Veprat e Agron Blakçorit e kanë populluar Strehimoren e dikurshme si kurrë më parë. Personazhet e tij s’duken të ikura nga lufta, të paktën ashtu siç janë paraqitur. Janë silueta në përditshmëri. “Krejt janë figura njerëzore dhe e përshkruajnë kohën. Jemi duke e bërë një jetë dinamike dhe me shumë teknologji. Sa po ndikon kjo në qëndrimet e shprehitë dhe lëvizjet tona? Është një lëvizje e një dinamikë. Ka edhe pjesë të arkitekturës”, ka thënë Blakçori për ekspozitën e tij në Strehimoren e Ulpianës, të riemëruar si Qendra e Artit
Është një qytet më vete. I strukur pak metra nën sipërfaqen e tokës “Skulpturë/Vizatime” bashkon shumë personazhe. Sa në argjilë e sa në vizatime, figurat bredhin gjithandej. Janë të punuara tash së voni, për t’u futur në Strehimoren e Ulpianës në Prishtinë. E riemëruar si Qendra e Artit në Ulpianë, strehimorja e hapur në vitet ’80 prej së martës është “populluar” me lloj-lloj personazhesh. Veprat e artistit Agron Blakçori kanë mbushur hapësirën. S’janë aty për të plotësuar funksionin e dikurshëm të hapësirës, por si fotografi e një qyteti.
Profesorët e tij, jo rrallë thonë se Blakçori është prej modeluesve më të mirë të skulpturës që kanë dalë nga Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës. Kësaj radhe, modelimet e tij janë gjysmë formash që paraqesin personazhe përditshmërie. Ngjasojnë shumë me ato që hasen qytetit, por vetëm si pamje prej largësie. Janë në miniaturë njashtu sikurse ndërtesat prej kartonësh. Vizitorëve edhe mund t’u duket vetja si jashtëtokësorë. Ka kolona njerëzish, familje, grupe të vogla e deri te njëri që është bërë gati të urinojë skaj një rrokaqielli. I takojnë kësaj kohe dhe duket si një skanim i qytetit prej lart. Por janë strehuar në bunker.
Strehimorja e ndërtuar më 1984 në kuadër të projekteve që hamendësohej t’i përgjigjeshin asaj që njihej si Lufta e Ftohtë, ai ambient në lagjen “Ulpiana” këtyre ditëve është kthyer në Qendër të Artit nëpërmjet një projekti të implementuar nga Komuna e Prishtinës e organizata “Prishtina Biennale”, me financim të Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë. Në ekspozitën e dytë aty, Agron Blakçori e ka populluar Strehimoren.
“Krejt janë figura njerëzore dhe e përshkruajnë kohën. Jemi duke e bërë një jetë dinamike dhe me shumë teknologji. Sa po ndikon kjo në qëndrimet e shprehitë dhe lëvizjet tona? Është një lëvizje e një dinamikë. Ka edhe pjesë të arkitekturës”, ka shpjeguar artisti, duke hezituar të japë shumë komente. Figurat qoftë në argjilë apo si vizatime janë aso karakteresh që mund të vrojtohen në qytet nga një shikim prej lart. Lëvizjet janë prej më të ndryshmeve. Secili në punën e tij.
“Ka lëvizje të ngadalshme e të shpejta. Kemi një njëfarë tipi me duar në xhepa. Kemi është këso karakteresh. Është një komunikim me forma”, ka thënë Blakçori. Ekspozita e ka edhe frymën e artit me të cilin Blakçori ishte paraqitur me ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës më 2018. Me titull “A mund ta imagjinosh këtë si diçka të bukur” asokohe vinte me një imazh të një peizazhi urban, një fotografi e cila ishte shkrepur nga artisti afër shtëpisë së tij në Podujevë.
Vrojtimet e tij vinin edhe në skulptura prej plastike që preknin tranzicionin, ndotjen, ambiciet e fenomene të tjera.
“Me një ndjenjë të mprehtë të të qenit i rrethuar me realitet transicional, i cili mund të zëvendësohet në një moment të shkurtër, Agron Blakçoi gjen bukuri në pasigurinë më subjektive. Në këtë aspekt, roli i artistit është ta vërë në pyetje situatën e artit në epokën e pasigurisë dhe lëvizjes”, shkruante asokohe kuratorja e kritikja e artit nga Berlini, Dermis León.

Njëfarë epoke e pasigurisë dhe lëvizjeve duket të jetë edhe ekspozita e re e Blakçorit. Ai nuk paragjykon zhvillimet, por ka “fotografuar” lëvizjet sipër qytetit. Dikush është në kotësinë e vet e të tjerë ia kanë mësyrë pikës që synojnë. Personazhet humbin në rutinën e vrullin e tyre.
Sipas kuratorit Gazmend Ejupi, Agron Blakçori është shumë i rëndësishëm si artist i mediumit të skulpturës, pasi ka fokus konceptual.
“Skulpturat këtu janë në proces. Ideja jonë është motivimi i të rinjve se pa eksperiment s’ka sukses. Pakot për shembull i kemi parë pa pagesë. Mund të bëjmë diçka edhe pa shpenzime. Kjo është një prej ideve”, thotë ai. Në kuadër të projektit për transformimin e hapësirës do të hapet edhe një ekspozitë. Më pas Komuna do të gjejë zgjidhje për shfrytëzimin e Strehimores me dy hyrje. Në njërën anë është krijuar hapësirë për rezidenca. Një prej vizitorëve në muhabet joformal ka shtruar pyetjen se a është veprim i qëlluar kthimi në hapësirë arti i atij lloj bunkeri, në një kohë kur luftërat në botë kanë ritëm. Por sipas atyre që janë të përfshirë në projekt, destinimi bazë i hapësirës mbetet i përhershëm në rast nevoje.
Veprat e Agron Blakçorit e kanë populluar Strehimoren si kurrë më parë. Personazhet e tij s’duken të ikura nga lufta, të paktën ashtu siç janë paraqitur. Por duke marrë parasysh që paraqitet e tashmja, shumë prej tyre mund të kenë përjetuar luftën e para një çerekshekulli. E tash janë në strehimore. Blakçori, i lindur më 1981 në Podujevë, është një vrojtues i përhershëm i fenomeneve shoqërore. Në tranzicion duken edhe personazhet e tij në Strehimore. E në tranzicion është edhe vetë hapësira ku gjenden, njashtu sikurse shumëçka tjetër në shtetin më të ri në Evropë. Deri në ditën e 26-të të këtij muaji, vizatimet dhe skulpturat do të presin vizitorët e kryeqytetit për t’ia lënë radhën një tjetër ekspozite që mbyll ciklin e trinomit, që nisi me “Bleeding Silence” të Vleri Beqajt.