August Strindbergu, në fillim të shekullit XX përkufizoi idenë e teatrit intim, si një hapësirë, ndonëse e ngushtë, ku shpalohet drama e një jete të tërë.
Ndryshe nga Ibseni, me Strindbergun në veçanti teatri, siç thekson Jean-Pierre Sarrazac, kritik i shquar i teatrit dhe dramaturg francez, bëhet “vend i ekspozimit të psikës së autorit, krahas ditarit intim, rrëfimit letrar dhe autobiografisë.”
Ndërkaq Roland Barthes në “Shkrime mbi teatrin”, relacionet e një çifti bashkëshortor në teatër i merr në shqyrtim si relacione që hapen kah tërësia e botës: “Gjithnjë përderisa do të ketë skena bashkëshortore, do të ketë pyetje që i bëhen botës”.
Kësisoj, “teatri bëhet dhomë dhe dhoma bëhet teatër”. Në këtë dhomë rikonstruktohet shpesh rruga që shpie prej “ishullit të jetës te ishulli i vdekjes”. Si emblemë e shfaqjeve të dhomës, Strindbergu përdor dy tablotë e famshme të Arnold Böcklin: “Ishulli i jetës” dhe “Ishulli i vdekjes”.
Të përkujtojmë se termi “intim”, etimologjikisht shpreh atë që është e brendshme në thellësinë e shpirtit, por edhe atë që është thelbësore, shkruan sot Koha Ditore.
Intimja shpie te brendia e të brendshmes së çdo qenieje, por edhe te lidhja më e fortë me tjetrin. Lidhjet fuzionale midis dy personave, në dramat e Strindbergut, cilësohen me përplasje të kohëpaskohshme, që ndonjëherë marrin formë tragjike.
Synimi për mbisundim, qoftë i burrit, qoftë i gruas është, më së shpeshti, një konstantë e këtyre raporteve. Për Strindbergun, si bashkëkohës i Frojdit, intimja lidhet me inkoshiencën brenda thellësisë së psyché -s (shpirtit).
Edhe
Media është vetë mesazhi apo metafora e realitetit?
Mirëpo duke qenë intime dramat e Strindbergut nuk janë solipsiste, nuk tematizojnë subjektivitetin e mbyllur në vete të personazheve, në fakt ato janë “monodrama polifonike”, që shpalosin subjektivitete që mbajnë lidhje me të tjerët dhe me botën.
Ngjarja zhvillohet në katin përdhes të një shtëpie moderne.
Në fillim të aktit të parë, në sallonin e rrumbullakët, bisedojnë Studenti dhe Plaku. Ky është duke lexuar në gazetë për një aksident, shembjen e një ndërtese dhe portretin e Studentit i cili aty prezantohet si hero që kishte shpëtuar disa banorë....(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)