështirë pasi gjithmonë fondet i merrnin njerëzit e njëjtë, mirëpo kur filluan që edhe regjisorë të tjerë të merrnin fonde, pamë njerëz të rinj duke realizuar filma e duke bërë diçka të re”, ka thënë ai gjersa ka treguar se edhe për të ka pasur zëra që kanë thënë se si mund të marrë mbështetje financiare një projekt i tij kur ai nuk ka studiuar për regji.

“Më vjen mirë që filmat e kanë dëshmuar veten, prandaj kjo është provë që duhet të jemi më të hapur veçanërisht me filma të shkurtë. Për vete në të dy filma kisha një lloj pasigurie, mirëpo tani jam i sigurt që do të ketë edhe suksese të tjera”, ka thënë Karahoda.

Karahoda debutoi si regjisor me dokumentarin e tij “Në mes”. Me këtë projekt ai për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A. Austriakja Brigid O’Shea, e cila ka punuar për festivale evropiane dhe organizata të ndryshme për dokumentarë që nga viti 2008, ka thënë se është me fat që për herë të parë si anëtare e jurisë ishte ftuar pikërisht nga “DokuFesti”, gjersa ka shtuar se i vjen mirë që për këta 10 vjet janë rritur së bashku.

Sipas saj, ndonjëherë krijohet përshtypja sikur filmbërësit dhe qeveria janë në anën e kundërt, prandaj duhet kuptuar se në fakt ata janë në anën e njëjtë.

“Duhet të mendojmë se si t’i nxisim politikanët që të bëjnë politika të reja dhe ndryshime të cilat filmbërësve u duhen çdoherë, pasi kërkesat tona ndaj filmi e shija e publikut kanë ndryshuar dhe ndryshojnë vazhdimisht. Pra duhet ta kuptojmë se të gjithë po kërkojmë të njëjtën gjë – të realizojmë filma të mirë dhe të tillë që do të jenë të suksesshëm”, ka thënë ajo.

Në nën tjetër, Wouter Jansem, regjisori nga Amsterdami, ka thënë se në Kosovë është interesante të shohësh se regjisorët janë të gjeneratave të ndryshme.

“Kjo e bënë atë divers dhe mendoj se kjo është diçka e çmendur pasi vendi ka pasur nga një film në çdo festival me rëndësi dhe ishte një vit shumë i suksesshëm, por është me rëndësi se si ta ktheni këtë sukses në një industri dhe se si ta bartni atë te të tjerët”, ka thënë ai.

Diskutimi i moderuar nga Neil Young është mbajtur te “Shani Efendiu”. Ai i radhës është të hënën në orën 17:00, ku do të diskutohet për temën “Si e ardhmja jonë e formëson të kaluarën tonë”. Paneliste do të jetë përsëri regjisorja Blerta Basholli, kësaj radhe bashkë me dramaturgun Jeton Neziraj dhe Marija Ristiqin. Diskutimi i fundit do të jetë të martën në orën 10:00, po ashtu te “Shani Efendiu”, ku do të diskutohet si të veprojmë për ta mbrojtur ambientin.