Prishtinë, 11 korrik – Ruajtja e elementeve etnokulturore dardane gjatë romanizimit të Dardanisë është shpërfaqur në një gur mbivarror të gjetur në Komunën e Suharekës. Guri i mermertë që njihet si stelë e që është gjetur para rreth dhjetë ditësh në fshatin Peqan, nja 5 kilometra nga Suhareka, paraqet një figurë vajze të gravuar në mermer. Institucionet qendrore ende s’e kanë bërë studimin e këtij artefakti, që besohet se i takon fundit të shekullit II e fillimit të shekullit III.
Por arkeologu Naser Ferri ka arritur ta deshifrojë mbishkrimin me shkronja latine. Sipas tij, nëna ia ka kushtuar stelën vajzës së saj 15-vjeçare. Në bazë të të dhënave, sipas tij, më e qëndrueshëm është që stela të jetë e fillimshekullit III
Por siç ndodh shpesh, institucionet nuk kanë qenë të mirëpritura në pronën ku është gjetur artefakti. Një ekipi të Institutit Arkeologjik të Kosovës, në përbërje të arkeologëve Milot Berisha e Elvis Shala, nuk u është lejuar qasja në pronë të hënën. Ata janë kthyer prapa nga parcela, ku gjatë rrëmimeve për ndërtimin e një shtëpie ka dalë në pah stela.
Por ndërhyrja e kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë që organeve ligjzbatuese të mos u dalë punë.
"Kam thënë se jemi marrë vesh me pronarin dhe të martën është sjellë te Muzeu i qytetit, ku është dorëzuar. Ishte aty edhe Policia”, ka thënë Muharremaj.
Por sipas drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ky artefakt do të bartet në Prishtinë për t’u studiuar.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")