Kulturë

“Stuntwomen”, pasqyrë përballë botës së kinemasë

Rrokullisjet poshtë shkallëve, goditjet nga makina ose përleshjet brutale janë copëza nga jeta e përditshme e Virginie Arnaud, Petra Spercher dhe Estelle Piget. Ato luajnë në skenat e rrezikshme të filmave në vend të aktoreve kryesore. Në dokumentarin “Stuntwomen” të regjisores me prejardhje shqiptare, Elena Avdija, flasin për punën e tyre të jashtëzakonshme, derisa ajo i ndjek me kamerë gjatë seancave stërvitore, në sheshxhirime e edhe në vizita familjare.

“Stuntwomen” erdhi premierë në Kosovë në kuadër të festivalit ndërkombëtar të Filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Në ditën e parë kur disa nga garat e sivjetme të “Dokufestit” janë hapur, në sallën plot të “Dokukinos” pas shfaqjes së dokumentarit, Avdija u është përgjigjur pyetjeve të publikut. Për projektin e saj ka thënë se ka rrjedhur më shumë nga interesimi për rolin e gruas në film dhe raportin e saj me pushtetin. Derisa ka treguar se nga ideja deri te finalizimi i dokumentarit i ka marrë 10 vjet.

“Kam qenë shumë kureshtare ta kuptoj se si bëhen filmat dhe si krijohet magjia e filmave. Jam e interesuar edhe për problemet gjinore edhe po ashtu profesionin e ‘stunt’ që cilësohet si profesion mashkullor dhe për këtë jam interesuar dhe kam shkuar të bisedoj me personazhet në filmin tonë dhe se çfarë pyetjeje mund të gjejmë bashkë me to”, ka thënë Elena Avdija.

Personazhet në dokumentar e kanë marrë guximin të flasin për sfidat që i hasin në profesionin të cilin shoqëria e kategorizon se është për meshkuj. Por, për Virginie, Petra dhe Estelle gjithmonë ka një shkëmbim midis dëshirës për të performuar sa më realisht që të jetë e mundur dhe përtej kufijve të tyre. Skenat me makina të djegura apo përplasje janë spektakolare, por rolet në të cilat ato përleshen fizikisht janë shumë më të vështira për t'u parë. Avdija ka treguar se përse pikërisht këto 3 personazhe janë pjesë e projektit të saj.

“Virgine është një protagoniste franceze dhe ajo është stuntwoman më e njohura në Francë. Ka qenë shumë e natyrshme për mua që të shkoj dhe ta xhiroj atë, po ashtu kam dashur që ta kem një kaskadere më të re, në mënyrë që të mund ta krijoj një perspektivë në film. Petra është kaskadere zvicerane, por banon në Hollywood, kështu e ka hapur edhe derën e Hollywoodit për ne dhe disa pyetje të tjera që vijnë në film”, ka treguar ajo.

Prapaskenat e botës së kinematografisë pasqyrohen qartë në “Stuntwomen”. Flet hapur për diskriminimet në bazë të gjinisë, pasi që dokumentari vjen si një realizim tronditës dhe magjepsës. Gratë punësohen për të duruar dhunën, ndërsa detyra e kolegëve të tyre meshkuj është ta shkaktojnë atë. Për vizitoren e “Dokufestit”, Emily Shin Jie Lee, kjo është një mënyrë e veçantë për ta trajtuar një temë të tillë.

“Mendoj se ky është një film shumë i fuqishëm që portretizon këto gra të fuqishme në këtë profesion dhe nëpërmjet përvojave të tyre ato me të vërtetë i shpalosin problemet e botës kinematografike. Ne jo domosdo e dimë se si funksionon kinematografia prapa kamerave dhe në këtë film ti me të vërtetë i kupton pabarazitë që ndodhin dhe mendoj se ky dokumentar me të vërtetë e përdor një gjuhë të butë për të folur për këto probleme në një mënyrë shumë më ndryshe”, ka thënë Emily Shin Jie Lee.

E lindur në vitin 1987, Elena Avdija u diplomua për sociologji në Shkollën e Studimeve të Avancuara në Shkenca Sociale në Paris. Pas diplomës master me filmin dokumentar “Ina”, ajo punoi si asistente regjisore, duke zhvilluar skenarë për dokumentarë historikë. Ndërsa shfaqja e dokumentarit të saj në “DokuFest” ka thënë se e ka bërë të ndihet krenare.

“Shumë mirë, shumë krenare jam që jemi në ‘Dokufest’ me film, sepse ky festival tashmë është ndërkombëtar, shumë i rëndësishëm dhe po më vjen shumë mirë që na kanë zgjedhur”, ka treguar Avdija.

Në Festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “Dokufest”, “Stuntwomen” merr pjesë në Garën Ballkanike në mesin e 13 projekteve të tjera në këtë kategori.