Kulturë

Skena e pavarur kulturore s’është unike përballë politikës

Prishtinë, 24 gusht – Një përqindje e madhe e zhvillimit kulturor në vend bazohet në skenën e pavarur. Mirëpo, mungesa e një strategjie kulturore dhe politikave të qarta të institucioneve shtetërore tash e 18 vjet kanë bërë që artistët e pavarur të hasin në sfida të ndryshme. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përveç subvencioneve që ndan çdo vit për skenën e pavarur nuk ka ndonjë formë tjetër të mbështetjes.

Por edhe kjo mbështetje dallon prej vitit në vit, e po ashtu edhe prej partisë që udhëheq këtë institucion shtetëror. Për dallim prej vitit të kaluar kur ky institucion kishte përkrahur 364 projekte kulturore e artistike me 890 mijë euro, këtë vit ka ndarë 750 mijë, derisa ka rritur numrin e mbështetjeve për 46 aktivitete. Po ashtu, derisa vitet e kaluara ka publikuar listën me shifra monetare që ka ndarë për secilin projekt, një gjë të tillë nuk e ka bërë sivjet. Një prej problemeve më të mëdha dhe diskutimeve që tash e sa vite bëhen në këtë aspekt nga njerëzit e fushës është mënyra e përzgjedhjes së këtyre projekteve dhe kriteret në të cilat bazohen.

Këto dhe probleme të tjera që prekin zhvillimin e fushës së pavarur të kulturës, u diskutuan të enjten në debatin e organizuar nga “Kosova. 2.0” me temën “Kulturë: Pavarur apo pa pare?”. Në panel ishin panelistët Burbuqe Bakija-Deva, zëvendësministre e Kulturës, Arif Muharremi, menaxher i projektit “Kultura për Ndryshim”, Veton Nurkollari, drejtor artistik i “DokuFestit” dhe Albert Heta nga Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).