Për stripin e romanet grafike është krijuar imazhi i një prodhimi konsumerist që aspiron të jetë i pëlqyeshëm për publikun e gjerë. Por arti i ilustrimeve ka mundësi të tjera: me imazhe e tekste të thjeshta ka fuqinë të merret me temat më komplekse. “Synimi është gjetja e një ekuilibri mes përmbajtjes, kompleksitetit dhe shprehjes”, ka thënë ilustratori i njohur italian Alberto Pagliaro
Një publik i veçantë gjithnjë do të tërhiqet pas librave komikë e romaneve grafike. Një art i tërë imazhesh e fjalësh bashkon forcat për të zbërthyer një skenar deri në fund. Për autorë stripash kudo në botë, sprova e parë dhe e fundit mbetet gjetja e “mesit të artë” mes thjeshtësisë së gjuhës dhe ndërliqshmërisë së stories.
Bota e këtij arti nuk është veç ajo për superheronj, sikundër ekziston përshtypja e përgjithshme: stripat, në fakt, kanë fuqinë për të qëmtuar ngjarje, për të përcjellë mesazhe e për të dekonstruktuar gjëra që merren fare të mirëqena.
A nuk është bërë ushqim konstant për pafund teori konspirative vdekja e udhëheqësit nazist Adolf Hitler? Dokumentarë e një letërsi e tërë konspirative kanë gëluar me pyetje e dyshime për Führerin: “Pse nuk ka fotografi të kufomës së tij”, “A ka fluturuar ai drejt Amerikës Jugore”, “A jetojnë pasardhësit e tij”, e të ngjashme.
Derisa pas luftimeve të përgjakshme Ushtria e Kuqe arriti të hyjë në Berlin, Hitleri nuk u gjend askund, madje as trupi i tij. Nazistët thanë se ai u vetëvra që të mos binte në duart e kundërshtarëve të tij.
Kështu, Stalini do të ndërsente dy shërbimet e tij sekrete NKVD-në, pararendësen e KGB-së, dhe të mistershmin Smersh (kundërinteligjenca sovjetike) në kërkim të Hitlerit.
Një hulumtim i gazetarit francez, Jean-Christophe Brisard, në arkivat sovjetike nuk do të ishte kaq intrigues sikur puna e tij të mos vishej me artin e disenjatorit dhe ilustratorit italian, Albert Pagliaro.
I njohur më shumë në Francë se në Itali, në rrethet e atyre që e njohin këtë “zeje” arti, ai njihet për aftësinë e tij origjinale për ta “copëzuar” historinë italiane përmes stripave. Ai e kishte ilustruar për “Dargaud Editions” serinë e shkruar nga Philippe Thirault, “La mano”.
Duke shkoqitur lidhjen mes stripave dhe politikës e sterotipave, Alberto Pagliaro të premten mbrëma ka shpalosur disa nga pikëpamjet e tij në webinarin “Stripat mes artit dhe politikës”.
Në diskutimin online të moderuar nga profesoresha e gjuhës italiane në Universitetin e Prishtinës, Majlinda Bregasi, i pranishëm ishte edhe zëvendësambasadori i Italisë në Prishtinë, Matteo Corradini.
Ndërsa ka shprehur simpatinë e tij për stripat, ai e ka vlerësuar ngjarjen si diçka që i jep kënaqësi në rutinën e tij të punës profesionale në diplomaci.
“Stripi, që harmonizon shkronjat dhe imazhet, është një mënyrë për të thënë tema aktuale e shkencore”, ka thënë Corradini.
Si pak të tjerë nga bota e stripave, Pagliaro kishte krijuar një adaptim komik të operave “Traviata”, “Otello” dhe “Aida” të kompozitorit italian Giuseppe Verdi. Kishte qenë një ftesë krejt e papritur nga Teatri Komunal i Modenas “Luciano Pavarotti”. Siç i kishte shpjeguar drejtori i këtij teatri, e gjithë ideja ishte që stripi operistik të shpërndahej nëpër shkolla.
“Por në idenë e tyre vura re se shumë gjëra kishin falimentuar qysh në fillim”, ka treguar Pagliaro teksa ka treguar se opera është diçka komplekse. “Thjeshtëzimi paksa e zbehte veprën origjinale”.
Sipas tij, natyra e stripit qëndron tek thjeshtësia e tij, gjë që bën që ai të lexohet nga të gjithë. Kështu, autorët duan që me thjeshtëzim të krijojnë diçka komplekse.
“Synimi është gjetja e një ekuilibri mes përmbajtjes, kompleksitetit dhe shprehjes”, ka shtuar ilustratori italian.
Në vazhdim të diskutimit, Pagliaro ka folur edhe për praninë e karaktereve femra në krijimet e tyre. Me këtë rast, ai ka përmendur edhe stereotipizimet që gjejnë shprehje në botën e stripave, e një prej tyre edhe ai që lidhet me femrat.
“Jam rritur në një mjedis jo të këndshëm ku shpesh bullizoheshin gratë. Kjo ka kaluar edhe në botën e stripit ku femra është parë dhe shihet si objekt seksual”, ka thënë ai.
Duke iu rikthyer krijimeve të shumta të tij, të cilat jo rrallë prekin tema pa superheronj, ilustratori nga Firenca ka thënë se në “stripat historikë jo gjithherë do të kenë femra seksi siç do të priste audienca”.
“Nuk kam asgjë kundër stripave erotikë, por çdo gjë ka kontekstin e vet”, ka shtuar Pagliaro.
Fiorentinasi është përfshirë në artin e komikëve dhe ilustrimit qysh prej 27 vjetësh. E kishte filluar me tregime të shkurtra për revista të ndryshme italiane si “Selen”, “Kaos”, “Shock Magazine”, “Baribal”, “Next Exit”, “Black Blue” dhe “Maxim”. Teksa ka qenë ilustrator online edhe në fushën e marketingut, ai në moshën 26-vjeçare fitoi çmimin ndërkombëtar në “Kaos Art Contest”. Kishte formuar studion “Kmzero” me Cosimo Lorenzo Pancinin. Me këtë të fundit e me shkrimtarin Thierry Robberecht, ai e kishte nismuar serinë “Le’Ennemi” në vitin 2003.
Më 2006 e kishte themeluar “Premiata Officina Pagliaro”, me të cilën krijon videoklipe, muzikë, komikë dhe ilustrime. Tani është profesor për “ThesignComics & Arts Academy” në Firencë dhe “Fondazione d'Arte Trossi Uberti” në Livorno.
Përndryshe, webinari “Stripat mes artit dhe politikës” është mbajtur në kuadër të “Javës së Gjuhës Italiane në Botë”, e cila është një ngjarje e përvitshme me qëllim të promovimit dhe përhapjes së gjuhës italiane që është organizuar nën patronazhin e Presidencës së Republikës së Italisë, Ambasadës italiane në Prishtinë, Institutit Italian të Kulturës-Tiranë, si dhe Universitetit të Prishtinës. Një ditë më parë solli webinari “Muzetë, stripat, videolojërat: tre përbërës të një recete për publikun”, në të cilin historiania e artit dhe ekspertja e muzeve, Veronica Carpita, ka folur për sfidat e muzeve bashkëkohore në përpjekjen e tyre për të tërhequr publikun.
Temë e sivjetshme, në edicionin e njëzet me radhë, të “Javës së Gjuhës Italiane në Botë” ishte “Italishtja mes fjalës dhe imazhit: grafite, ilustrime, stripa”, si forma shprehëse që i japin vlerë gjuhës italiane përmes imazheve, me një theks të veçantë në stripa.
{gallery}
Me anë të një nisme të teatrit komunal “Luciano Pavarotti” në Modena, ilustratori italian Pagliaro njihet edhe për adaptimin në strip të tri veprave të njohura të Verdit: “Traviata”, “Otello” dhe “Aida”